Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Tehu kritik që mungon në Atdheun e mirë me shoqëri të keqe

Capture
Nga Aleksandër ÇIPA-
Faik Konica shqiptar dhe Emil Cioran rumuno-francez, i deshën atdhetë e tyre në mënyrën vetiake. I deshën vijueshmërisht duke mbajtur “në punë” përditshmërisht, tehun kritik.
Ata nuk lënduan me “tehun e kritikës” së tyre atdheun, por qesëndisën dhe fërtelisën si në karikaturizim të shkëlqyer, shoqëritë e tyre bashkëkohëse.
Kjo “punë” koniciane do t’i vlente shumë e shumë më tepër, shoqërisë shqiptare në këtë kohë, për të qenë më e denjë e më e mirë për atdheun e tonë, Shqipërinë.
Atdheu ynë, prej gati njëqind vjetësh, nuk është mirë për shkak të shoqërisë njerëzore të tij. Nuk është mirë për këtë shkak, sepse ia kanë hequr dhe i mungon dramatikisht “tehu” kritik konician. Për shkak të kësaj mungese, Atdheu ka nevojë për një kirurgji mbi shoqërinë e tij. Ata mendimtarë apo interpretë publik që pretendojnë se e kanë mbajtur në dorë “tehun e kritikës” kanë qenë hileqarë dhe aspak të tillë, për nga lartësia e tyre morale, për nga pesha dhe autonomia mendore e kritike, për nga qëndrimi dhe sjellja në kohën rrjedhëse në raport me qeverisjet e përkohshme, partitokracinë sunduese, për nga ndryshimet e regjimeve dhe statusquove të tyre si dhe për nga kriteret jo serioze të analizës ndaj tyre.
Shqipëria e sotme ka një shoqëri anarkike sepse është amorfe pa sistem vlerash dhe lehtësisht e manipulueshme, është e pavendosur për ndarjen klasike morale të së mirës së përhershme dhe të së mirës së përkohshme, të së keqes së përhershme dhe të së keqes së përdorshme. Për arsye të kësaj mungese kapitale dhe themelore, Atdheu ynë, sot e prej kohësh, nuk është mirë (por, madje shumë i rrezikuar), sepse nuk ka shoqërinë tonë njerëzore që do të duhej të meritonte.
Kjo mungesë e tejzgjatur dhe kjo rëndesë e pandreqshme e shoqërisë mbi Atdheun, ka sjellë në gjendje “ankorimi” frustrimin dhe ligështimin masiv qytetar.
Shoqëria jonë e helmuar deri në trishtim dhe dëshpërim shtues, do të jetojë në sëmundjen e vet, deri sa të lindet mendja e bukur kritike dhe me peshë e paisur njëjtësisht si në Francën e Emil Cioranit dhe kohën e mërgimtarit-arrakat Konica, me “tehun kritik” ndaj shoqërisë. Paskësaj, Atdheu ynë do të jetë ndryshe, sepse tehu kritik mbi shoqërinë do t’ia dalë ta heqë masën malinje të ndërgjegjes së mbartur dhe asaj të ndenjur.
Deri atëhere, siç na tha Çajupi: ”I dashur Mëmëdhe, të dua dhe kështu siç je!”.
P.S: zgjedh për foto ilustruese, statusin e pak muajve më parë, nga miku im i shtrenjtë mendjeplot e konician, Gëzim Basha, të një pamjeje që edhe sot është në fuqi me bustin e vjetëruar e të braktisur të Andon Zako Çajupit, në oborin e Shtëpisë jo-kulturore të Fëmijëve në Gjirokastër.

Related Posts

Leave a comment