Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kur hiqet shiriti i zisë dhe “pas të ndjek kënga”

da68fb46-1bd8-43c2-a31d-4e808ed3c29b

Nga  Anisa MUÇAJ-

Fundjavën që sapo lamë pas, në Pilur u zhvillua veprimtaria-homazh me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit më të madh të këtyre viseve, Lefter Çipa- Nderi i Kombit. Në homazhin pranë memorialit të realizuar u mblodhën miq e kolegë artistë të poetit, deputetë dhe përfaqësues të organizatave dhe asambleve të ndryshme kulturore e folklorike, të zgjedhur dhe gazetarë, familjarë, bashkëvendas dhe të ardhur nga Tirana, Vlora, Saranda, Gjirokastra etj.

Të pranishmit pas ndjekjes së ritit të  përshpirtjes dhe homazheve, në Sheshin e Rapit të Pilurit u befasuan nga një rit i veçantë dhe kuptimplotë. Dy fëmijë të  vegjël piluriotë, veshur me kostumin kombëtar, (i njohur aq shumë nga Grupi i famshëm i Pilurit të cilin e themeloi dhe kryssoi prej më shumë se 50 vite poeti), duke mbajtur nga një rrip të zi në krah si simbol të zisë për poetin, presin vëllain e vogël të tij, artistin dhe poetin Kristo Çipa -Mjeshtër i Madh, i cili jua heq nga krahu.
Akti simbolik, siç e sqaron vetë poeti, shënon mbylljen e zisë  dhe udhëtimin në jetën me gëzime dhe këngë, ashtu siç i kishte hije dhe dëshironte poeti Lefter Çipa  me vargun e poemës së tij testamentale ” shokët në këngë i gjetsha”.

Ky gjest simbolik është një pjesë e riteve të vjetra që trashëgohen në këtë fshat me tradita të lashta. Ndarja e jetës nga hija apo zija e vdekjes, përbën një moment të rëndësishëm dhe duhet të triumfohet prej optimizmit dhe udhëtimit të jetës me këngë e jo me vaj, sqaron për Arbërianews.net poeti Kristo Çipa.

Udhëheqësi artistik, poeti- studiues i Grupit “Bilbili”, miku i poetit Çipa, Sejmen Gjokoli shprehet se ky gjest aq kuptimplotë, na dëshmon të gjithëve se brenda Labërisë dhe në viset bregdetare janë gjurmët e fuqishme të shpirtit arbëror.
Në restorantin ” Dhima” të pranishmit në këtë ceremoni përcollën vlerësime e kujtime për poetin dhe ndoqën disa nga kujtimet dhe intervistën e fundit të tij, përgatitur nga familja. Ndër të tjerë folën Profesor Ago Nezha, kryetar i Shoqatës Labëria, Behar Gjoka, studiues-kritik letrar, Shpëtim Gjika, ish kryetar i Bashkisë së Vlorës, mik i familjes, Anila Basha, gazetare etj.

Lefter Çipa përfaqëson krijuesin më të shquar të polifonisë shqiptare dhe të poezisë tipologjike popullore në gati 70 vitet e fundit në hapësirën shqiptare. Qindra dhe mijëra adhurues, fansa dhe dashamirës të artit të tij vazhdojnë të publikojnë në rrjetet sociale dhe në media këngë, poezi, vlerësime dhe kujtime të shumta.

Related Posts

Leave a comment