Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Arrestimi i ish ministrit Koka, opozita mbështet SPAK-un në thellimin e hetimeve

Lefter Koka

Në Shqipëri, një ditë pasi ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua nga SPAK për korrupsion, opozita deklaroi se ai është vetëm maja e ajsbergut të një rrjeti të gjerë zyrtarësh të përfshirë në aferën e inceneratorëve, që shkon deri në krye të qeverisë.

Partia Demokratike shprehu mbështetje të plotë për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që të thellojë hetimet për këtë abuzim të rëndë me financat publike, ku janë përfshirë një seri bashkiakësh, ministrash dhe zyrtarësh të niveleve më të larta.

Një ditë pas arrestimit të ish ministrit të mjedisit për korrupsion dhe shpërdorim detyre me procedurat dhe kontratën e koncensionit të impiantit të mbetjeve urbane në Elbasan, opozita tha sot se ky është vetëm fillimi i një rrjeti korrupsioni, që shkon deri në nivelet më të larta qeveritare dhe ka përfshirë disa ministra dhe bashkiakë të tjerë socialistë.

Përfaqësues të Partisë Demokratike theksuan se ish ministri i arrestuar Lefter Koka është maja e ajsbergut të një afere korruptive të jashtëzakonshme, ku mafia e plehrave ka grabitur miliona euro, duke shkelur çdo ligj me ndihmën dhe lehtësirat e të gjithë piramidës qeveritare.

Përkrah drejtuesit të Partisë Demokratike, Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët Jorida Tabaku, tha se ngjashëm me aferën korruptive me inceneratorin e Elbasanit janë edhe dy inceneratorët e tjerë në Fier dhe Tiranë, të tre së bashku kontrata që shkojnë në afro 400 milionë euro.

Ajo theksoi se shkeljes së procedurave dhe nënshkrimeve të kontratave ne rastin e Elbasanit ia hapi rrugën me nxitim të madh vet qeveria, duke I kryer të gjithë procedurat brenda ditës.

Zonja Tabaku renditi emrat e ish kryetarit të bashkisë, Qazim Sejdini, biznesmenit Klodian Zoto dhe ish ministrit Lefter Koka, të cilët filluan vargun e një serie shkeljesh ligjore, ku u përfshi me zell e gjithë qeveria, duke përmbyllur brenda 24 orëve 17 procedura dhe dokumente voluminoze për impiantin e Elbasanit.

Nga ana tjetër, qeveria dhe shumica socialiste ende nuk kanë reaguar për arrestimin e ish ministrit Lefter Koka, megjithëse ai ishte ministër i mjedisit 4 vjet në qeverinë e majtë PS-LSI dhe në zgjedhjet e fundit e ftuan të kandidonte në për deputet i PS-së në Durrës, mandat që e dorëzoi sapo e fitoi.

Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, një nga emrat më të lakuar nga media dhe opozita për përfshirje në këtë aferë korruptive, deklaroi sot se përgjegjësitë janë individuale.

Edhe kryeministri Edi Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim sot në përgjigjen e dhënë një qytetari përmes Facebook, se “çështja e ish-ministrit me SPAK-un është çështje individuale” dhe se “Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt”.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ish ministri i financave Shkëlqim Cani u shkarkua menjëherë sapo refuzoi të nënshkruante këtë aferë, dhe pasuesi i tij, ministri i ri Arben Ahmetaj i firmosi pas pak ditësh të gjitha dokumentet që i hapnin rrugën mafies së plehrave.

Po aq të përfshirë në aferat e 3 inceneratorëve, sipas tij, janë Damian Gjiknuri, Erjon Veliaj, Edi Rama.

Zoti Basha tha se opozita mbështet fuqishëm SPAK që t’i shkojë deri në fund me seriozitet këtyre hetimeve dhe të mos trembet nga presionet e mafias për ta bërë detyrën pjesërisht.

“Partia Demokratike shpreh mbështetjen më të plotë për hetuesit dhe prokurorët që patën guximin për këtë arrestim dhe nisjen e kësaj çështjeje, megjithëse kanë patur presione të jashtëzakonshme nga mafia. Ata duhet të thellojnë hetimet me profesionalizëm dhe të mos tërhiqen pavarësisht se nëpër procedura hetimi do t’i përballë me zyrtarë shumë të lartë që janë përfshirë në këtë aferë kriminale korruptive” – tha zoti Basha.

Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua dje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për shpërdorim detyre dhe korrupsion me procedurat, kontratat dhe ndërtimin e inceneratorit të mbetjeve urbane të Elbasanit, e cila shkonte në 21.6 milionë euro.

Ish ministri Koka, thuhet në njoftimin e SPAK, ka kërkuar dhe ka marrë nga dy shoqëritë përfitime monetare të tërthorta, duke krijuar me disa shoqëri të tjera skema fiktive për punime të pakryera, për të mbuluar korrupsionin e tij.

SPAK ka lëshuar dhe dy urdhëra arresti të tjera, për Klodian Zoton dhe Stela Gugallën, të dy të shpallur në kërkim, ndërsa janë vënë nën sekuestro aksionet e tyre në kompanitë që administrojnë./VOA/

Related Posts

Leave a comment