Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

FOSFORINA SHQIPTARE DREJT MITIZIMIT

cipa-1100x620-1
Nga Kristo ÇIPA-
( Dy fjalë për këngën iso polifonike shqiptare)
Ftohtësia e gjithanshme që ka mbërthyer gjithë jetën shoqërore, politike, kulturore, ideologjike, fetare, civile, qytetare, rurale dhe krejt përditshmërinë shqiptare po krijon një precedent mjaft simbolik e ogur bardhë në drejtim të riaktivizimit mjaftueshëm të këngës më të lashtë e më orgjinale të kombit tonë, isopolifonisë shqiptare ose e thënë simbolikisht “ Fosforinës” tonë. Në televizionet lokale të shumë qyteteve të jugut, rrjetet sociale, emigracion dhe në krejt kureshtjen polifoni dashëse të brezit të ri kudo anembanë botës, kënga polifonike po fillon e mitizohet. Për ta bërë sa më reale këtë fenomen unë po e ilustroj me fakte të cilat i besojnë të gjithë, i shohin, i ndjejnë dhe i prekin
Së pari-Kënga polifonike si asnjëherë tjetër po zhvendoset nga trualli i saj mijëra vjeçar fshati, drejt qyteteve më të mëdha të vëndit siç janë Tirana, Vlora, Fieri, Tepelena, Gjirokastra , Delvina dhe Saranda. Në këto qytete janë ngritur me dhjetra grupe të reja krahas të vjetërve, të cilët e shfrytëzuan lëvizjen demografike për t’u grupuar dhe për të mbështjellë shpirtin me këngë në vakuumin shpirtëror që u ballafaquan
Së dyti-Në krejt shterpësinë dhe varfërinë kulturore që ka mbërthyer Shqipërinë, minus kulturën e komunikimit dhe korrupsionin ekonomik, politik, ligjor, moral gati në krejt klasën politike dhe të vet komuniteteve kulturore, polifonia duket si e shenjtëruar dhe e imunizuar nga degjenerimi moral e estetik, korrupsioni, negativizmi, ashpërsia dhe influencat antinacionale. Biles duket më e shenjtëruar se vet institucionet e kultit dhe grumbullon më shumë njerëz e admirues se mitingjet e partive politike në kohë fushatash.
Së treti-Fjala poetike në të gjitha këngët e “Fosforinës” të vjetra dhe të reja ka art, kulturë, figuracion, edukatë, finesë, mirësjellje, amanet, dert dhe kushtrim sa të gjitha institucionet shqiptare të marra së bashku. Asnjë pikë balte s’ka pranuar mbi krye kjo fosforinë dhe shkëlqen më shumë se kurrë midis kësaj llaje jetë që ecën nëpër përcëllimën e kohës. Edhe pse fosforina jonë e ndritur përcolli në këto vite Lefter Çipën, Feti Brahimin, Nertesi Asllanin, Maliq Lilel, Hamdi Pulon, Zaho Balilin etj, etj konstelacioni yjor i saj prapë ngelet ndriçues e shënjtërues dhe shumë njerëz e sidos të rinjtë po i drejtohen asaj si një biblioteke me libra shumë shekullorë për të marrë filozofinë mijëra vjeçare të popullit tonë i cili mbijetoi nëpër furtunat e jetës dhe i transmetoi postulatet kombëtare nëpërmjet këngës e cila nuk shkruhej as në kartë e as në rërë por ngelej e fosforizuar në shtrezëzimet e memories kombëtare dhe shpirtin e këtij populli.
Së katërti-Shumë këngë u krijuan dhe ju kushtuan këngës polifonike duke patur si lejmotiv dy vargshin lapidar:
Këngët e Atdheut tim
Janë ilaç, janë shërim
Kjo tregon se vet këngëtarët po i besojnë këngës dhe po e mitizojnë atë. Fosforina nuk e plotëson këtë këngë nga ana shkencore dhe etimologjike por shërben si simbolikë e bukur për të shprehur shdritjen e saj dhe për ta ruajtur nga dasitë provinciale. Gati çdo grup ka një këngë për këngën
Së pesti-Zhvillimi i shpejtë i turizmit, riti në mënyrë të paimagjinueshme numrin e të huajve që vijnë në Shqipëri dhe kontakti i tyre me këngën polifonike i ka magjepsur, duke e bërë atë një mrekulli kulturore në një vend të vogël. Mistika që ajo mbart tek të huajt e bëjnë atë jo vetëm të adhurueshme por gati qiellore, duke i hapur udhë mitizimit të saj. Të gjithë ata bëhen admirues të kësaj fosforine dhe në pak orë që bien në kontakt duan të bëhen pjestarë të saj duke u përpjekur të mësojnë ison e saj.
Nga të gjitha këto argumenta që solla dhe mjaft të tjera që mund të sillen, vetëm pushtetarët janë të pa ndjeshëm ose në heshtje i bëjnë karshillëk kësaj mrekullie kulturore që si një vegim qiellor po mban të mbërthyer në Shqipëri ndjenjën e krenarisë kombëtare për këta që jetojnë këtu dhe për ata që e kanë dritë shpirti Atdheun
Në këta vitet e fundit shumë petsonalitete të këngës isopolifonike janl vlerësuar dhe shumë të tjerë e presin vlerësimin. Ky veprim i institucionit të presidentit ndoshta është i vetmi homazh për këtë kryevepër të njerëzimit. Shpresojmë dhe besojmë që të gjithë ne polifonët, bardët, organizatorët, poetët, studjuesit por më shumë institucionet shtetërore të japim e të bëjmë më shumë për lartësimin e saj drejt mitizimit e cila dhe kështu siç është po shënjtërohet. E meriton!

Leave a comment