Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kriza e shkollës dhe e paedukatës gjëmë e madhe për shoqërinë shqiptare

251133296_281116167353083_6476931830055496054_n

Nga Aleksandër ÇIPA –

Fundjavën e saposhkuar u ndodha në gjashtë qytetet jugore të vendit: Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet. Nuk ka nevojë të them sa bukur u ndieva dhe sa më shumë i shijova.
Mendoj se romantizmi prej peizazhit, (atij të natyrës dhe kryesisht veçanësive urbane) është i nënkuptueshëm. Por dua të mbetem tek dy episode që rrëfejnë jo vetëm mjaftueshmërinë për ulërimë dhe alarm së bashku, por tmerrin e një të ardhmeje të afërt, pa perspektivë në fushën e edukimit dhe të funksionimit të shkollës dhe edukimit aktual të brezit të ri.

Në Sarandë, apartamenti im modest gjendet në një pallat me mbi 45 familje. Ndërsa po hyja në hyrjen e pallatit, një grup fëmijësh më dhanë kënaqësinë e prindit. Loznin në mënyrën e tyre. Por papritur, ndala hapin sepse një grumbull bidonash të vegjël plastikë, të shtypur, ishin shpërndarë së bashku me një grumbull plehrash shtëpiakësh.
Ndalem dhe u them: Të gjithë ne këtu dhe këto plehra në këmbët tona?! Ne duhet t’i heqim së bashku. Askush nuk përgjigjet nga fëmijët. Ndiqnin lojën në telefon prej më të voglit ndër ta. Mes tyre edhe një vajzë minorene. U drejtohem sërish:-Ne duhet t’i heqim sa më parë këto mbeturina! Askush nuk lëviz. I drejtohem me ton djalit që vijonte pa prishur terezinë në telefon. -Mbylle telefonin dhe bëhu pjesë e këtij shërbimi për pastërtinë! I imponuar më përgjigjet:-Le të vijë t’i heqë ai që i gjuajti me shkelm se e ka babain dhe me makinë të fundit!
Më kot u përpoqa t’i vija në përgjegjësi dhe duke dhënë shembullin tim, t’i prekja në sedër dhe të hiqnim së bashku mbeturinat nga hyrja e pallatit. Fëmijët ishin të patundur nga vendosmëria e tyre për t’i lënë të paprekura ato mbeturina të flakura e shpërndara në mjedisin hyrës të pallatit, prej shkelqimimit të vërsnikut të tyre të pasur në pallatin fqinj. Dikush nga banorët e rritur kalimtar u thotë: Dëgjojeni zotërinë se është i medias! Askush nuk lëvizi. I mblodha vetë dhe i hoqa. Tek grupi prej shtatë fëmijësh të moshës nga 7 deri në 11 vjeçarë, pashë të plotë solidaritetin e paedukatës fëminore.(!)

Ishin të së njëjtës shkollë në qytet. Padëgjueshmëria e tyre më trishtoi, por bashkëndenjia e tyre me mbeturinat aq pranë, më helmoi si prind dhe banor i përkohshëm i pallatit të përbashkët.
Episodi i dytë më ndodhi në Gjirokastër. Ndërsa po kaloja orët e bukura me miqtë e mi në qytetin ku jam rritur, në një moment pyes zonjën e shokut tim të afërt:
. Si është gjendja e arsimit në qytet?!
-Mos më pyet, ishte përgjigjia e menjëhershme. Pedagogjikja jote, është sa për sy e faqe si godinë. I ka humbur degët me të cilat krenohej; mësuesinë dhe gjuhët e huaja. Nuk ka më nxënës. Dhe kur nuk ka nxënës në Pedagogjike, nuk ka as mësuesi në Universitetin “Eqrem Çabej”. Për pak vite në qark do kemi krizë të madhe për mësues. Po humbasin mësuesit e ciklit të ulët, 9-vjeçares dhe sidomos edhe ata të lëndëve shkencore dhe gjuhës dhe letërsisë shqipe nëpër gjimnaze. Kjo është krizë kombëtare, por në qytetin e traditës së madhe të arsimit kombëtar, kjo është krizë që meriton kuje:
Sepse nuk do kemi shkolla shqipe në shumicën e jugut!
Ky episod nuk është shqetësim kalimtar për një pakujdesi administrative në fushën e arsimit. Kjo nuk është çështje për një shkollë apo për një cikël arsimor.

Kjo është krizë e madhe kombëtare me risk të rëndë e alarmant për ardhmërinë e arsimit shqiptar, e shkollës kombëtare. Kjo kuje bie mbi godinat e reja, mbi mjediset dhe komplekset e rregulluara dhe investuara aq mrekullisht. Por kjo kuje dhe ky alarm, lidhet me paradoksin tonë: Kur kemi nxënës e mësues me shumicë, nuk kemi shkolla e godina në gjendje. Tani që i kemi ato, na kanë ikur nxënësit dhe po na humbasin mësuesit.(!!)
Ky episod të cilin e ndesha në qytetin tim Gjirokastër, si realitet i tillë alarmant është për të gjitha zonat e thella dhe bashkitë e vogla të vendit nga jugu në veri. Si i tillë, duhet të bëhet urgjentisht çështje në Parlament. Nuk është fjala për një interpelancë, por për një projekt të ri, program emergjence dhe strategji ndërhyrjeje.
Shqipëria ka nevojë për një strategji të re me vlerë ndërhyrëse për të sotmen, të nesërmen dhe pasnesërmen e shkollës sonë dhe arsimimit. Këtë politika imponueshëm duhet ta rikonceptojë dhe ndërtojë urgjentisht për shpëtimin e arsimit, dijes dhe mësimdhënies kombëtare. Ky alarm nuk ka nevojë vetëm të dëgjohet, por mbi këtë gjëmë duhet të ndërhyret një orë e më parë(!).

Related Posts

Leave a comment