Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Albumi i ri “Palimpsest” Poradeci i Heine

Capture

Nga Eda ZARI-

“Palimpsest

Lasgush Poradeci dhe Heinrich Heine

Jeta ime është një palimpsest, kështu është dhe´jotja!

“Ç’është truri i njeriut përveçse një palimpsest kolosal? Truri im është një palimpsest i tillë” – kështu Thomas De Quincey në “Libra – Suspiria de Profundis“. Kjo metaforë vlen për zemrën, poezinë dhe muzikën! Pergamenat dhe letrat e shkruara rishtas u quajtën palimpsest. Ky kompleksitet është karakteristika kryesore e albumit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, të Eda Zarit quajtur “Palimpsest”. Pas pesë vitesh Eda Zari kthehet me një album të ri – si gjithherë – konceptual. Ndryshe nga dashuria e epërme për të cilën John Coltrane në suitën e tij “A Love Supreme” shpreh muzikalisht qëllimin e tij – të jetonte jetën e vërtetë fetare, qëllimi i Eda Zarit është të shkruajë një vepër muzikore shpirtërore mbi poezinë lasgushiane që mbart konceptin kozmik, atë më të epërmin, të cilën Poeti e quan Dashuri. Muzikalisht Eda Zari ndihet si në shtëpinë e vet në varietetet e xhazit, muzikës kinematografike dhe world music. Për nderimin e vargjeve të Lasgush Poradecit, ajo zgjodhi një fjalor të saj melo-ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet e poetit në muzikë.

 

Pse Palimpsest? “Me Palimpsest, dua të rrumbullakos bollëkun e shqipes së Lasgushit në bashkekzistencë me vokabularin e ri melo-ritmik akustik ngritur në nivelin e këngës. E kaluara bëhet e pranishme në të tashmen duke u rishkruar dhe si këngë që të ndërmendet lehtazi mëngjeseve apo si lajtmotiv mes dy njerëzish premtuar njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës, “Palimpsesti” mund të shtojë shtresa të reja në vetvete. Ky koncept dhe efekt na lejon të përjetojmë njëkohësisht të kaluarën në të tashmen dhe të tashmen në të kaluarën, përmes ndarjes dhe qepjes se kujtimeve, gjuhësisë, fjalës dhe tingullit në kohë dhe hapësirë. Përmes muzikës rishkruajmë biografinë tonë me fjalët e poetit, ndjesinë e shijes si “tingëllon dashuria” ose si kompozohet “dhimbja e lamtumirës”. Albumi mund të “shfletohet” si një libër tingullor. Muzika “lexohet” sikundër poezia “këndohet”! Lexon tingullin, përjetimet i këndon si një koleksion biografik, si një histori e vazhdueshme dehëse. “Palimpsest” duket sikur i flet bërthamës së konceptit të albumit tim, i cili ngrihet mbi një triangël biografik mes meje, Lasgushit dhe Heines. Është kjo trio krijuese në ekzil – e ndarë dhe lidhur në një trini kohore – e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Për mua, bukuria e muzikës është se ajo ekziston me dhe përtej çdo mesazhi verbal. Pastaj, çfarë dëshmish të tjera mund të gjejë një poet për suksesin e vargjeve, apo muzikëthurësi për kompozimet, përveç përputhshmërisë muzikore të tonit me fjalën?” – thotë Zari. Duket sikur kjo pyetje qe njëkohësisht përgjigjja e denjë për t’i dhënë Eda Zarit shtysën finale të ngrejë shtyllën e albumit. Disa paralele dhe devijime historike mes Llazar Gushos dhe Heinrich Heine i përforcuan poaq Zarit idenë për realizimin e një albumi jo vetëm me poezitë e Lasgushit, por dhe shqipërimet e tij nga “Libra e Këngëve” të poetit të madh gjerman. Natyrisht e gjitha kjo në emër të parimeve humaniste të artit – manifestimin e marrëdhënies midis poezisë me muzikën, si dhe dygjuhësisë brenda një ideje – si përgjigje specifike ndaj rrethanave të muzikës dhe poezisë – bashkëjetesës së sotme multikulturore – linguistike. “Tek Heine dhe Lasgushi ndiej pasqyrimin e tingujve shpirtërorë përkthyer në vargje. Vargjet e poetëve dëftejnë për tronditjen e këngës së tyre të brendshme. Ndaj Lasgushi fal mesazhin e ngulmit të tij për këngën e re: – “Që nga fund i vetëvetës do të këndoj një mall të ri”. Ndonjëherë kur ndodhte – poezinë e Lasgushit t’ma lexonin apo recitonin qoftë në distancë telefonike apo më drejtoheshin dashurisht përmes vargjeve të tij, fjala vjen: “Ti po vjen që prej së largu …”, “Se të gjeta grua, prandaj…”, ngjyrën e melodisë menjëherë e orkestroja në kokën time si një kolonë zanore, por duke i qëndruar larg elementit etnik, pa shumë përfshirje folklorike qoftë ritmike, melodike apo harmonike. Melodinë e emocionit të vargut të Lasgushit e shikoj krejtësisht si një ngjarje filmike apo një fotografi që rrëfen copëza biografike të Poradecit në Graz, Köln, tek Liqeri, në Bukuresht, shoh ambientet, personazhet, gruan, mizanskenat… apo netët vetmitare të hebreut Heine teksa sillet në ekzil në “Kryeqytetin e Revolucionit” apo në “Panteonin e të gjallëve” siç e quante ai Parisin – andej prej nga ai i shkroi zhgënjimit, urrejtjes, dashurisë dhe mallit për Dyseldorfin – vendin e tij të lindjes! Ndaj, kujdesi maksimal, porosia dhe thelbi i melodisë është krejtësisht i varur nga komponentët përmbajtës të fjalës. Fjala ndikon në vokalin tim, akcentuimin tonal, frazimin, koloritin intim përmes segmenteve a cappella dhe recitativës lirike për t’i dhënë vërtetësinë e nevojshme këngës së Poetit. Kësisoj fjala bëhet më e qëndrueshme e çimentuar me tingullin”- shprehet Zari. Simbolika mbresëlënëse që përçon “Palimpsesti” është vendosja e kujtimeve të zemrës dhe mendjes në një fill të kuq tingulli. Është fjalori muzikor i rishkruar mbi fjalorin poetik, është rroba e dashurisë që Eda Zari i mvesh, me zërin e saj, fjalës lasgushiane. Artistja në bashkëpunim me Henning Jung dhe Leon Brückner, përmes kompozimeve të reja, na shpie me “Palimpsest”, në një udhëtim brenda shpirtit – plot kalesa malli, shprese, ndarjeje, humbjeje, rigjetjeje – përmes fizikes dhe shpirtërores. Një udhëtim ku fjala rishkruhet me muzikë jo vetëm në formën e një partiture por dhe ekzekutohet, këndohet. Poezia gjallohet përmes tingullit sa herë ajo luhet e rikëndohet, duke prodhuar akustikë që e ridimensionon veprën, duke vajtur krejtësisht në të përfundmen e re. Poradeci thotë: “…Esenca e poezisë lirike është muzika shpirtërore, dhe muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror, dhe tonin shpirtëror e bën drithma shpirtërore, lëkundja, tronditja shpirtërore – kurse tronditjen shpirtërore, domethënë, me një fjalë neologjie, emocionin shpirtëror e bën as më shumë e as më pak përveç se frymëzimi i brendshëm poetik i cili duket ndjehet dhe kuptohet prej vetiu dhe drejt-për-drejt në transfigurimin emocional të idesë ose ndjenjës ose pamjes aktuale të poetit…”

_________________________ Koncepti dhe përbërja Sfida për t’u dhënë zë poezive – shpesh të ripunuara e të rishkruara nga Llazari, ishte një ndërmarrje e guximshme për ta nisur këtë cikël këngëzimesh në drejtime të ndryshme muzikale, jo doemos vendosur brenda një zhanri të emëruar. Përgjatë një procesi trevjeçar – përfshijmë këtu edhe përballjen me pandeminë – arritëm të ekspozojmë shumë shtresa dhe ngjyra të poezive për t’i përdorur ato në formë muzikore. Poezia e Lasgushit si dhe poezitë nga “Libra e Këngëve” përkthyer mjeshtërisht nga Lasgushi, janë jo vetëm për mua një frymëzim etjedhënës por dhe vetë artistët pjesëmarrës në këtë album – shprehet Zari. Përmes koreve polifonike të Zarit, figurat ripetitive luajtur në kitarë nga ithtari i muzikës ripetitive Henning Jung, larushia e ritmeve të perkusionistit Rhani Krija (Sting), dhe balafoni – e rrëmben dëgjuesin në peizazhe tingujsh e ritme vitale. Ideja e motiveve ripetitive vjen si binjakësi nga vetë lloji i vargut të poezisë. Ripeticioni ndryshon mënyrën se si shpesh dëgjuesi orientohet jo vetëm prej fjalës por edhe drejt tingullit. Kjo tendencë e tërheq dëgjuesin në një qëndrim pjesëmarrës në mënyrë që të imagjinojë atë energji ritmike apo fjalë para se të ndodhë. Bazuar në bindjet estetike kompozitoriale të muzikës kinematografike, orkestruesi nis qëllimshëm baladat me instrumentin e bandoneonit – luajtur nga nxënësi i të madhit bandoneonist argjentinas Dino Saluzzi, Santiago de Arias nga Buenos Aries. Me lojën e tij – a piacere, tip “Tango Nuevo” – Arias pikturon padurimin e dy poetëve, si dhe e pasuron ansamblin e harqeve me një prekje nostalgjike melankolike të rrallë. Këto forma introduksionesh krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë me dëgjuesin – si p.sh.. tek “Morgens steh´ ich auf und frage” duke i lënë vend duetit nënë e bir (Eda Zari dhe Henning Jung), kënduar në gjermanisht dhe shqip. Secili në interpretimin e vet, përmes zërit, ata ekspozojnë esencën e pritjes dhe mospasjen për “dikë” që s’e kanë pranë. Mbresëlënëse janë baladat “Ewigkeit”- Përjetësia II dhe “Prandaj”! Pianisti – Maestro Frank Chasternier bazohet në teknikën improvizuese duke luajtur me minimalizëm pianistik dhe elegancë harmonike që magjeps dhe të befason bukurisht deri në koda. Duket se Eda Zari dhe muzikantët e saj të mirëzgjedhur, duan t’i rrinë maksimës – mos i nënshtrohen verbërisht vetëm një zhanri muzikor për të mbërritur tek saktësia e mesazhit poetik.

– “Line up” – i klasit të lartë! “Për zhvillimin muzikor të albumit përtej aspekteve të tjera konceptuale më ishte e rëndësishme, në retrospektivë, të dëgjoja kujdesshëm të gjithë albumet e mia të shkuara. Mandej personalisht dëgjoj shumë muzikë kinematografike e që e kam dhe pjesë të punës sime. Kushdo që merret intensivisht me marrëdhënien midis poezisë dhe muzikës, e sidomos atë të muzikës së filmit e njeh vështirësinë e hedhjes së mendimeve në tingullin e imazhit që ecën. Në entuziazmin tim për filmat dhe sidomos muzikën e filmit nuk e lëshova për asnjë çast idenë e krijimit të një anijate muzikantësh prej nga krijohet tingulli kinematografik, ku fjala e Lasgushit ngrihet mbi mjedise minore-manoxhere, ku vende, ngjarje, gruaja, mikja përsoset nga tingulli. Për këtë solla në bordin e muzikantëve pianistin tim të preferuar, estetin e tingullit pianisti Frank Chasternier, të mirënjohurin perkusionist maroken Rhani Krija – i cili është i gjithëpranishëm në albumet e mia, kontrabasistin virtuoz Martin Gjakonovski, trumbetistin nga Berlini Sebastian Studnitzky, bateristin nga New Yorku Jochen Rückert, bandoneonistin e shkëlqyer nga Buenos Aries Santiago de Arias, basistin belg Nicolas Fiszmann, kitaristin Henning Jung – që njëkohësisht është edhe im bir, si dhe grupin e harqeve dhe të tunxhit nga IMM Dyseldorf. Ky miks muzikantësh kolorizon tingullin e filmit të poezisë së Poradecit si dhe pasqyron poaq stacionet e mia kulturore midis Gjermanisë dhe Shqipërisë e më gjerë.”

– Si vishet fjala me tingull? Edhe pse “përkthimet e teksteve të Poradecit në gjermanisht janë zakonisht të dënuara të dështojnë” – shprehet Hans Joachim Lanksch – duket se Eda Zari me zërin dhe muzikën e saj merr përsipër “përkthimin” e këtyre teksteve për dëgjuesin jo vetëm gjermanofon por dhe me gjerë, duke i bërë ato të kuptueshme për dëgjuesin, të cilit nuk i mjaftojnë klishetë e turbo-folkut ballkanik. Proceset e të menduarit të teksteve shndërrohen në emocion përmes vokalit unik të Zarit dhe instrumentistëve të saj. Kështu poezia bëhet e prekshme përtej gjithë kufijve kulturorë dhe kohorë. Aranzhimet janë dizajnuar në atë mënyrë që, përveç zërit të këndimit, të përdoren kryesisht instrumente akustike.

– Të realizosh një album në kushte të pazakonta! “Të qenit vetmitare në studio, të kënduarit pa praninë e kolegëve, e rriste më fort ndjesinë e mospasjes dhe mallit për të krijuar së bashku. Këngët gjegjësisht fjalosin për mall-dashurinë, ndaj dhe ajo çka vjen prej tingullit dhe frymës sime tek dëgjuesi, është dëshira për t’u parë përsëri, për të bërë së bashku muzikë me kolegët, për t’i thurur lavde dashurisë mes publikut – me publikun. Kjo është dëshira më e madhe që kam tani. Kjo është arsyeja pse insistova pro idesë, për të bashkuar kolegët në kohën e COVID-19 në këtë mënyrë, për të kapërcyer të gjitha barrierat dhe për të ndarë diçka shpirtërore së bashku. “Palimpsest” në thelb mund të shihet edhe si shumë “deklarata” personale dashurie e malli, kënduar e rikënduar, thënë rishtazi në kohët e koronës e post koronës. Të gjithë ata që u përfshinë në këtë album, rrallë apo kurrë nuk u takuan së bashku në studio”- kështu Zari. Por linjat e instrumenteve, luajtur nga muzikantë të mirënjohur botërorë, shtresëzuar kohë pas kohe, një pas një – krijuan një puzel me një rezultat e prodhim artistik me cilësi të lartë mbi të cilin Eda Zari dëshmon aftësitë e saj jo vetëm si vokaliste por dhe producente. Sidoqofshin kohët që pasuan, të gjitha fijet e produksionit u bashkuan tek zëri i Eda Zarit. Ajo së bashku me producentin Henning Jung dhe aranzhuesin Leon Brückner zbatuan konceptin tejet ambicioz të “Palimpsestit”. Imazhi dhe aftësia artistike e Eda Zarit rezultojnë në një mbivendosje vokale shumë autentike dhe tej unike.

“Palimpsest” kënduar në dy gjuhë Me shqipen e Lasgushit sikurse edhe në origjinal, vargjet e Heinrich Heine-s përmes zërit tingëllojnë ngrohtë, ngarkuar me një notë vetmitare por kurrsesi patetike. Po kështu tingëllon gjermanishtja e Hans Joachim Lanksch, i cili ka përkthyer poezinë e Poradecit – Ewigkeit – Përjetësia II. “Përherë më sillej pyetja: në cilën gjuhë mund të shpreh më mirë ndjenjat, mallin, humbjet, dashurinë? Në cilën gjuhë nuk ka ende aq shumë sa të më duket mjaftueshëm? Përgjatë periudhës sime në fushën e muzikës klasike, kam kënduar në shumë gjuhë: italisht, çekisht, hungarisht, latinisht. Por në kontekstin në fjalë – gjuha e Heines, vargjet e tij në gjermanisht por dhe shqipërimet e Llazarit, janë përnjëmend emocionuese, dhe përligjin dëshirën time për të mbajtur lidhur atdheun tim dhe dheun tim të dytë mes poezisë, muzikës dhe kulturës.” Eda Zari, jeton tashmë prej tri dekada në Düsseldorf – pra më shumë vite se në vendin e saj të lindjes, e megjithkëtë duket se këtij miksi kulturor këngëtarja i është fort mirënjohëse sepse i mundëson asaj të pasqyrojë poaq në muzikën e saj stacionet dhe ngjërimet kulturore midis Gjermanisë dhe Shqipërisë e më gjerë. Nuk është rastësi që Zari e ka shumë të pranishme kulturën e qytetit ku jeton, aty ku punuan dhe zhvilluan aktivitetin e tyre kompozitorët Robert Schumann, Felix Mendelssohn Bartholdy, madje vetë poeti Heinrich Heine. “Poli im i zhanrit klasik gjithëhera më ka orientuar në repertorin e këngëve të Bartholdit dhe Schumann, si dhe sjelljet e tyre muzikale bazuar në poezitë e Heines. Prej vitesh kisha kohë që merresha me korrespondencën midis Heinrich Heine dhe Robert Schumann, ku vërehen këndvështrime të kundërta në lidhje me marrëdhënien midis gjuhës dhe muzikës. Interesant për projektin tim ishte shembulli insistues – si ai i Schumann-it ndaj poezisë së Heines, dhe sfida për çuarjen e poezisë së Lasgushit në nivelin e këngës. 31 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë” brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës – Lasgush Poradeci dhe Heinrich Heine – “Jeta ime është një Palimpsest, poaq dhe e jotja” – thotë Zari! Albumi “Palimpsest” – Lasgush Poradeci & Heinrich Heine – 10 këngë për filmin e mëndjese – gjendet në Spotify, Apple Music dhe distribuimin digital world wide prej dt. 9.10 2021 dhe mund të pre-order duke nisur prej dt. 2.10.2021. Albumi analog gjedet në Vinyl 180 gram – del në treg në 20 mars, 2022 – mund të porosisni këtu./ Eda Zari – Kaba Music Records 2021

 

Leave a comment