Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ministrja mban peng gradat diplomatike/ Tarafet bëjnë lëmsh Ministrinë e Jashtëme

ministria-e-puneve-te-jashtme

Pas rotacionit politik të vitit 2013 në Shqipëri, mazhoranca aktuale erdhi me premtime, ndër të tjera edhe kundër paaftësisë, nepotizmit dhe emërimit të militantëve partiakë në trupin diplomatik të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Nga Arben LAGRETA –

…Por sot, pas afro 9 vjetësh konstatojmë se një pjesë e mirë e ambasadorëve të emëruar në atë post qysh para 2013-s, dhe pjesa dërmuese e tyre pas rotacionit në fjalë, janë po aty pas lëvizjeve paralele dhe të emëruar rishtas jashtë kritereve ligjore si dhe të miratuar nga Kryeministri, Parlamenti dhe Presidentët e radhës, prej më se 15 vjetësh (!). Kjo në një kohë që mandati i një ambasadori varion nga 3 deri në 4 vjet. Sepse si funksionon alla-shqiptarçe emërimi i diplomatëve në MEPJ?

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk aplikohet dhënia e gradave diplomatike sipas ligjeve në fuqi. Prej shumë muajsh, diplomatët e MEPJ-së, kanë përbushur kriteret e ligjit për marrjen e gradave respektive, mirëpo ato nuk firmosen nga ministrja aktuale duke bërë që të shkaktohet jo vetëm një dëm financiar për diplomatët, por edhe të bllokohet hierarkia, e cila është shumë e nevojshme në shpërndarjen e drejtë të pozicioneve të larta drejtuese brenda dhe jashtë MEPJ-së.

Edhe pse në pjesën dërmuese të aplikimeve është dhënë miratimi nga ana e Komisionit të dhënies së gradave, ato ende nuk janë firmosur nga titullari i Ministrisë, pa u dhënë diplomatëve asnjë argument se përse po vonohet ky proces në dëm të interesit të tyre.
Në këtë dikaster të rëndësishëm ka diplomatë që kanë përfituar pozicione drejtuese duke mos përmbushur kriteret e ligjit, ku më kryesori është kriteri i gradës diplomatike.

Ka diplomatë që janë në pozicione shefash sektori apo drejtorë drejtorie, të cilët nuk kanë gradën e duhur personale e cila do t’i kualifikonte për një pozicion të tillë, ndërkohë që ka diplomatë me eksperiencë të gjatë në Ministri dhe me gradat e duhura dhe që janë emëruar në pozicionet më të ulëta, siç janë ato të specialistit nëpër drejtori.

Në një pjesë të madhe të ambasadave, emërimet në nivele të larta apo më poshtë, bëhen mbi bazën e tarafeve, klientelizmave dhe aspak mbi meritën. Ndërkohë që diplomatët profesionistë janë bllokuar në Ministri prej vitesh dhe nuk marrin emërim për shkak të mospasjes së „mikut të duhur“, persona pa asnjë lidhje me diplomacinë, por edhe duke mos shërbyer asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm, emërohen nëpër ambasada vetëm e vetëm se motra apo prindi i saj/tij është një person publik i njohur apo ish-deputet, duke mos u marrë aspak në konsideratë meritokracia që kjo qeveri e ka propoganduar me shumë zhurmë në programin e saj.

Rasti më flagrant është Madridi, ku përveç ambasadorit që është diplomat karriere, i gjithë stafi tjetër prej 4 vetësh është emëruar nga jashtë Ministrisë, pra ata nuk janë diplomatë të karrierës. Në këtë mënyrë u mbyllet dera atyre diplomatëve që aktualisht janë në Ministri dhe u ka ardhur koha për të shërbyer në një ambasadë sipas Ligjit në fuqi, por që nuk kanë mbështetje dmth „mik“ dhe në këtë mënyrë janë në mëshirë të ministres që as nuk i njeh për fytyrë.

Diplomatët profesionistë ne MEPJ gjenden në një stres të jashtëzakonshëm, pasi e shohin të pamundur që të realizojnë një takim me ministren për të parashtruar një hall apo një problem pune.

Ka raste kur disa diplomatë, me preteksin e pandemisë, nuk janë paraqitur fare në punë këto 2-3 vitet e fundit, dhe papritur janë shfaqur në godinën e Ministrisë vetëm sapo kanë marrë një emërim në një ambasadë, sepse ata janë djemtë apo pjesëtarët e familjes së një personi publik që ka patur funksion të lartë.

Ndërkohë që diplomatët që përballuan 24 orë në 24, me ditë të tëra situatën e rëndë të riatdhesimeve të shtetasve shqiptarë pas „lockdownit“ që bënë vendet e ndryshme me fillimin e pandemisë, nuk po përfillen dhe nuk po marrin ato të drejta që ua jep ligji, por vazhdojnë kokulur punën në pritje të ndonjë mrekullie.

Ky fenomen ka qenë gjithnjë prezent në MEPJ që prej më shumë se 15 vitesh, por gjithsesi në kuota të moderuara, të cilat nuk preknin rëndë bazën e shërbimit diplomatik profesional dhe personelin diplomatik. Por në 5 vitet e fundit, përveç fakteve të mësipërme, edhe së fundit me pretekstin e tërmetit dhe të pandemisë, shkelja flagrante e Ligjit të Shërbimit të Jashtëm në pikën ku bëhet fjalë për emërimet, ka kaluar çdo bazë morale dhe legale, sepse ambasadorët po qëndrojnë në detyrë përtej çdo limiti.

Ndërkohë, preteksti se ambasadorët po bllokohen nga Presidenti nuk qëndron, pasi në korridoret e Ministrisë po përflitet se Presidenti po përgatitet të dërgojë persona nga stafi i tij i ngushtë në pozicione ambasadorësh.

Gjendja aktuale e trupit diplomatik

Shërbimi i Jashtëm Diplomatik përbëhet si rregull nga diplomatë që shërbejnë në Ministri dhe në Ambasadat e Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Aktualisht në nivelet e larta kemi mbi 50 përqind të ambasadorëve të cilët jo vetëm që kanë mbushur moshën e pensionit prej vitesh, por edhe qëndrojnë në detyrë prej minimumi 6 vjetësh.

Përkundër Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, i cili parashikon se mandati i një ambasadori është si rregull 3 deri në 4 vjet, në 80 përqind të pozicioneve si ambasadorë kemi tejkalim të frikshëm të kohës së shërbimit në gati dyfishin e tyre.

Shembulli më flagrant është Franca, ku ambasadori aktual është në detyrë prej gati 10 vitesh, pra me një shkelje brutale të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Shembuj të tjerë janë edhe ambasadorët në vendet e rajonit tonë, të cilët edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit, vazhdojnë që të qëndrojnë në detyrë prej 8 deri 9 vite në të njëjtin shtet (!).

Rastet më flagrante përbëjnë Sllovenia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Për të mos folur pastaj për Berlinin, ku ambasadori aktual është i vetmi që nuk ka shërbyer asnjëherë në MEPJ si të gjithë diplomatët e tjerë, por që në fillim të karrierës së tij ka qenë vetëm ambasador në shtete të ndryshme, pra një ambasador i përjetshëm.

Ndërkohë, Konsulli i Përgjithshëm në Mynih është në detyrë prej gati 6 vitesh, çka përbën edhe kjo një tejkalim të mandatit zyrtar. Shembuj të ngjashëm ka pothuajse në 70 përqind të ambasadave të Shqipërisë në botë.

Një pjesë e mirë e ambasadorëve apo të ngarkuarve me punë janë nga ata militantë që kanë dredhur sa nga PS te LSI dhe anasjelltas, ca nga dallaverexhinjtë dhe mjeshtrat e tarafeve në çdo kohë, dhe natyrisht nga radha e militantëve si dhe e kushërinjve të parë të politikanëve më të fuqishëm të të dy krahëve. Ndërkohë, e përbashkëta e tyre është se para se të emëroheshin ambasadorë apo diplomatë më të thjeshtë, ata nuk kanë punuar as edhe një ditë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kundërshtim me Ligjin për Shërbimit të Jashtëm në Republikën e Shqipërisë të këtij dikasteri.

Përveç niveleve të larta, ka raste të theksuara ku diplomatë të nivelit të dytë e më poshtë, me lidhje farefisnore apo klienteliste po shërbejnë në vende të ndryshme prej dekadash. Rasti më tipik është në Ambasadën e Shqipërisë në Paris, ku një diplomat aty ka rreth 20 vjet që shërben dhe nuk është kthyer asnjëherë në atdhe për të shërbyer siç e kërkon ligji.

Po kështu, raste të tilla ka edhe në Përfaqësinë tonë në NATO me diplomatë që shërbejnë me mbi 10 vjet apo me një diplomate ne Ambasadën tonë në Beograd, e cila ka 5 mandate që shërben vetëm nëpër ambasada dhe nuk është kthyer ende në atdhe.

Ka raste kur disa diplomatë, me preteksin e pandemisë, nuk janë paraqitur fare në punë keto 2 vitet e fundit dhe papritur janë shfaqur në godinën e Ministrisë vetëm sapo kanë marrë një emërim në një ambasadë, sepse kanë lidhjet partiake dhe farefisnore që i përmendëm më lart.

Pasojat…

Emërimi i diplomatëve të paaftë dhe aq më tepër i atyre që nuk ia kanë haberrin fare diplomacisë, ndikon negativisht në hartimin e një politike të jashtme mbarëkombetare dhe ndikuese në arenën ndërkombëtare. Por pavarësisht kësaj, bërthama diplomatike profesionale shqiptare ka mbajtur barrën për shumë arritje dhe suksese modeste të politikës së jashtme.

Por ajo që ndikon edhe në këtë drejtim, është mungesa e motivimit të diplomatëve pikërisht për arsyet e përmendura më sipër. Si në çdo vend të punës, aplikimi i ligjit dhe drejtësisë në punë, sjellin automatikisht përgjegjësi dhe rezultate.
Investimi që shteti dhe taksapaguesit shqiptarë bëjnë për diplomacinë dhe nga ana tjetër largimet e diplomatëve jashtë shtetit, janë të dhimbshme.

Jo pak diplomatë, pasi shërbejnë në vendet e ndryshme, marrin nënshtetësinë e vendit ku ata kanë shërbyer, ose nuk kthehen më në profesion duke pranuar një punë qoftë edhe jo dinjitoze në ato vende, mjafton të mos kthehen në Shqipëri. Kjo ndodh pikërisht për arsyet e përmendura më sipër, sepse kur ata e dinë që Ligji i Shërbimit të Jashtëm nuk aplikohet, atëherë nuk kthehen më në Shqipëri për të rrezikuar. Nëse ky ligj do të funksiononte siç duhet, ata do të vinin të shërbenin, normalisht.

Diplomatët shqiptarë janë më të keqpaguarit jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ata nuk arrijnë dot as nivelin e pagave të diplomacisë së Kosovës. Në këto kushte ata janë më të denigruarit dhe pa dinjitet kur perballen me homologët e tyre, po të kemi parasysh kushtet e jetesës dhe të punës që kanë homologët e tyre nëpër botë.

Çfarë mund të pritet prej diplomacisë sonë, nëse me të ardhurat e tyre, diplomatët tanë nuk arrijnë që të ofrojnë një drekë apo një darkë për homologët e tyre në mënyrë që të bëjnë punën e tyre përmes krijimit dhe ruajtjes së kontakteve?

Ndërkohë që në buxhetin e MEPJ-së, synohet që të hapet ndonjë konsullatë shtesë diku për t’i bërë qokën ndonjë miku apo ndonjë personi që nuk ka lidhje me diplomacinë, pagat e diplomatëve mbeten në vendnumëro.
Këto vërejtje esenciale janë shtruar për diskutim edhe në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme./ Marrë nga KOHA- Titulli është i Arberia News/

Shënim: Sinjalizimi për të bërë këtë investigim dhe për tu ndalur më konkretisht, erdhi kohët e fundit nga brenda MEPJ-së dhe informacioni në vijim është marrë nga diplomatë me përvojë karriere të këtij dikasteri.

 

Related Posts

Leave a comment