Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Historia përsërit vetveten

Zelensky
Historia u përsërit edhe në këtë kohë. Se ja: një ukrainas i madh, Nikita Sergejeviç Hrushov, ishte ai që në vitet 1960′ shkallmoi egërsinë tiranike staliniane në ish Bashkimin Sovjetik; por ja: përsëri, një ukrainas i madh, Volodymyr Zelensky, po shkallmon egërsinë e tiranit rus Vladimir Putin.
Nga Spartak NGJELA –
l.
… Kjo është një kohë që krijoi befas një segment të rëndësishëm për historinë botërore në vijim. Ukraina, me heroizmin e saj, ngriti moralin e forcave që luftojnë për çlirimin nga zgjedha e diktaturës dhe korrupsionit.
Në të njëjtën kohë; disfata Putin; që duket se po vjen, do të sjellë një çlirim jo vetëm në Rusi, por edhe në vendet e Evropës Juglindore që po vuajnë nga korrupsioni – domethënë edhe për Shqipërinë.
lI.
Çfarë ka sjellë realisht lufta për Ukrainën? Ajo krijoi befas një hero me karakter botëror : Volodymyr Zelensky-n dhe, në të njëjtën kohe, krijoi modelin e njeriut i cili, pasi vjen në pushtet, krijon hapësirën e drejtësisë dhe të zhvillimit kombëtar në një relitet të ri.
Zelenski nuk ishte një rastësi për pushtetin politik në Ukrainë. Ai është lauruar ne Ekonomi dhe, me talentin e tij skenik, krijoi figurën e tij popullore në komedinë skenike te Ukrainës.
Ky popullaritet e bëri Zelensky-n figurë të dashur në Ukrainë dhe më pas e zgjodhi këtë president të Ukrainës, me zgjedhje direkte, në dhjetor të vitit 2018. Por me reformën e tij Demokratike Zelensky i solli pështjellim psikologjik diktatorit të Rusisë, Vladimir Putin, sepse forcat kundërshtare brenda Rusisë kishin tani një model të kundërt në një vend si Ukraina, e cila në psikologjinë ruse është një Rusi e dytë.
Po në këtë luftë; cila ishte ajo forcë që e futi popullin e Ukrainës në një psikologji heroike?
Parësore në këtë proces ka qenë forca skenike e Zelensky-t, që reflektoi artistikisht optimizëm.
Kjo e ktheu luftën në një detyrë dhe heroizmin në një arenë teatrale heroike ku po merr pjesë i gjithë opinioni publik botëror: skena e luftimeve po krijon heronj, dhe media botërore e ajo e Ukrainës po i ngrenë shumë lart, përditë, heronjtë e skenës së luftës; dhe sidomos presidentin Zelensky.
Kjo kohë po sundohet nga një optimizëm popullor që vjen nga heroizmi; dhe një heroizëm që sjell famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky është një nga sekretet e kësaj lufte.
Por dihet se një skenë gjigante heroizmi, individualisht, e kthen vdekjen jo në frikë, por në vlerë historike.  Prandaj është kjo psikologji heroike, që mendohet se do ta mundë shumë keq Rusinë e Putinit.
lll.
Po ta shohim me një sens historik dhe brenda një kuptimi psikologjik, sot në Ukrainë po ndeshet egërsia ruse e Moskës me heroizmin rus të Kievit. Çfarë do të sjellë kjo?
Kjo do të rilindë edhe brenda Rusisë heroizmin rus kundër egërsisë tiranike të Putinit; sepse këtë mësim na ka dhënë historia për situata historike të ngjashme.
Në këto çaste duhet të kujtohemi se, ashtu sikundër që e theksuam që në krye të këtij shkrimi, edhe në ish Bashkimin Sovjetik, një figurë heroike nga Ukraina, Nikita Sergejeviç Hrushov, ishte ai icili, me kapacitetin e tij të lartë politik dhe me këmbënguljen e vet heroike, ia arriti që të shkallmonte në Moskë egërsinë staliniane që kishte pushtuar jo vetëm Rusinë dhe Ukrainën por të gjithë botën lindore, që nga Pekini e deri në Tiranë.
Sigurisht nuk jemi në të njëjtat vlera, se kohët historike kanë specifikat e tyre, por thelbi është i njëjtë: edhe sot, është sërish një ukrainas hero që me vullnetin, intelektin dhe heroizmin e tij po shpëton Ukrainën nga mundësia e vendosjes së tiranisë së Moskës, por që njëherësh mund të sjellë një frymë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në zhvillimin real të demokracisë si sistem.
Duhet të presim. Gjithçka do të varet nga karakteri heroik i luftës në Ukrainë.

Related Posts

Leave a comment