Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ekzekutoi efektivin e Policisë pas sherrit për dritat e gjata, mbyllen hetimet për vrasjen e efektivit të Shqiponjave

xhulio-prelaa-780x405-1

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e vrasjes së efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës Xhuliano Prela, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2020 në Gajush të Lezhës. Në lidhje me këtë ngjarje janë marrë të pandehur dy përsona Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku.

Nga hetimet e kryera organi i akuzës ka dalë në konluzionin se Redion Hysa është autori i dyshuar i vrasjes, ndërsa ndaj Nikoll Shernikut është ngritur akuza “Moskallezim Krimi”. Redion Hysa bashkë me kusheririn e tij Sokol Hysa u arrestuan nga Policia e Lezhës me 28-dhjetor të vitit 2020, pasi kishin qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të karburantit kamerat e së cilit kishin filmuar vrasjen e policit.

Pas veprimeve hetimore ndaj dy të rinjeve u ngriten akuzat “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Kanosjes me armë”, ndërsa në cilësinë e proves materiale u sekuestruan 28 gëzhoja. Por më pas përgjegjësia penale e Redion Hysës, u rëndua në muajt në vijim, pasi njëra nga armët, pistoleta e gjetur në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë së tij, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela.

Ekspertiza balistike, ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajetë, efektivi i policisë. Madje ekspertët, shtojnë se edhe predha, që i ka marrë jetën punonjësit të policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës.

Për këtë fakt, Hysa është njohur me rezultatin e ekspertimit balistik dhe gjetjen e armës në depozitën e ujit tek shtëpia e tij, por ai ka preferuar të mos flasë dhe mos japë asnjë shpjegim rreth provave të siguruara nga policia dhe prokuroria.

Sipas hetimit të kryer dhe dëshmisë së punonjësve të karburantit ku ka ndodhur vrasja e Xhuliano Prelës, mesnatën e krimit rreth orës 02:00, kanë qenë dy makina njëra fuoristradë dhe tjetra tip “Golf 3”, e përshtatur për gjueti. Makina tip “Golf 3” që rroja i karburantit ka treguar qysh në 5 dhjetor në polici, aktualisht është e bllokuar dhe i përket pikërisht, Redion Hysës.

Ndërsa vetëm 23 ditë pas vrasjes së punonjësit të policisë Xhuliano Prela, pikërisht në karburantin ku dhe ka ndodhur ngjarja, është regjistruar në mesnatë një ngjarje e dytë, duke u mitrajluar me 28 plumba kallashnikovi kamioni tip “Man” dhe fasada e karburantit.

Arma me të cilën është qëlluar në këtë ngjarje ju gjend në depozitën e ujit, pikërisht Redion Hysës. Sipas burimeve të prokurorisë dhe policisë Lezhë, Hysa në këtë ngjarje ka qenë së bashku me kushëririn e tij, Sokol Hysa. Qëllimi i tyre ka qenë për të kanosur punonjësin e karburantit që ka dëshmuar se mesnatën kur u vra polici Xhuliano Prela, kanë qenë dy makina dhe jo një makinë e vetme.

Tashmë të dyja këto ngjarje, si vrasja e policit Xhuliano Prela dhe goditja me armë e karburantit ku ndodhi ngjarja, janë bashkuar në një dosje të vetme. Ndërsa prokuroria ka ngritur akuzën e “Vrasjes me Dashje” për Redion Hysën, “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” në dy raste, “Kanosje me armë” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Ndërsa për kushëririn e tij, Sokol Hysa, është ngritur akuza e “Kanosjes me armë” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.

Ndërsa personi i vetëm që qëndronte në burg, Nikoll Sherniku, është liruar nga qelia duke ju caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe se aktualisht është marrë i pandehur për akuzën e “Moskallzimit të krimit”. Briland Martinaj, i cili u shpall në kërkim qysh prej dhjetorit 2020, si autor i dyshuar i vrasjes, është lënë i lirë dhe se akuza ndaj tij, është pushuar me kërkesë të prokurorisë, pasi është arritur të provohet se nuk ka lidhje me ngjarjen. Aktualisht çështja është në gjykim paraprak dhe do të jetë gjykata që tashmë do të vendose kalimin për gjykim apo rikthimin në prokurori për plotësim hetimesh.

Leave a comment