Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Distributorë të poshtërsive si lajme politike

Enver-Robelli-Boris-muller

Nga Enver ROBELLI-

Një ndër rregullat kryesore të gazetarisë është të seleksionojë lajmet sipas rëndësisë së tyre. Me themelimin e qindra portaleve, shumica pa adresa dhe pa redaktorë, por të dominuara nga shërbëtorët e bandave parapolitike, seleksionim të lajmeve sipas relevancës nuk ka më. Në këto rrethana kryelajm bëhet kryehajduti pa mbështetje publike apo pa asnjë votë, cubi që prej leckamanit është shndërruar në milioner, funksionari minor që shkruan ca rreshta të sertë në Facebook.

Kurrë nuk ka qenë me lehtë për mashtruesit politikë që t’i drejtohen audiencës. S’është me rëndësi çka thotë mashtruesi, me rëndësi është zhurma që shkakton. Kjo i garanton atij hapësirën kryesore në portale. Gazetarët kësisoj shndërrohen vetëm në distributorë të poshtërsive të politikanëve. Ujëbartës!

Narcisi dhe qyfyrexhiu që kanë mbetur jashtë parlamentit dhe vuajnë për vëmendje, dalin e flasin ca llafe të kota në botën e mediave sociale dhe kotësia e tyre bëhet lajm nacional në portalet asociale. Metoda perfide e kësaj “gazetarie” është ndërsimi i publikut, krijimi i grupeve të ndryshme që nga tribuna e shajnë njëri-tjetrin dhe kështu (bash kështu) gjenerohen klikimet. Kjo është valuta e re e “gazetarisë” kosovare.

Nga ky lloj gazetarie nuk përfiton askush, përveç atyre që distribuojnë rrenat dhe lajmet e fryra artificialisht. Nuk është befasi që nga breshëria permanente e rrenave, gjysmë të vërtetave, përdredhimeve, manipulimeve, titujve që vetëm joshin lexuesin për klikim dhe nuk përmbajnë asnjë lajm thelbësor është krijuar një publik që manipulohet lehtë. Shohim madje edhe profesorë universitarë e figura të tjera publike duke shpërndarë lajme të rrejshme. I gjejnë ndokund në Facebook apo ua servon para hundëve algoritmi dhe ata s’përtojnë që t’i ndajnë me publikun. Një publik i bombarduar 24 orë nga “lajmet” dhe i painformuar dhe i paaftë për të gjykuar drejt.

Leave a comment