Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shqipëria e nis Ligën e Kombeve me një duel të fortë, pret Rusinë në “Air Albania”

Albania_celebrate_their_goal_against_Belarus_AlbaniaBelarus_nov2020

Shqipëria është rritur si skuadër nën drejtimin e trajnerit Edi Reja dhe falë prurjeve të reja ka siguruar një imazh pozitiv dhe natyrisht pritshmëri edhe më të mëdha. Edhe pse ka ende shumë punë për të bërë që të arrihet një objektiv madhor, duhet thënë se në kualifikueset e fundit, ato për Kampionatin Botëror “Katar-2022”, kuqezinjtë regjistruan rezultate të mira dhe një vend i tretë që shënon arritje dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Në grup ka elementë cilësorë, por edhe të rinj të talentuar që mund të tregojnë vlerat e tyre në kualifikueset e ardhshme, duke nisur nga Liga e Kombeve që do të nisë në qershor të vitit 2022. Ndeshja e parë e Ligës së Kombeve për kuqezinjtë do të jetë ndaj Rusisë dhe kjo është diçka emocionuese, sepse rivaliteti është i madh, por në grup të vështira janë edhe skuadrat e Izraelit dhe të Islandës.

Kalendari na jep të parën Rusinë

Ditën e enjte u hodh shorti i Nations League aty ku në Ligën B merr pjesë edhe kombëtarja e Shqipërisë. Kuqezinjtë patën një short i cili mund të konsiderohet pozitiv teksa do të luftojnë për vendin e parë në grup me kombëtare si Rusia, Islanda dhe Izraeli. Ndërkaq, sot është mësuar edhe kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë, teksa të besuarit e trajnerit Edi Reja do ta nisin këtë rrugëtim më datë dy qershor në shtëpi, ndaj Rusisë. Pas katër ditëve, kuqezinjtë do të udhëtojnë në transfertë për të luajtur ndaj Islandës, ndërsa më datë 10 qershor Shqipëria rikthehet në shtëpi për të pritur Izraelin. Ndërkohë, në fund, kuqezinjtë do ta mbyllin këtë rrugëtim më datë 27 shtator në shtëpi ndaj Islandës.

Përplasja me Rusinë

Rusia është një skuadër cilësore dhe e vështirë në grupin ku bën pjesë përfaqësuesja kuqezi. Me Rusët nuk është se jemi ndeshur shpesh. Na kanë mundur në Vollgograd me rezultatin 4-1, por i kemi mundur në vitin 2003 në Shkodër me rezultatin 3-1, ku kanë shënuar Rraklli, Lala e Tare. Duhet thënë se në atë periudhë trajner ka qenë gjermani Brigel dhe ndeshjet janë zhvilluar në kuadër të eliminatoreve të Europianit të vitit 2004. Rusia është skuadër e fortë dhe e vështirë dhe ndoshta është ekipi pretendent për vendin e parë në grupin tonë, por besohet e kuqezinjtë e trajnerit Edi Reja kanë pjekuri të mjaftueshme për ta përballuar me dinjitet. Duke nisur nga kalendari, duhet evidentuar fakti se rezultati i këtij takimi është shumë domethënës për pozitat në grup, prandaj do të kërkohet një fitore e madhe në “Air Albania”, njëlloj si atëherë në Shkodër në vitin 2003.

Ekipet e tjera

Islanda dhe Izraeli nuk janë skuadra të panjohura për përfaqësuesen tonë. Me Islandën jemi përballur e kemi humbur në kuadër të eliminatoreve të Botërorit të vitit 2014, kurse me Izraelin jemi përballur në kuadër të Ligës së Kombeve në edicionin e parë të tij. Me izraelitët jemi përballur edhe në kohën e De Biazit, ku morëm një fitore në transfertë, por ama humbëm rëndë 3-0 në fushën tonë. Kurse me islandezët do të kemi vështirësi sepse ata janë të fortë dhe me përvojë, por nuk e kanë më atë kualitetin dhe efikasitetin e disa viteve më parë.

Related Posts

Leave a comment