Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

SPAK rihap dosjen përvëluese CEZ-DIA/ Rimerr në pyetje të dënuarin kryesor

CEZ-DIA, META Berisha, Ismailaj

Prokuroria e Posaçme e Hetimit të Krimit të niveleve të larta, SPAK ka rihapur një nga dosjet e njohura si vjedhja më e madhe e Buxhetit të Shtetit, ndryshe dosja CEZ-DIA. “ReportTv” raporton se dy prokurorët, drejtuesi i SPAK Arben Kraja dhe prokurori Altin Dumani, po ndjekin këtë hetim, ndërsa pak ditë më parë kanë pyetur një ndër të dënuarit kryesorë e të vetëm të kësaj afere, Kastriot Ismailajn.

Ismailaj qëndron në burg pas dënimit me 11 vite burg dhënë ndaj tij për këtë aferë, nga Gjykata Penale e Tiranës . Ky është një hetim i ri dhe sipas burimeve të “Report TV” brenda SPAK është regjistruar pas padisë së juristit të OSHE Romeo Kara.

Denoncimin Kara e ka bërë për momentin e lidhjes së kontratës, që sipas tij ka qenë korruptive dhe se çështja duhet të shqyrtohet edhe për korrupsion, jo vetë për vjedhje.

Kara prej kohësh ka akuzuar për këtë aferë ish-zyrtarë të qeverisë së PD-s, mes tyre dhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentitn Ilir Meta, asokohe ish-ministër Ekonomie dhe Energjetike.

Kastriot Ismailaj është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Ai u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë.

Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete. Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milionë euro.

Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve kreu mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij.

Lidhur me rihapjen e dosjes së CEZ-DIA, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij në Kuvend përmendi faktin që SPAK, pavarësisht shpalljes së tij si “non grata” dhe përfshirjes së tij në këtë skandal ende nuk e ka thirrur.

“Si mund t’i besoj unë SPAK kur nuk po thërret Berishën?”. Kjo ishte pyetja që i drejtoi kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla deputetëve të Kuvendit, teksa po fliste lidhur me skandalin e pahetuar të CEZ-DIA.

“E di e gjithë Shqipëria dhe nuk dihet ku kanë shkuar paratë që ka dhënë qeveria japoneze për sistemin e kanalizimeve. Meqenëse zotëria kryeministër në atë kohë, le të shkojë dhe të hetohet. Meqë u hap kjo historia e SPAK gjej rastin ta përshëndes, se më në fund kanë vendosur të hetojnë CEZ-DIA. Qoftë e vërtetë që

SPAK të jetë zgjuar dhe të hetojë edhe atë çështje.  Kastriot Ismailaj është marrë në pyetje nga prokurorët. Është Berisha i pari që duhet të merret edhe si i akuzuar edhe si dëshmitar. Është Nuel Kalaj, personi që mori një thes me euro dhe i ngarkoi në makinë”, tha Balla.

Ai theksoi se Kalaj në emailet që shkëmbente në partnerët çekë thotë se kishte marrë garanci nga Berisha për të vepruar. “Nuel Kalaj në emailet që shkëmbente me partnerët çekë thoshte se ka pengesa nga qeveria, por Berisha do i thyejë çështjet burokratike të qeverisë së vet. Në këtë vend ka ndodhur që ke shitur një aset shtetëror pa ia parë vlerën. Është nga ato raste që nuk dihet nëse shteti shqiptar i ka marrë lekët apo jo ”, tha ai.

Related Posts

Leave a comment