Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Bojkoti ftohës amerikan në Lojërat Olimpike

cipa

Nga Aleksandër ÇIPA-

Në datën 6 dhjetor 2021, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendimin për të bojkotuar zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore që pritet të mbahen në kryeqytetin kinez në shkurt 2022. Megjithëse jo i paprecedentë në historinë e Lojërave Olimpike, ky vendim tregon një përshkallëzim në qasjen e Uashingtonit ndaj Pekinit.

Për vetë natyrën e tyre, Lojërat Olimpike, duke përfshirë ato dimëroret, janë një event tejet i rëndësishëm botëror. Pjesëmarrja e atletëve nga të gjithë vendet e rruzullit tokësor dhe varieteti i larmishëm sportiv i bëjnë këto gara një event unik për nga vizibiliteti dhe interesi. Shënjeshtrimi i tyre bëhet pikërisht për të maksimalizuar impaktin në raport me ato që etiketohen si shkelje të të drejtave të njeriut nga Shtetet e Bashkuara.

Lojërat Olimpike janë bërë më herët subjekt bojkotesh të ndryshme politike, veçanërisht përgjatë Luftës së Ftohtë, kur çdo aktivitet ndërkombëtar shikohej nën lente politike.

Ndryshe nga bojkotet e mëparshme, bojkoti amerikan po vjen si një masë jo e plotë, për shkak se supozohet të jetë vetëm një bojkot “diplomatik” dhe jo i plotë. Kjo u theksua edhe nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, teksa konfirmoi se atletët amerikanë ishin të lirë të merrnin pjesë në gara. Kjo vjen për shkak të faktit që një bojkot i detyruar për atletët do të ngjallte pakënaqësi te atletët e ndryshëm të cilët synojnë të garojnë pikërisht në këtë event sportiv kaq të rëndësishëm.

Në princip, bojkoti ka gjithmonë përpjekjen për të delegjitimuar një palë tjetër. Në këtë rast, Uashingtoni synon që ta pasqyrojë Pekinin dhe marrëdhëniet pozitive me të të palëve të treta si toksike. Gjendemi në një periudhë përshkallëzimi të qëndrimeve reciproke ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Po aq domethënëse është përpjekja për të sendërtuar “blloqe” shtetesh brenda arenës së gjerë ndërkombëtare, me disa reminishenca të Luftës së Ftohtë, e cila është një paralele që është përdorur shpesh nga mjaft analistë.

Brenda këtij prizmi duhet parë edhe iniciativa e administratës Biden për të organizuar “Samitin për Demokracinë”. Kjo platformë, takimi i parë i së cilës është planifikuar për në 9-10 dhjetor 2021, synon të ulë në tavolinë mbi 100 shtete të cilat konsiderohen demokratike ose në rrugën drejt demokracisë. Duket se kjo është përpjekja më substanciale për të realizuar ndarjen për të cilën ka folur presidenti amerikan Joe Biden që gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2020.

Vlerësimi i bojkotit si mundësi për të delegjitimuar ndërkombëtarisht Kinën është interesant edhe për faktin se tregon një vijimësi në politikën amerikane ndaj Kinës. Në fakt, një ide e tillë do të dukej krejt e natyrshme, për të mos thënë e pritshme, nga ish-Presidenti Trump, mandatin qeverisës të të cilit e karakterizoi një antagonizëm i fortë, verbal dhe me vepra, me Kinën.

Ndërkohë që Presidenti Biden tashmë po i afrohet një-vjetorit të qeverisjes, nuk ka pasur asnjë ndryshim qasjeje ndaj Pekinit. Është e rëndësishme të vërehet edhe një shtytje e administratës nga ana e Kongresit amerikan, që kërkon gjithmonë e më shumë presion ndaj Kinës. Në fakt, kjo analizohet dhe në deklaratën e fortë të Kongresmenit Gregory Meeks, Kryetarit të Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ishte i pari që shprehu kënaqësinë dhe përgëzimin e tij për vendimin e bojkotit të Lojërave Olimpikë Dimërore.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa e efektshme do të jetë strategjia e bojkotit. Thirrja e administratës Biden për bojkote të ngjashme edhe nga vende të tjera, e përsëritur edhe nga Kongresmeni Meeks në deklaratën e tij, ende nuk ka marrë përgjigje të gjerë. Disa vende aleate të SHBA, si Kanadaja, kanë thënë që po e vlerësojnë situatën, por nuk kanë shprehur një qëndrim konkret.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian, një nga partnerët më të afërt të SHBA, ka mbajtur një qëndrim të ftohtë. Stefano Sannino, drejtuesi i shërbimit diplomatik të Bashkimit Europian, u shpreh jo më larg se javën e kaluar se bojkotet ishin çështje për vetë vendet anëtare dhe se nuk kishte një politikë të përbashkët të Brukselit. Vlen të kujtohet këtu se disa vende anëtare të Bashkimit Europian, si Hungaria, kanë treguar qartësisht se janë të përkushtuara për të kultivuar marrëdhënie me Pekinin, pavarësisht presioneve të vendeve të treta.

Sidoqoftë, gjasat janë që këto lojëra olimpike të shënojnë një moment referencë për të parë në të ardhmen shkallën e konfliktualitetit të rritur në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht ato do shërbejnë për të përcaktuar shpërhapjen e këtij konfliktualiteti në sfera të shumëfishta, duke mos anashkaluar sportin. Për fat të keq, politizimi i përsëritur të eventeve sportive rrezikon të kthehet në normalitet dhe në një bumerang që nuk do ndalet këtu. Akte të tilla janë shprehje se tensionet dhe kontraktimet ndërkombëtare fatkeqësisht po ngrenë nivelin e tyre dhe dimensionohen më tepër.

Related Posts

Leave a comment