Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon sjelljen e kryeministrit Rama me gazetaret

download (1)
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Bullizimi i reporterëve apo masat kryeministrore për “riedukim”, janë presion dhe privim i lirisë për raportim të thelluar
Tiranë më 7 Prill 2022
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon komunikimin e kryeministrit Edi Rama me reporterët në takimin e zhvilluar në datën 7 prill 2022 në selinë e Kryeministrisë, për njohje dhe dialogim për rezultatet e mbledhjes së opinioneve të projektit për Këshillim Kombëtar. Në një pasazh të këtij dialogu kryeministri Rama bullizon një reporter dhe rikujton indirekt masën e mundshme përjashtuese, sikundër ka ndodhur pak ditë më parë, me reporteren Ambrozia Meta.
Këmbënguljes së reporterëve për informacion dhe përgjegjësi të posaçme ndaj çështjeve me ndjeshmëri të madhe publike, kryeministri u përgjigjet me paralajmërim për masat e tij për “riedukim”, të cilat nënkuptojnë përjashtimin nga mundësia e marrjes pjesë në konferencat e shtypit apo të mundësisë për të komunikuar. Gjeste dhe sjellje të tilla, qoftë të shprehura edhe me humor, janë alarm për raportet e qeverisësit me gazetarin dhe sidomos misionin e transparencës në spektrin plural të mediave tona.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon këtë sjellje dhe model komunikimi dhe kërkon zhbërjen e masave të tilla “riedukuese” për gazetarët, të cilat bien erë autoritarizëm.
Përjashtimi i reporterëve nga mundësia për të komunikuar me kryesuesin, pjestarë të tjerë të Ekzekutivit të vendit apo të çdo institucioni qendror, përbën shkelje të së drejtës themelore, lirisë së fjalës, lirisë së informimit etj.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e plotë me kolegët dhe bashkohet fuqimisht në reagimin për një tërheqje të menjëhershme të kryeministrit nga incidente të tilla.
Gazetarët janë në shërbim të interesit publik dhe detyra e tyre është informimi. Ndalimi i tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, kudo dhe kurdo për realizimin e kësaj detyre, është cënim i lirive themelore, është pengim i lirisë raportuese dhe kurajos për informim.
Zyra Informuese
Unioni I Gazetarëve Shqiptarë

Related Posts

Leave a comment