Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

MISIONI HISTORIK I LULZIM BASHËS, SI VARRMIHËS I BERISHIZMIT

Basha Berisha

Nga Xhovan SHYTI  –

Varrmihësit e sistemeve e rregjimeve brutale gjenden brenda llojit. Është kjo një sentencë e nxjerrë nga përvoja historike e zhvillimit të shoqërisë njerëzore gjatë epokave të shkuara, e cila më tepër se kurrë gjen mishërimin e vet në ngjarjet e fundt që po ndodhin në Partinë Demokratike. Ku  Lulzim Basha, dikur pjesë e bindur e kopesë së Sali Berishës, ka ngritur një të tillë rebelimi ndaj të shpallurit prej SHBA-së “non grata”,  sa, me shumë gjasa, do të sjellë fundosjen përfundimtare të berishizmit. Kësaj ideologjie brenda të cilës ka shumë komunizëm, shumë fashizëm, shumë dhunë rrugaçërore, shumë anti-amerikanizëm, dhe aspak “liri-demokraci” e ekonomi tregu konkurues të vlerave.

Berishizmi është ideologjia e vënies së politikës, shtetit e pushtetit në favor të interesave personale e familjare, është etja për pushtet, vrasja e vlerave njerëzore dhe këmbimi i tyre me antivlerat shkatërrimtare.

Të jesh berishist do të thotë të jesh në shërbim të Sali Berishës, familjes e klanit dhe jo të mirësisë së atdheut e shqiptarëve. Kjo është njësia matëse e çdo lloj vlere të moralit njerëzor, që konvertohet lehtësisht në antivlerë nëse devijon kurs e shfaq shenja racionaliteti kundër berishizmit.

Qendrimi “gatitu” dhe betimi “bëhem therror për Sali Berishën, familjen fisin e farën e tij”, janë deviza e ideologjisë berishiste, që, turpësisht, u finalizua me rikthimin e Shqipërisë tre dekada pas dhe rilindjen e komunizmit, që nga mungesa e antipodit të tij  “anti”, aktualisht komandon i vetëm gjithë jetën e vendit.

Duke ju rikthyer sentencës së mësipërme të nxjerrë nga përvoja historike e sistemeve, për përmbysjen e berishizmit  që s’është tjetër veçse version i komunizmit degjenerativ të degraduar, lipset domosdoshmërisht antipodi brenda tij.  Gjë që, sakaq, ka ndodhur me Lulzim Bashën dhe grupin legjitim që administron Partinë Demokratike, e që, nga sa duket, nuk ka për të patur fatin e të tjerë grupimeve të ngjashme para tij, që pas shkëputjeve dhe “pavarësive” politike, janë rikthyer në të njejtën pikë berishiste. Duke e mbyllur me turp misionin e qënies varrmihës të berishizmit.

I anatemuar e mallkuar pameritueshëm nga berishistët e përvëluar prej aksionit të tij politik për çlirimin e Partisë Demokratike, dikur simbol i antikomunizmit, nga ideologjia famëkeqe e berishizmit të pashqitshëm, me sipërmarrjen e tij Lulzim Basha do të hyjë në historinë moderne shqiptare jo thjeshtë si mposhtës i kuçedrës “non grata” Sali Berisha, por si varrmihësi i berishizmit, kësaj ideologjie obskurantiste, shkatërruese e vlerave të mëdha kombëtare. 

©Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbëria News.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

 

 

Related Posts

Leave a comment