Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit/ Shpëtoni M. Lekën e RTSH, zvendësin e përkohshëm të  Thoma Gëllçit !

RTSH

Që prej datës 20 maj 2021, kur, për arsye të konsumimit të mandatit të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi u largua nga kjo detyrë, zvendësdrejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Martin Leka, “mori karrigen” e drejtorit. Një rokadë kjo që e ka sjellë në të njëjtin pozicion Martin Lekën edhe herë të tjera, brenda ekzistencës së tij dekadëshe si Zvendësdrejtor i Përgjithshëm.

Nga Arbër DALMATI –

Pra që prej pesë muajsh Martin Leka është duke ushtruar kompetencat e  ish drejtorit Thoma Gëllçi, aktualisht i arrestuar për konsumimin e veprës penale “shpërdorim detyre”, kompetenca që e theksojmë: I ka ushtruar edhe herë të tjera e nga të cilat periudha më e gjatë kohore ka qenë ajo midis ikjes së Petrit Becit dhe ardhjes së Thoma Gëllçit.

Ndërkohë që as Kontrolli i Lartë i Shtetit e as Auditi i Brendshëm i RTSH nuk kanë publikuar konkluzione të ndonjë kontrolli të ushtruar, lidhur me veprimtarinë e administrimit të RTSH-së nga zv. drejtori M. Leka. Në rolin e Drejtorit të përkohshëm, ose tranzitiv ky zotëri ka “shirrë e korrur” sipas qejfit. Prej këtij roli rezulton se boshllëkun e kontrollit të këtyre periudhave tranzitive e kanë zënë lajme e thashetheme brenda institucionale dhe mes skotës së parazitëve të shumtë që ka me dekada ky institucion.

Kështu flitet për abuzime të tilla si heqje nga puna pa arsye dhe marrje në punë e “të rinjve”  me ndërmjetësi sekserësh nga politika dhe miqësitë e farefisnitë. ( Është një operator me kostum dhe kollaro që gjendet shpesh në paradhomën e Martinit sidomos gjatë kësaj periudhe!)

Ka punonjës të njëjtë që firmosin nga dy ose edhe më shumë bordero brenda të njëjtit institucion ku shërbejnë e prej të cilit paguhen rregullisht. Përflitet për blerje materialesh e programesh kundrejt shifrave astronomike, për korrupsion e afera me paratë e taksapaguesve etj.

Një nga “thashethemet” më të mëdha që qarkullon brenda RTSH-së, por që është lehtësisht e verifikueshme nga kryqëzimi i dokumentacioneve pararendëse dhe atyre të kontraktimit aktual, është ajo e blerjes nëpërmjet procedurave tinzare të së drejtës së transmetimit të dy programeve “Champion Leagues” të futbollit e “Wimbeldon” apo “The Championships” (kampionati i tenisit). Apo blerjes së mjeteve teknike të vëna në dispozicion., të familjarëve etj.,etj.

Deri më sot,përfoljet kanë mbetur të tilla për shkak edhe të mungesës së kontrollit nga ana e institucioneve audituese të brendshme e të jashtëme, kryesori ndër të cilët është Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Këtij institucioni edhe më herët individë publikë dhe organizata i janë drejtuar me thirrje që të nisë urgjentisht kontrollin e këtyre periudhave tranzitive të administrimit të RTSH nga zvendësi M. Leka, me qëllim që të qetësojë gojët e liga dhe të shpëtojë dinjitetin e dyshuar  të Lekës, nga thashëthemet që nuk do të pushojnë për sa kohë të mos kryhet një kontroll i detajuar apo të vendoset regjimi i transparencës në të vetmin institucion të medias publike, (më saktë shtetërore) në këtë vend.

© Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria Neës.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

 

Related Posts

Leave a comment