Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Polonia paralajmëron “përshkallëzim të armatosur” me Bjellorusinë, ndërsa emigrantët grumbullohen në kufi

Capture

Polonia paralajmëron për një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë, ndërsa mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë kufirin për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Qeveria polake akuzon Bjellorusinë se po i drejton emigrantët drejt kufirit, si pjesë e një ‘lufte hibride’. Vlerësohet se mijëra emigrantë kanë ngritur kampe përgjatë kufirit afër fshatit polak Kuźnica. Disa u përpoqën të çanin gardhin me tela dhe rojat kufitare polake përdorën gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Autoritetet polake thanë se janë arrestuar dhjetëra emigrantë. “Në 24 orët e fundit kemi pasur 309 përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin. Roja Kufitare ka lëshuar 85 urdhra për largim nga territori i Polonisë. Shtatëmbëdhjetë të huaj u arrestuan dhe do t’i nënshtrohen një procedure administrative“, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Rojave Kufitare polake, Katarzyna Zdanoëicz.

Nuk është e qartë nëse emigrantët e ndaluar kanë kërkuar strehim në Poloni, që është e drejtë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.

Emigrantët janë nga Afganistani, Lindja e Mesme dhe Afrika, kryesisht të rinj, por edhe disa gra dhe fëmijë. Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror bjellorus, që nuk mund të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur nga Zëri i Amerikës, një emigrant tha se nuk dëshironte të qëndronte në Poloni. “Jo në Poloni. Ne po shkojmë në Gjermani. Gjermania është jeta. Jo Polonia”, tha ai. Gjermania është një synim i përbashkët për shumë emigrantë që hyjnë në Evropë.

Shfrytëzimi i emigrantëve si ‘armë”

Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë Minskun për shfrytëzimin e emigrantëve si “armë” duke i ftuar ata të hyjnë në Bjellorusi dhe më pas duke i drejtuar në kufi, ndonjëherë edhe me forcë. Duke vizituar zonën kufitare të martën, kryeministri polak Mateusz Morawiecki, vlerësoi punën e 12,000 trupave që qeveria ka vendosur për të mbrojtur kufirin.

Ne e dimë se ky është një operacion plotësisht i planifikuar, i cili synon të dëmtojë sovranitetin e vendit tonë. Kjo është absolutisht e qartë për ne”, kryeministri polak.

Regjimi i (presidentit të Bjellorusisë Aleksander) Lukashenko po përdor civilët si armë të një lufte hibride. Ajo që mund të shohim sot janë metoda të reja dhe ju jeni një fortesë thelbësore për t’u mbrojtur nga këto metoda të reja”, shtoi ai.

Polonia mbylli të martën vendkalimin kryesor kufitar me Bjellorusinë, që është rruga kryesore për trafikun rrugor midis Evropës veriore dhe Rusisë.

Mbështetja ruse

Bjellorusia mohon akuzat se po i dërgon emigrantët drejt kufirit. Presidenti Aleksander Lukashenko akuzoi Poloninë se “ka marrë armët në dorë. Është e qartë që është një lloj stërvitjeje apo frikësimi. Sigurisht që do ta përballojmë pa asnjë ankth”, tha ai për televizionin shtetëror.

Rusia shprehu mbështetjen për aleaten e saj, Bjellorusinë dhe fajësoi politikat e Bashkimit Evropian mbi migracionin për situatën në kufi. Në një konferencë shtypi të martën pas bisedimeve me zyrtarët e Vatikanit, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i bëri thirrje Evropës që t’i japë ndihmë financiare Bjellorusisë.

“Vendet e BE-së duhet të kenë standarde të qëndrueshme kur bëhet fjalë për pranimin ose refuzimin e refugjatëve. Përse, kur refugjatët vinin përmes Turqisë, BE-ja ndau fonde për t’u mundësuar qëndrimin në Turqi? Përse është e pamundur të ndihmosh bjellorusët në këtë mënyrë?”, tha ai

Hakmarrje

Bashkimi Evropian thotë se Bjellorusia po hakmerret për sanksionet që blloku vendosi pas shtypjes brutale të protestave pro-demokracisë, pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 2020, për të cilat vëzhguesit perëndimorë thonë se ishin të manipuluara.

“Presidentja (e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen) kërkoi shumë qartë që Bjellorusia t’i jap fund instrumentalizimit të emigrantëve për qëllime politike, gjë që po vë në rrezik jetën e njerëzve”, tha të martën Dana Spinant, një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Qëllimi ynë është të dërgojmë mesazhin e qartë për autoritetet e vendeve nga vijnë emigrantët se ky është një kurth i rrezikshëm, se njerëzit po joshen nga regjimi në Minsk dhe ata sillen në Bjellorusi dhe dërgohen drejt kufijve të BE-së. Ata po përballen me një situatë vërtet të rrezikshme atje”, tha ajo.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, u bëri jehonë këtyre shqetësimeve. “Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm shfrytëzimin politik dhe detyrimin e njerëzve të cenueshëm nga regjimi i Lukashenkos, dhe lehtësimin e pashpirt dhe çnjerëzor nga regjimi të valëve të parregullta të migracionit përtej kufijve të tij“, u tha zoti Price gazetarëve.

Mediat e bllokuara

Polonia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin kufitar, duke bllokuar qasjen e grupeve të ndihmës dhe gazetarëve. Disa emigrantë kanë vdekur tashmë në kufi, ndërsa mijëra janë të bllokuar në temperatura të ulëta me pak ushqime ose ujë.

Bjellorusia po e çon Evropën në një krizë morale, thotë analisti polak, Piotr Buras nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Si evropianë, si qenie njerëzore, ne nuk mund të injorojmë tragjedinë e atyre njerëzve që u bllokuan mes rojeve kufitare bjelloruse, nga njëra anë, të cilët nuk i lejojnë as të kthehen në Minsk ose në vendet e tyre, edhe nëse duan meqë rojat kufitare bjelloruse i shtyjnë ata njerëz drejt kufirit polak, i kërcënojnë dhe përdorin forcë kundër tyre – dhe nga ana tjetër, në anën polake, ka roja kufitare që nuk i lejojnë të hyjnë”.

Lukashenko është i interesuar të ketë trupa të pajetë në kufirin polako-bjellorus sepse, nga këndvështrimi i tij, kjo do të komprometonte vlerat evropiane”, tha analisti Buras për Zërin e Amerikës.

Organizatat humanitare thonë se veprimet e trupave polake për kthimin mbrapsht të strehimkërkuesve të ligjshëm, shkelin ligjin evropian dhe ndërkombëtar. Polonia thotë se veprimet e saj janë të ligjshme.

Në një deklaratë të përbashkët, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) bënë thirrje për një shtendosje të menjëhershme. “Në dritën e situatës alarmante në kufi, të dyja palët duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të garantojnë sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve të bllokuar në kufi”, thuhet në deklaratë.

Sanksionet e reja të BE-së

Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara me Varshavën, Bashkimi Evropian tha të martën se Polonia ka mbështetjen e plotë të tij dhe blloku po përgatit sanksione të reja kundër qeverisë bjelloruse.

Evropa duhet të përdorë gjithashtu diplomacinë për të ndërprerë migrimin në burimin e tij, thotë analisti Piotr Buras. “Lukashenko po sjell emigrantë me avion nga një sërë vendesh. Këto vende, shumë prej tyre, varen edhe nga marrëdhëniet e mira me Bashkimin Evropian dhe është absolutisht e papranueshme që ata të tolerojnë këtë lloj sjelljeje”, tha analisti Buras për Zërin e Amerikës.

Lituania, e cila së bashku me Letoninë ka përjetuar gjithashtu një valë emigrantësh muajt e fundit, ka filluar të vendosë më shumë trupa përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë./VOA

Related Posts

Leave a comment