Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Sulmi ndaj Ukrainës/ Kjo është “arma” më e fuqishme të cilës i besoj Putini

lufte Ukraina

Nga Ilir KRASNIQI –

Presidenti  Vladimir Putin ditët e fundit ka filluar të ndihet  mjaft i acaruar. Shërbimi në të cilën kaloi pjesën më të madhe të jetës ShFS (ish KGB) , duket se ka dështuar edhe njëherë sikurse shumë vite në sigurimin e informacioneve  në Ukrainë.

Kjo çoi në masat e arrestit të disa zyrtarëve të këtij shërbimi. Një nga ta ishte edhe gjeneral koloneli Sergey Beseda, i cili shumë vite më parë e shoqëronte presidentin rus Vladimkir Putin jashtë vendit. Në krye të shërbimit të pestë ai së bashku me zëvëndësin e tij Anatolij Boljuh, nga qendra në Ljubjank që ishin ngarkuar për Ukrainë,  u janë caktuar masat e arrestit shtëpiak.

Kështu njoftonte portali i pavarur rus “Meduza” duke u mbështetur në lajmin e gazetarit të njohur hulumtues Andrey Soldatov.  Ata janë arrestuar për shkak të keqvlerësimit me mjetet e lejuara për punën dhe veprimtarin në Ukrainë, por duket shumë më e sigurt  për shkak të informatave të gabuara që kanë dhënë për gjendjen në atë vend.

Beseda, që nga pranvera e vitit 2014, ishte në listën e sanksioneve të BE dhe pavarësisht  kësaj në vjeshtë të të njëjtit vit kishte nënshkruar marrëveshje për mbrojtjen reciproke të të dhënave kofedenciale me drejtorin e Këshillit për Siguri Nacionale të Serbisë, Goran Matiq.

Por duket se shërbimin e njohur të sigurisë ka kohë që Putini e shikon me sy kritik për shkak të operacioneve në Ukrainë. Kur erdhi për herë të parë në pushtet, Putin, një ish-oficer i KGB-së, i qëndroi besnik traditës sovjetike dhe promovoi shërbimet e sigurisë mbi ushtrinë.

Lufta e tij e parë, ajo që filloi në Çeçeni në vitin 1999, u realizua në fund nga ShFS, pasardhësi i KGB-së. Lufta u prezantua si një operacion antiterrorist dhe ushtria ishte në varësi të Shërbimit të Sigurisë. Ndërkohë, Putin vazhdoi të mbështetej tek ky institucion për të mbajtur elitën e tij nën kontroll dhe për të luftuar disidencën, si brenda dhe jashtë vendit.

Për gati dy shekuj, ushtria ruse, megjithë rëndësinë e saj në shoqërinë ruse, rrallë është përfshirë në vendimmarrje politike. Nën sundimin sovjetik, rrugët e Moskës dhe qyteteve të tjera të mëdha dominoheshin nga burra me uniforma jeshile.

Shërbimi ushtarak në Rusi ka dhënë tradicionalisht një shkallë të caktuar prestigji shoqëror. Megjithatë, për pjesën më të madhe të shekujve të XIX-të dhe të XX-të, ushtria kurrë nuk kishte shumë zë në qeveri. Gjatë epokës sovjetike, qeveria ishte e kujdesshme ndaj rrezikut që ushtria të fitonte shumë pushtet dhe KGB-ja e mbajti atë nën vëzhgim.

Putin, sipas disa publikimeve, më 2014 kishte dërguar ShFS ku supozohej të ndihmonte strukturat pro ruse për ta shuar protestat. Por ky operacion i dështoi sikurse edhe parandalimi i presidentit Yanukovich të ikte nga Kijevi.Putini iu drejtua ushtrisë dhe nën komandën e Shoigut, më 27 shkurt  2014 Krimea u aneksua shpejt dhe në mënyrë efektive.

Persona të armatosur në uniforma të gjelbërta, pa shenja dalluese , kanë hyrë në Parlamentin rajonal në Simferopol, në kryeqendrën e Krimesë, dhe mbi ndërtesë kanë ngriture flamurin rus. Ndërtesa u morr një ditë pasi para saj demostrues pro rusë dhe anti rusë janë përplasur rreth largimit të Presidentit ukrainas dhe mikut të Kremlinit, Viktor Janukoviq, i cili kishte ikur nga Kijevi disa ditë më herët.

Rusia i përshkruante si “njësi për vetmbrojtje” të cilat i kanë krijuar banorët vendës, të shqetësuar për kinse kërcënimet ndaj popullatës ruse në Krime nga ana e “ultranacionalistëve” ukrainas.

Shoigu tregoi se ushtria mund të ketë sukses aty ku dështoi FSB, sikurse edhe në Siri një vit më vonë.  Deri  në vitin 2017, ushtria u shfaq si një nga institucionet më të fuqishme në Rusi.  Dhe ky ishte fillimi i asaj që e kishte planifikuar Putini. Gjë që u pa më 21 shkurt të këtij viti  kur presidenti rus Vladimir Putin mblodhi anëtarët e Këshillit të Sigurimit para kamerave ku drejtori i ShFS-së dhe Ministri i Jashtëm vepruan sikur të ishin makina që ndiqnin urdhrat për njohjen e republikave të vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Lukhanskut.

Në këtë takim u vërejtë se Putin nuk kish ndërmend të konsultohej me rrethin e tij dhe këtë e ka treguar publikisht. Këshilli i Sigurimit deri vonë konsiderohej struktura më e rëndësishme dhe më me ndikim në aparatin shtetëror. Këshilli i Sigurimit shpesh është krahasuar me Byronë Politike. Shoigu, pasi kaloi pjesën më të madhe të dekadës së kaluar duke e kthyer ushtrinë në një forcë të fuqishme politike, dukej i sigurt dhe i gatshëm për ta udhëhequr Rusinë pa kokë në betejë.

Ndonëse në Moskë pohojnë se operacioni po zhvillohet sipas planit , duket se trupat ruse nuk kanë pritur rezistencën e ashpër të forcave ukrainase. Megjithatë, Putini nuk është ende gati ta pranojë këtë. Shumë shpejt u pa se nënvlerësimi i forcave ukrainase, llogaritjet në përcarjen e perëndimit dhe mbështetja e Kinës ishin një vetmashtrim. Dy nga arsyet  e kësaj përllogaritje të keqe mund të jenë ose dështimi i intelegjencës ose injorimi i saj.

Percepcionet e gabuara dhe sanksionet

Nga të gjitha ekspertizat e njerëzve pranë oborrit qeveritar parashihej që forcave ruse u duhen vetëm disa ditë jo më shumë se një javë që me  këtë sulm trupat të merrnin gjithë Ukrainën. Por ndodhi e kundërta kjo kohë u dyfishua. Mjafton ti referohemi ministrit të Mbrojtjes, Shoigu, i cili foli për 16 mijë “vullnetarë “ sirian për të ndihmuar forcat e dy territoreve të njohura nga Rusia, Donetskut dhe Luganskut.

Në planin e jashtëm, Putin nuk e priste një reagim të tillë nga Bashkimi Evropian ku sanksionet zgjeroheshin si zjarri.  Ai dukej i bindur se BE do të përcahej para se të vendoste njeriun e vet në pushtet në Ukrainë.

Ky percepsion i tij, u krijua nga deklaratat e disa vendeve të cilat paralelisht me kërkesën e mos ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë deklaronin se nuk do të lejojnë shfrytëzimin e hapësirës së tyre për dërgimin e armëve. Madje disa ishin edhe kundër sforcimit me trupa të NATO-së më territorin e tyre.

Një tjetër dështim i tij ka të bëjë edhe me llogaritjen së paku, nëse jo të një mbështetje por një pozicioni neutral të Gjermanisë për shkak të gazësjellësit Verior 2 që në fillim dukej  shumë më i rëndësisshëm në planin ekonomik sa vetë Rusia.

Po ashtu Gjermania në fillim duke kërkuar kthimin në tryezën e bisedimeve në formatin e Minskut, kishte ndaluar edhe fluturimin e avionëve luftarak për të furnizuar me armë Kievin. Dhe kjo i krijonte një imagjinatë të rreme Putinit, pasi edhe disa vende dëshirojnë anëtarësimin në NATO, pas këtij agresioni rus.

Për shkak të furnizimit me gaz nga e cila është e varur ekonomia evropiane, Putini nuk ka llogaritur që ata do të ndërmerrnin sanksione aq të mëdha, ku kompanitë e tyre po i mbyllin masivisht degët e tyre në Rusi. Madje bankat ruse janë përjashtuar nga tregu financiar ndërkombëtar SWIFT.

Por pavarësisht besimit të Putinit që Rusia do ti kompensojë ato dhe kundërmasat do të trondisin ekonominë evropiane, vetë kufizimet e qytetarëve për të blerës valutë apo për të dërguar para jashtë vendit tregon se efektet e këtyre sanksioneve po ndihen.

Edhe Kina në të cilën besonte se do ta mbështeste në cdo veprim, nuk votoi kundër rezolutës në OKB që dënonte sulmin rus ndaj Ukrainës por abstenoi. Veq kësaj Kina mund të shfrytëzojë rastin e sanksioneve dhe të sigurojë cmime të favorshme të importit të gazit dhe naftës. Kjo e bënë me të vogël Rusinë përballë një gjigandi të madh ekonomik. Pyetja që shtrohet është sa janë të gatshëm të kthehen gjeneratat  e lindura pas BRSS në kohën e prindërve të tyre, të cilët jetonin në izolim?

Përgjigja mund të gjindet në disa dekrete dhe ligje të cilat i ka nxjerrë  Moska në planin e brendshëm nga vetë reagimet e opinionit publik. Fillimisht  Qeveria ka ndaluar se “operacioni i veçantë special” sic dëshirojnë ta quajnë të mos përshkruhet me fjalët luftë, agresion dhe invazion.  Pas kësaj shumë medie të pavarura u detyruan të mbyllen si Dezd, Fontanka,  Echo Moskva, radio Liria, Meduza, Novaya gazeta etj.

Dekretet mjet frikësimi

Krahas protestave në shumë qytete të Rusisë, duke filluar edhe në San Peterburg, vendlindja e Putinit, Këshilli i Federatës nxorri një ligj me të cilën mund të shqiptohet dënimi deri 15 vite burgim apo një gjobë prej 15 mijë euro personave të cilët përhapin lajme për forcat ushtarake.  Deri më tani janë arrestuar gati sipas disa publikimeve  15 mijë persona në protestat  kundër luftës.

Më 6 mars, presidenti Putin nxorri një dekret lidhur me pagesat  shtesë për ushtrinë dhe pjesëtarët e Gradës Kombëtare , që nënkuptonte për të stimuluar më shumë pjesëtarët e forcave ushtarake ruse në  Ukrainë.

Gjithashtu ai nxorri Ligjin ushtarak. Përveç kufizimeve të blerjes së valutës së huaj, po ashtu Bankat ruse kufizoi shumën në të cilën rusët mund të dërgojnë të afërmëve jashtë vendit në 5.000 dollarë në muaj.  Presidenti rus po ashtu nënshkroi ligjin për konfiskim  të parave të zyrtarëve të korruptuar. Pa dyshim që me këtë ligj synohet të mbahen nën kontroll e gjithë shtresa e lartë e milionerëve nga ndonjë reagim  i mundshëm marrë parasysh sanksionet ndërkombëtare nga të cilat janë prekur shumë edhe me ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë së tyre.

Ndërkohë që edhe në rrafshin diplomatik ka humbur me vetë shpjegimin e arsyeve të sulmit duke thënë se qëllimi është denazifikimi i Ukrainës. Po si mund të arsyetohet kjo përballë presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili është një hebre, anëtarët e së cilit humbën jetën gjatë luftës së dytë botërore, ndërsa gjyshi i tij ishte një ushtar i Armatës së Kuqe i cili edhe ishte i dekoruar në luftën e dytë botërore.

Duket pak absurde  kur akuzon dhe e quan si të tillë e konsideron qeverin ukrainase ndërsa Ministri i Jashtëm rus takohet me homologun e tij ukrainas, duke mos përjashtuar mundësinë e takimit edhe të Putinit dhe Zelenskit. Apo kur brenda formacioneve pro ruse në territoret e Lugansk dhe Donetsk, ka komandantë që janë simpatizues të nazizmit dhe kanë tatuazhe ose shenja SS në trupat e tyre, si komandanti i njësisë së Spartës i vrarë së fundmi ose themeluesi i ushtrisë private WagnerDmitry Utkin.

 

Related Posts

Leave a comment