Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PSE ME NE DHE JO ME ATA?!

269908406_5008801522485343_671712376276252197_n

Nga Stefan ÇAPALIKU-

1.
Që prej vitit 1992, pra që në kohën kur edhe këtu ra komunizmi, fituam edhe ne lirinë e fjalës dhe të protestës. Me këtë rast fati i familjes sonë ndërroi kryekëput. Nuk qemë më fshatarë pa kurrgjë mbas shpirti. Erdhëm edhe ne në qytet. Diku anash Tiranës. Nuk kishte emër ai vend. Edhe sot që jemi bërë shumë shtëpi, vendin e thërrasin te “Ura numër 8”. Pra, kur më pyesin prej nga jam detyrohem t’i them se jam banor i “Urës numër 8” dhe kur dikush do të dijë diçka më tepër rreth vendbanimit tim, atëhere i them se banoj ngjitur me “Urën numër 7”.
Siç jua thashë pra, kur erdhëm ishim të varfër sa s’kishte ku të shkonte më. Por kjo gjendje për fat zgjati vetëm rreth dy muaj. Zgjati kaq pak sepse demokracia që po instalohej në vend kishte nevojë për puntorët e vet. Kësisoj gjënë e parë që mësuam qenë protestat. E thëne troç, familja jonë u punësua ndër protesta dhe demonstrata.
Në protesta na jepnin lekë. Ngandonjëherë edhe mallë, si puna e thasëve me miell, makaronave, sheqer, vaj, shkrepse, etj., por ne preferonim lekë. Dinim vetë pastaj se ç’bënim me to.
Protestonim për gjithçka, por kryesisht për llogari të partive politike. Pastaj kishte raste kur ngrinim zërin edhe në mbrotje të drejtave për integrim të ish të përndjekurve politikë, për llogari të sindikatave të pavarura, për hesap të shoqatës së të verbërve, për mbrojtjen e votës së lirë, për çështjen e Çamërisë dhe deri edhe për çështjen e të drejtave të njeriut.
Ishim shtatë djem dhe një motër, Sabaheti. Nëna na kishte bërë në krye të çdo viti. Nuk e di tamam sesi thuhet: – më i madhi nga ne ishte motra, apo më e madhja nga ne ishte motra? Por gjithsesi, nëna e kishte nisë me një motër, prandaj im atë qe nevrikosur dhe s’kish ditur të ndalej në kërkim të djalit, derisa i kishte rënë infrakt, ndërsa gjendej mbi të gjorën nënë. Nëna tregonte se kur e varrosën tim atë kishte turp të shpjegonte nga se vdiq. Vdiq duke na siguruar bukën e gojës, kishte nxjerrë fjalë nëna.
2.
Por le të kthehemi edhe njëherë te familja e mbetur. Fëmija i parë mashkull qe Selimi, i dyti Sabahu, i treti Salihu, i katërti Sabriu, i pesti Sadiku, i gjashti Satedini dhe i shtati unë, Saimiri. Edhe kjo puna e emrave kishte mbetur njëfarë misteri, pse të gjithë thirreshim me “S”. Nënës nuk i kujtohej ky detaj. Babai nuk qe më, që ta pyesnim, kështu që mbetëm pa e shuar atë kuriozitet. Ende të etur për dije, me një fjalë.
Siç ju thashë në krye, kur erdhëm në Tiranë më 1992, Selimi ishte 23 vjeç, kurse unë i shtati, shtatëmbëdhjetë vjeç. Në mesin tonë vërdalloseshin ata të tjerët. Kamioni që na solli mbante në kabinë shoferin, nënën dhe motrën. Ne të shtatë rrinim në rimorkio me dy dërrasa, tre thasë çemento, 18 blloqe betoni, dy batanije dhe një kovë. Kaq qe e gjitha. Pra më pak fjalë çdo gjë e nisëm nga zero. Me rëndësi, siç thoshte edhe nëna, ishte se jetonim me djersën e ballit dhe nuk i kishim borxh askujt.
Më kujtohet si sot se në protestën e parë na çoi Marku, pergjegjësi i grupseksionit të Partisë së Gjelbër dhe pastor i kishës së të “Shtunës në darkë”. Protestuam për kthimin e pronave të kishave dhe xhamive. Me këtë rast kisha e re e Markut mori dy dhoma te ish qendra shëndetësore.
Zakonisht ne shkonim që të shtatë nëpër protesta, derisa erdhi një ditë që dikush ia rrejti mendjen Selimit të bëhej polic. Polic ishte zanat i mirë për Selimin. Kishte rrogë, qe i siguruar dhe ç’ishte më e rëndësishmja, hante në mensë. Kur hyri Selimi polic u duk sikur rripit të shtëpisë iu lirua një vrimë. Nisëm të merrnim frymë paksa më lehtë.
3.
Mirëpo e keqja më e madhe ndodhi kur ne, gjashtë të tjerët, po shkonim për të protestuar para kryeministrisë, në mbrojte të drejtave të grave punëtore, me datën 8 mars të vitit 1993. Ishim që të gjashtë në ballë të protestës, se na kishin paguar mirë disa burra të një shoqate suedeze. Kur ç’të shohim?! Në rreshtin e parë të policëve, me shkopinj gome ndër duar, rrinte Selimi. Njoha buzëqeshjen hakmarrëse të tij, që më qe fiksuar që i vogël, kur i pata marrë djathin bebe nga pjata. E mbaja mend atë të rrahur gjer më atë çast, kur nisi e rrahura tjetër, kjo më e rrepta, kjo me shkop gome. Siç u mor vesh më vonë, Selimi i kishte rënë me shkop gome edhe Sabahut, Salihut dhe Sabriut. Vetëm Sadiku me Satedinin kishin shpëtuar paq.
Merret vesh se sherri që u bë në shtëpinë tonë ishte i madh. Po si more burrë i re sa munde me shkop vëllezërve të tu?! Po a të erdhi ndopak marre?! Këto ishin pyetjet që i bëri nëna në darkë vonë, kur Selimi u kthye nga puna. Pastaj ajo, siç e kishte pjatën e kosit, ia dha Selimit kokës. E bëri gjak. Që prej asaj nate Selimi u nda prej nesh dhe shkoi të flinte në repart.
Mirëpo kjo punë kishte qenë vetëm fillimi, sepse disa javë më vonë u bë polic edhe Sabahu, i dyti. Sabahu kish kërkuar vetë të shkonte në të njëjtin repart me vëllanë e madh. Kështu që, më 1994, kur ne vajtëm të protestonim për llogari të shoqatës së minoriteteve, që na dhanë nga një kuti pesë litërshe me verë “Vranac” dhe nga një stekë me cigare “Papastratos”, i gjetëm të dy në rrjesht të parë. Kësaj radhe ata rrahën vetëm Sadikun me Satedinin, që kishin shpëtuar nga rrahja e parë dhe natyrisht mua.
4.
Dhe kështu skenat nisën t’i ngjanin pikave të ujit. Familja po përjetonte një skemë zhvillimi social-ekonomik në formë spiraleje. Rrathët përsërisnin njëri-tjetrin, por në një nivel gjithnjë e më të lartë. Si susta, pati dashur ta shpjegonte Sabaheti skemën në fjalë, por nuk e la nëna të vazhdonte, sepse në atë çast asaj i ngeli në fyt një kockë pule, nga e cila edhe vdiq.
Në vdekjen e nënës nuk erdhën as Selimi, as Sabahu dhe as i treti, Salihu, që sapo qe mobilizuar polic në të njëjtin repart. Të tre ata i kishin dërguar të shtypnin një protestë në Vlorë, ku demonstrohej kundër ndërtimit të ujësjellësit që do furrnizonte Brindizin dhe Leçen.
I katërti prej nesh, Sabriu, u dorëzua polic, pa pritur që të ktheheshin vëllezërit nga Vlora. Kjo ngjarje natyrisht që prishi ekuilibrat në familje. Qenë bërë katër që shtypnin protesta dhe tre që protestonin. Do ju bashkohem unë ju, tha Sabaheti dhe bëhemi katër me katër. M’u dhimbs. Ishte hera e parë që ime motër më dhimbsej në shpirt. Doja njëherë t’i thonja: shko moj motër e kap ndonjë mashkull më mirë sesa të mendosh për këto punë, por thashë se mos e bënte rrugë, dhe e lashë në të veten.
Por tani mbas shumë vitesh, mbasi që u bënë policë edhe Sadiku me Satedinin, kemi mbetur veç unë me motrën në shtëpi. Unë çoku dal ndonjëherë në protesta, kurse Sabaheti shkon përditë te kisha e së “Shtunës në darkë”.
Tiranë, 2021
Marre nga libri “Tregimet e tranzicionit”

Related Posts

Leave a comment