Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Afera e incerenatorëve, i gjithë shteti në krim

Inceneratori-i-Elbasanit-906

Absurdi i madh: Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku justifikohen se shteti ka detyrime kontraktuale ndaj koncesionarit dhe se ndërprerja e pagesave do ta ekspozonte qeverinë përballë arbitrazhit.  

Një burrë përdhunon një grua. Policia mbërrin në vendngjarje teksa akti i përdhunimit është duke u konsumuar, por nuk ndërhyn. Pret derisa autori ta çojë deri në fund përdhunimin sipas parimit; tani që hyri ta ndihmojmë dhunuesin të arrijë orgazmën. Ndjesë për banalitetin, por kjo është ajo që po bën qeveria me inceneratorët. Në këtë rast përdhunuesit janë pronarët e inceneratorëve, ndërsa viktima që po përdhunohet është publiku.

Vazhdimi i pagesave nga buxheti për inceneratorët, teksa pronarët e tyre janë në kërkim është një gafë e paprecedentë ligjore e atyre që po e bëjnë. Arsyet se po e bëjnë meritojnë të hulumtohen. Ndoshta nuk e dinë se çfarë janë duke bërë, ose ndoshta kanë arsye të tjera. Por financimi i inceneratorëve tani është thellim i krimit dhe përfshirje e të gjithë shtetit në krim.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku justifikohen se shteti ka detyrime kontraktuale ndaj koncesionarit dhe se ndërprerja e pagesave do ta ekspozonte qeverinë përballë arbitrazhit. Por ky është një absurd i madh.

Nga ana juridike një kontratë korruptive është “void ab initio”. Pra një veprim juridik që nuk ka asnjë vlerë, që nga fillimi. Koncesionet e inceneratorëve kanë rënë. Rrjedhimisht çdo detyrim apo angazhim kontraktual që e lidh qeverinë me koncesionarin tashmë është nul.

Dhe ka një precedent shumë të freskët për këtë. Afera e Unazës. Kur u zbulua falsifikimi i firmës së sekretarit të shtetit në Delaware, qeveria e kishte lidhur kontratën me kompaninë DH Albania për ndërtimin e mbikalimit. Por sapo shpërtheu skandali, ARRSH u detyrua ta anullojë menjëherë kontratën. Nuk guxoi askush të financonte qoftë edhe një qindarkë.

Llogjika që qeveria po përdor për inceneratorët sot, është njësoj sikur të financohej mbikalimi i unazës me argumentin se ishte lidhur kontrata dhe vepra ishte ajo e duhura që do të zgjidhte trafikun. Por pse DH Albania nuk shkoi në arbitrazh kur ARRSH anulloi kontratën e unazës? Sepse nuk ka gjykatë në botë që të kërkojë respektimin e një kontrate korruptive.

Së dyti, argumenti tjetër i qeverisë se veprat janë ndërtuar dhe tani i përkasin qytetarëve është po ashtu një absurd tjetër i madh. Madje kryeministri shkon deri aty sa të thotë se është krenar për inceneratorët. Por ka një pyetje që e lëkund fort krenarinë e qeverisë.

Nëse pronarëve të inceneratorëve u kanë dalë paratë që të paguajnë bakshishe, ashtu siç thotë prokuroria, me çfarë çmimi janë ndërtuar inceneratorët? A mundet një qeveri të jetë krenare për një vepër, e cila sipas prokurorisë, u ka kushtuar qytetarëve shumë më tepër se sa kostoja e saj reale?

Dhe e gjitha kjo që po ndodh lëkund seriozisht edhe alibinë e fundit të qeverisë. Atë që korrupsioni është individual. Vazhdimi i pagesave për inceneratorët pasi ata janë në sekuestro është në fakt përfshirje e të gjithë shtetit në krim./MCN -Nga Klodian Tomori/

Related Posts

Leave a comment