Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

U shfaq duke kërcyer një valle shqiptare, “kryqëzohet” mësuesi nga opinioni publik, shfaqet i përlotur

Capture

Profesori i biologjisë, Lulzim Paci, që jep mësim më shkolën e mesme Eqrem Çabej në Vushtri, është shndërruar në një tabelë qitjeje e një pjese të opinionit publik në Kosovë. Madje, mes atyre që e kanë marrë nishan mësuesin ka edhe deputetë. Vetë zoti Paci është parë i ngashëryer në një studio televizive për shkak të situatës, në të cilën ndodhet. Dhe ngjarja është në kufijtë e pabesueshmes. Duket sikur jetojmë disa shekuj më herët, e jo në shekullin XXI. Mësuesi në fjalë ka filmuar veten duke kërcyer një valle shqiptare me një melodi shqiptare (njësoj do ishte edhe po të kërcente një valle të huaj), dhe videon e xhiruar e ka shpërndarë nëpër miq e në rrjete sociale. Videoja është krejt e pafajshme. Profesori është në shtëpinë e tij, krejt vetëm, i veshur me kostum e kravatë, pa këpucë.

 

Por ky gjest goliardik, dhe argëtues, i profesorit të gjimnazit është konsideruar nga shumëkush si një herezi. Një deputete e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani, që ka studjuar në të njëjtë shkollë, u është drejtuar qytetarëve të Vushtrisë me fjalët: ““Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’- Vushtrri, dhe juve prindër. Ditëve të fundit njëri nga profesorët e Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’ është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese. Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë.” Çfarë patetizmi! Këto fjalë ajo i ka publikuar në statusin e saj në facebook, por më pas, nën presionin e shumë vetëve, i ka hequr.

Profesori është mbrojtur në një studio televizive (në KTV) duke thënë: ““Unë në vend se të shpërblehem për kultivim të vlerave kombëtare, denigrojnë figurën time, kjo është e padrejtë”, ka thënë ai në emisionin “Sot” në KTV. “Është e drejtë imja të vallëzojë, është jeta ime private.”

Në të vërtetë, nuk kuptohet e gjithë kjo zhurmë që synon denigrimin e një profesori pse ka kërcyer një valle shqiptare. Babel.al i shpreh solidaritetin Lulzim Pacit dhe denoncon mendësitë e frikshme, mbi bazën e të cilave po tentohet të bëhet turpërimi publik i tij. Në të vërtetë, duhet bërë turpërimi publik i atyre që te gjesti i profesorit kanë parë “degjenerim”. Skandal! Këta njerëz duhen detyruar në një mënyrë a në një tjetër t’i kërkojnë ndjesë Lulzim Pacit. Dhe duhen bërë të kuptojnë se turpi i Kosovës janë ata, e jo Lulzimi./ Babel.al

Related Posts

Leave a comment