Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rama intervistë për gazetën gjermane: Merkel do i mungojë fort Europës

-640-0-617ba6cf5156a

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, në një intervistë për gazetën gjermane ‘Merkur’ foli për integrimin e Shqipërisë në BE si dhe impaktin që do ketë në Europë largimi i Angela Merkel.

Sipas kryeministrit Rama, Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, për hir të sigurisë së saj.

Intervista me “Merkur”

Për çfarë mund të diskutojnë Bavaria dhe Shqipëria?

Marrëdhëniet mes vendeve tona shtrihen pas në kohë deri në vitet ‘80. Franz Josef Strauß vizitoi atëherë papandehur Shqipërinë duke thyer kështu akullin.  Strauß i propozoi regjimit shqiptar të kohës një marrëveshje joshëse tregtare, e cila nuk u realizua kurrë. Sot kemi një rrugë me emrin e tij në Tiranë.

Dëshira juaj për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, si shihet nga Soder?

Gjithmonë na ka mbështetur fort në lidhje me këtë çështje. Markus Söder u shpreh në bisedën tonë se mendon që procesi i përafrimit të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet. Vitin tjetër ka gjasa të vizitojë kryeqytetin tonë.

A është lajm i keq për Shqipërinë largimi i Angela Merkel?

Formulim paksa i tepruar. Por duhet të pohoj se kancelarja ka pasur një ndjeshmëri të veçantë për çështjet tona, çka lidhet me siguri edhe me të shkuarën e saj. Kancelarja është rritur në një diktaturë komuniste, ndaj dhe ndoshta na kupton më mirë se shumëkush. Ajo do t’i mungojë fort rajonit dhe krejt Evropës.

Jeni i zhgënjyer që procesi i anëtarësimit ka ngelur në vend-numëro?

Në fillim isha, por tani jo më. Sot BE-ja nuk është më e njëjta si në kohën e themelimit të saj. Ajo është e fragmentarizuar, vuan pasojat e agjendave kombëtare dhe të interesave të papërputhshme me njëra-tjetrën. Unë besoj se që pas krizës së refugjatëve, BE-ja ndikohet fort nga kahet ekstreme të politikës. Kjo bie në kundërshti me vlerat dhe parimet e BE-së.

Me këto fjalë nuk e bindni dot BE për t’ju pranuar. Përse vazhdoni të doni të bëheni vend anëtar?

Nuk bëhet fjalë për gjendjen e bashkësisë në një çast konkret të historisë. Për ne Bashkimi Europian është një premtim paqeje. Këtë njerëzit në Perëndim e kanë harruar, sepse falë Zotit nuk kanë parë luftë prej kohësh. Ama ne po. Ndoshta rrugëtimi i BE-së do të jetë me kthesa e pengesa edhe për ca kohë, por në finish ajo mbetet padyshim e ardhmja e kontinentit.

Por me Ballkanin Perëndimor BE-ja fut probleme në derën e shtëpisë, si për shembull konflikti për çështjen e Kosovës.

BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet.

Nuk ka kuptim që të ketë kufi të brendshëm me ne. Dhe nuk ka aspak kuptim që ta lëshojë rajonin tonën nën ndikimin e të tjerëve…

…E keni fjalën për Kinën dhe Rusinë?

Ato janë veç pjesa e dukshme. Mos harroni se në rajon jetojnë të krishterë e myslimanë. Do të ishte çmenduri ta lësh Ballkanin Perëndimor një portë të hapur për radikalizimin dhe terrorizmin. Ka ardhur koha që BE-ja ta kuptojë këtë.

Në rajon disa kanë frikë se ju doni të bashkoheni me Kosovën për të krijuar Shqipërinë e Madhe…

Lojëra të tilla mendimesh kanë më shumë gjasa jashtë se brenda BE-së.

Pse Shqipëria, vend i varfër, pranoi kaq shumë refugjatë nga Afganistani?

Kjo është pjesë e vetëkuptueshme e qenies sonë. Në Shqipëri kemi një thënie: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Me mik kuptojmë mikun e paftuar që ka nevojë për ndihmë. Vendi ka strehuar gjysmë milioni refugjatë nga Kosova dhe 3000 iranianë,  kundërshtarë politikë të regjimit të atjeshëm. Pas rënies së komunizmit ne vetë kemi kërkuar strehë në Europë. Sot si vend anëtar i NATO-s e ndjejmë për detyrë. Vendet anëtare të NATO-s nuk mund thjesht t’i kthejnë kurrizin e t’i lënë në mëshirë të kasapëve talebanë forcat vendase që kanë rrezikuar jetën për NATO-n në Afganistan. Deri tani janë thuajse 2000, numri shtohet çdo javë. Por në vend nuk ka asnjë diskutim, a është mirë apo keq. Këtu bëhet fjalë edhe për respektin karshi vetes.

Related Posts

Leave a comment