Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shqipëria politike nuk ka qenë kurrë e dëshirueshme, por ajo artistike, përherë e adhurueshme

1FCA7C28-F90E-42ED-8111-DDB4C8C9AEAE

Mesazhi urues i gazetarit Aleksandër Çipa për aktorin e shquar Luftar Paja në 80- vjetorin e ditëlindjes

I dashur dhe  i shtrenjti Artist i Popullit- Luftar Paja!
Dua të të uroj nga zemra jetë të gjatë në këtë 80 vjetor të ditëlindjes tënde! Në mendjen dhe në shtatin tënd vrulloftë gjaku yt për energji dhe prurje të reja artistike!
I dashur artist!
Unë kam në këtë urim për ju, edhe një delegim urimi, atë të mikut tënd të shpirtit dhe të gjakut artistik, At-it tim Lefter Çipa.
Atje në sheshin pas lisave në Pilur, me mënyrën dhe fjalët e tij përmes shpirtit, jam i sigurt se të uron si ai:
-Luftar, ke shumë udhë me dritë për të bërë! Jeto si kënga ime!
I shtrenjti Luftar,
Ju keni fituar gjithë provën me kohët e jetës tënde.
Janë mbi gjashtë dekada në art, në tetë dekadat e jetës që vijon. Mjaftueshëm, për të të parë e për të të dashur më shumë se ngjyrat e ylberit si artist. Në këtë rrugë të gjatë, ke lënë e ke gdhendur shumësinë e tipave e karaktereve atipike, si artist i skenës dhe i filmit. Nuk ka një të dytë si Ju, që të na ketë krijuar aq përsosmerisht karakteret e labërve, myzeqarëve, fierakëve, mallakastriotëve dhe lushnjarëve, vlonjatëve dhe tropojanëve artistikisht dhe tipologjikisht. Personazhet e tua si në artin e vërtetë, kanë fituar jetëgjatësinë falë teje dhe mishërueshmërisë tënde dhe sot i mbartim si asosacione reale të tipave dhe karaktereve shoqërore të shoqërisë sonë, nga koha në kohë e nga sistemi në sistem.
Kështu ndodh me Çobo Rapushin, Halit Shkozën, Canja-n, Xha Rapon etj.,etj.
Duke e bërë kaq të shumtë dhe të bollshme galerinë tënde, ke lënë nën eklips jetën tënde fizike.
Sot në 80 vjetorin e ditëlindjes, ne miqtë dhe adhuruesit e tu, befas na jepet imponueshëm vëmendja për kohën fizike të qenies tënde të mishtë. Nuk na mjafton urimi, sepse të detyrohemi më shumë mirënjohje. Jemi nën dëshirën për t’ i pasur edhe më tepër urimet dhe mirënjohjen, në lartësinë e meritimit tënd, në lartësinë e fetarisë së bukur të artit tënd.
Artisti ynë Luftar Paja është sfidant i kohëve dhe tejkalues i tyre sepse ka universalizuar artistikisht karakteret lokale, si tipologji ala shqiptare. Për këtë arsye dhe përmes kësaj arritjeje, i nderuari Luftar, ke mbetur dhe do të jesh, artisti kombëtar i karaktereve tipike lokale.
Ju, si askush parodizuat veset karakteriale të burokracisë, borgjezisë, grupeve politike, sjelljes klasore, udhëheqësive dhe sidomos absurdin dhe injorancën kokoroshe të atdheut tonë. Në këtë mënyrë, falë partnerëve të tu të regjisë dhe skenarëve si dhe kolegëve e ortakëve artistikë, ia ke dalë të krijosh aq të pasur e me shumësi, galerinë tënde artistike të aktrimit, të interpretimit dhe filmit. Ju në këto dekada të shumta u madhuat dhe lartësuat artistikisht krah artistëve të famshëm dhe krijuesve më meritorë të kukturës shqiptare në këtë shekull. Për këtë inventar dhe fond aq të imponueshëm, sot ne bashkëkohësit dhe veçanërisht, gjithë miqtë e tu, jo vetëm jemi krenarë, por kemi peshën specifike të emocionit dhe të mirënjohjes së përhershme.
Jeta jote është një rrugë e gjatë dhe një kala miqësish.
I gjete dhe i zgjodhe sa ke ngritur një kala me gjithë interieret për miqësinë. Për seicilin dhe për çdokënd, bën vend tek vetja jote. Shumë trofe të jetës tënde janë të vendosura në ” buarinë” e moshës tënde të sotme. Në këtë trashëgimi është e shqueshme edhe pasardhja jote e sotme dhe e nesërme në kohë, përmes birit tënd artist, Gazit. Në librat e shenjtë dhe në kodin tonë zakonor kjo është shenjë e dritës që të ndjek në vete si për sot dhe për nesër. Të rrallë janë artistët që e kanë këtë fat. Por ju jeni artisti që natyrshëm shoqëron fatin me hapin dhe mënyrën vetiake të jetës. Për këtë arsye, je vetë natyrshmëria. Ndoshta kjo vlen si çelës magjik i popullaritetit tënd dhe i adhurimit tonë.
Në këtë udhë të gjatë jete, artisti Paja, pate momente të shijoje edhe kapërcimin në një akt të përfaqësimit politik, duke respektuar një modul të karakterit të përfaqësuesit popullor. Por edhe me këtë sprovë ia dole të na kumtoje se: Shqipëria politike nuk ka qenë kurrë e dëshirueshme, por ajo artistike ka qenë përherë e adhurueshme. Tek kjo e dyta, pra, tek Shqipëria artistike je banori ynë i përhershëm. Tek kjo Shqipëri, ke lënë dhe ke ngritur jetën dhe veprën tënde artistike. Për këtë arsye, urimet e ditës së sotme dhe vlerësimet vijuese që merr, janë materia provuese e adhurimit njerëzor për ju si artist dhe për Luftarin si aktor.

Related Posts

Leave a comment