Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Individualizmi dhe grupi primitiv

272077600_1909934205881489_4678517939717055132_n
Nga Robert MARTIKO-
Falë kulturës marksiste gjysmëshekullore që mbizotëroi në Shqipëri gjatë gjysmë shekulli, si shumë gjëra të tjera që u shtrembëruan keq, duke shndërruar vendin në gërmadha, ishte edhe trajtimi i INDIVIDUALIZMIT. U konsiderua si dele e zezë, simboli numër një i së keqes në Perëndim.
Mirëpo e vërteta qëndron shumë larg. Dhe kjo për arsye se individualizmi është doktrina që bën individin bazën e shoqërisë dhe të vlerave morale. Është një qëndrim që favorizon iniciativën individuale, pavarësinë personit në lidhje me shoqërinë. Është tendenca për tu afirmuar në mënyrë të pavarur nga të tjerët se nuk bën pjesë në një grup.
Pra, sa herë bëhet fjalë për individualizëm, duhet pasur parasysh se, si koncept, Individi, nuk ka asnjë lidhje me egoizmin karakteristik vetlavdërues e atavist të njerëzve të grupit primitiv të kolektivave jo të rilindura. Në këtë rast bëhet fjalë për INDIVIDUALIZËM TË PËRGJEGJSHËM, që d.m.th. kujdes ndaj Tjetrit e së Ndryshmes, duke nënkuptuar respekt ndaj fesë e mendimeve të të tjerëve, respekt ndaj objekteve që shikohen me ndjenjë raciste, si gruaja, të moshuarit apo fëmijët, respekt ndaj pakicave kombëtare.
Problemi që shtrohet në këtë rast është se vetë INDIVIDUALIZMI mjafton për shoqëritë e rilindura? Përgjigja është JO! Nuk mjafton. Prandaj individët më të zgjedhur në këto lloj shoqërish aktivizohen me dëshirë spontane në shoqata bamirëse, aktivistësh pa ideologji të mykura në tru, për të ndihmuar njerëz të tjerë në nevojë. Në krahun tjetër, të shoqërive të parilindura, kur grupimet udhëhiqen prej mendimesh tipike, fosile të ngurtësuara në shkëmb, jashtë kohës dhe historisë, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse mbajnë shoqërinë në gjendje të pa ndryshuar, në përçarje e armiqësi, që asnjë lidhje nuk kanë me sintezën, harmoninë, paqen që mbjellin idetë e shoqërive të rilindura. Jo sepse ato i kanë zgjidhur plotësisht problemet e tyre, pasi do të bëhej fjalë për shoqëri engjëjsh, jo njerëzish. Por në krahasim me grupin primitiv, të kolektivitetit mishngrënës, bëhet fjalë për ndryshime si nata me ditën. Kush e pa Perëndinë e nuk u tmerrua…
Njeriut të thjeshtë i duket se me forcën imagjinare të grupit, ku shpirtërisht bën pjesë, mund të shajë, të kërcënojë, të shprehë mendim negativ kundër tjetrit dhe njëkohësisht është aq i cekët, saqë nuk kupton se, duke mbajtur të paprekur klimën e egër të taborit luftarak, të pandryshuar në shekuj, janë edhe ai vetë, dhe brezat që vijnë, VIKTIMË DHE VIKTIMA…

Leave a comment