Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

MOSKA E ZHGËNJYER NGA PARTNERI KINEZ

Xi Jinping dhe putini

Nga Ilir KRASNIQI –

Raportet ekonomike midis Kinës dhe Rusisë kanë ndryshuar që nga vendosja e sanksioneve ndaj këtij të fundit, nga ana e perëndimit. Mesa duket kjo ishte arsyeja e një takimi midis zëvendësministrit të jashtëm kinez Le Yucheng me ambasadorin rusë në Pekin Andrey Denisov, me 18 prill, ku kryefjalë e takimit ishin marrëdhëniet dy paleshe.

Bashkëpunimi sipas numrit dy të diplomacisë kineze , konsiston në forcimin e koordinimit strategjik për bashkëpunim të favorshëm  dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të  dy vendeve. Arsyeja e këtij takimi duket se nuk ishte e zakonëshme, pasi çështja e bashkëpunimit nuk po shkon në kahun e dëshiruar të Moskës.

Ambasadori kinez në Moskë kohë më parë,  para vetëm tete afaristëve kinez, tha se biznesi kinez në Rusi duhet të shfrytëzojë mundësin të përmbushë zbrazëtin në tregun rus. Vetë lideri kinez Xi Jinping , ditë më parë, deklaroi se qeveria e tij mbështet bisedimet për zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare dhe kundërshton përdorimin e sanksioneve. Sanksionet ndaj Rusisë po i shkaktojnë kokëdhembje edhe Pekinit zyrtar.

Me një shkallë të inflacionit 17.5%, presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin për vendosjen e e kufizimeve të cilat i cilësoi si të paligjshme ndaj kompanive ruse, duke shtuar se sanksionet shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.  Numri një i Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiulina,  vlerësoi se ekonomia ruse nuk mund të jetojë gjithmonë nga rezervat e saj financiare dhe për shkak të sanksioneve duhet përsëri të pozicionohet, duhet një transformim i ekonomisë. Nëse shihet në mes rreshtash sugjerimi për transformim të ekonomisë njëfarë mënyre e zëvendëson frazën “krizë e thellë”.

Pas vendosjes së sanksioneve për Federatën ruse e  vetmja derë e hapur mbetet Kina me të cilën ka vendosur marrëveshje partneriteti strategjik. Por ky partneritet lidhet vetëm në një pikë të përbashkët rivaliteti me vendet perëndimore.

Por si Kina ashtu edhe Rusia në planin ekonomik dallojnë shumë nga njëri tjetri. Në pikëpamjen ekonomike pra nuk është një partneritet i barabartë, përveç se në pikëpamje politike dhe ushtarake. GDP vetëm e provincës jugore kineze Guangdong është më e madhe se e gjithë Rusisë. Kështu që nëse e konsiderojnë Rusinë vetëm si një ekonomi, atëherë vërtet nuk ka asgjë për ta krahasuar me Kinën.

Ish-punonjësi i Bankës Qendrore, Andrey Cherpanov, për “Rl” theksoi se Rusia është me të vërtetë shumë e integruar në ekonominë botërore, ndaj shumë prodhime vendase bazohen absolutisht në  zhvillime të papritura, kjo nga një lloj varësie nga gjërat  më të vogla, furnizimi perëndimor, ushqimi i kafshëve në fushën e prodhimit bujqësor dhe kjo  mund të çojë në situata të rënda.

“Ne shohim se Kina nuk është ende veçanërisht e etur për të ndihmuar Rusinë të anashkalojë sanksionet, të paktën jo publikisht. Sot ka vetëm lajme se UnionPay ka refuzuar të punojë me Sberbank dhe, në përgjithësi, me të gjitha bankat që janë nën sanksionet e SHBA”, tha ai.

Bashkëpunimi me plot dyshime  

Rusia llogarit se pa të Kina s’mund të realizojë planet  ushtarako -politike dhe gjeo- ekonomike duke shfaqur shpresën se nuk do t’ua kthejë shpinën.   Ndonëse Pekini i frikësohet SHBA-ve, mbetet një pikëpyetje e madhe nëse ajo do të ishte e gatshme të ndërhyjë në ndonjë konflikt me Perëndimin që do të ishte një “dhuratë” për Rusinë.

Nëse shihen deklaratat zyrtare të Pekinit nuk vërehet se ka edhe aq mirëkuptim të veprimeve të Rusisë përmes një dënimi të vendeve perëndimore, pavarësisht që në situatën aktuale Rusia mund ti nënshtrohet diktatit kinez.

Sergei Karaganov, i lidhur me një sërë idesh kryesore të politikës së jashtme ruse,nuk e përjashtoi rrezikun e rritjes ekonomike të Kinës në Rusi por nuk do të bëhet satelit i saj.  “Kina ka shumicën e teknologjive që na duhen, dhe ka shumë kapital, kështu që nuk ka dyshim për këtë. Por dyshoj se Rusia do të bëhej një lloj vendi satelit sipas traditës kineze të Mbretërisë së tyre të Mesme. Nëse më pyesni se si do ta përshkruaj Rusinë me një fjalë, ai është “sovraniteti”. I mundëm ata që u përpoqën të na sundonin…

Një arsye tjetër pse nuk kam frikë është se qytetërimi kinez është shumë i ndryshëm. Ne kemi tiparet tona aziatike në gjenet tona, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi pjesërisht një vend aziatik. Dhe Siberia është thelbi i Perandorisë ruse: pa Siberinë, Rusia nuk do të bëhej një vend i madh. Zgjedha tatare dhe mongole la shumë tipare në shoqërinë tonë. Por ne jemi me kultura të ndryshme, kështu që nuk mendoj se është e mundur të bëhemi një kukull kineze.

Megjithatë, unë jam i shqetësuar për dominimin e madh ekonomik të Kinës gjatë dekadës së ardhshme. Njerëz si unë sapo kanë thënë se ne duhet të zgjidhim problemin e Ukrainës, ne duhet të zgjidhim problemin e NATO-s, në mënyrë që të jemi në një pozicion të fortë në raport me Kinën. Tani do të jetë shumë më e vështirë për Rusinë t’i rezistojë fuqisë kineze”, tha analizoi z. Karaganov.

Deri para ngjarjeve në Ukrainë, Pekini zyrtar gjithmonë ka qenë i frikësuar se Rusia po ofrohet më shumë me Perëndimin dhe nesër mund ta kthejë shpinën dhe për këtë kanë folur  shumë herë në konferenca. Ata ishin të habitur pse figurat e elitës ruse të cilët deri vonë përkrahnin afrimin me Perëndimin, filluan papritur të flasin për afrim me Lindjen. Kjo I ka vënë në dilemë nëse atyre mund tu besohet pas këtyre ngjarjeve. Kjo sepse të gjitha këto ndryshime rrënjësore kanë të bëjnë vetëm me një person që është presidenti i Rusisë. Kështu që  kinezët  kanë frikë që nëse atij i ndodhë dicka atëherë  peshorja më tepër do të lëviz më shpejt nga perëndimi se nga lindja.

Edhe analistët kinezë e kuptojnë gjithashtu se Rusia e shikon Kinën si një partner dhe aleat, por, gjithashtu, e konsiderojnë të pamundur të thuhet se shpirti rus është më afër kinezëve sesa evropianëve. Kjo e vendos Kinën në një situatë mjaft të vështirë. Prandaj, deri më tani, rezulton se Kina ka fituar një kohë të caktuar – nga 5 në 15 vjet.

Ashtu edhe pas valës së sanksioneve “post Krimesë”, llogaritja kryesore e Kinës ishte se Rusia do t’i ofronte bizneseve kineze kushte “të veçanta dhe të privilegjuara” biznesi – marrjen e garancive shtetërore për marrëveshjet e investimeve; Pranimi në industri strategjike si minierat; Thjeshtësimi i procedurave për ardhjen e punëtorëve nga Kina dhe importi pa taksa e pajisjeve dhe makinerive për projekte investimi; avantazhe të nënkuptuara ndaj investitorëve nga vende të tjera.

Në tetë vjet, kinezët nuk kanë marrë kurrë lëshime të tilla dhe situata nuk do të ndryshojë në mënyrë dramatike, sepse për rusët nuk është në interes të tyre siç edhe janë deklaruar të zëvendësojë një varësi me një tjetër. Domethënë, mbrojtja e industrive strategjike nga rënia nën kontrollin e kapitalit të huaj, dhënia e prioritetit ekspertëve vendas dhe lokalizimi i prodhimit janë shtylla të politikës investuese të Moskës dhe deri më tani nuk ka pasur përjashtime, as për një partner të tyre sic është Kina.

Pra, pritshmëritë që Pekini mund të mbështesë ekonomikisht fuqishëm Moskën   janë joreale, duke pasur parasysh eksportin e lartë dhe varësinë teknologjike të ekonomisë kineze nga Perëndimi, domethënë frikën e sanksioneve dytësore nga Uashingtoni. Po ashtu ngjarjet në Ukrainë i kanë prishur planin e zhvillimit kinez  ajo që njihet “Made in China 2025”.

Nga njëra anë, Kina ka fituar një aleat në formën e Rusisë, e cila tani me të vërtetë nuk ka zgjidhje tjetër dhe nuk ishte llogaritur.  Por duke pasur parasysh vëllimin e madh të tregtisë së saj, Kina nuk është e gatshme të shkëputet nga Perëndimi për shkak të veprimeve të Rusisë.

Vëllimi i tregtisë vjetore të Kinës me BE-në është më shumë se 800 miliardë dollarë, me SHBA – 740 miliardë dollarë dhe me Rusinë – 146 miliardë dollarë  më tepër, në vitet më të mira – për shembull, në 2016 dhe 2017 – Kina ka investuar  100-120 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. Nuk janë vetëm paratë në banka. Këto janë para të investuara në biznese. Kina po mbështetej tek ata. Tani rezulton se Kina duhet të rindërtojë gjithçka shumë shpejt.

Por Kina filloi të kuptonte se mekanizmat e bllokimit ekonomik perëndimor janë shumë të frikshëm. Rusia është më pak e integruar në ekonominë botërore sesa Kina. Këta të fundit gjatë administrimit të presidentit amerikan Trump nuk e kishin marrë seriozisht thirrjet për të zhvendosur bizneset amerikane nga Kina në SHBA, shumë firma amerikane filluan të shikonin vendet si Argjentina apo Brazili si alternativa ndaj Kinës. Dhe Kina e kuptoi: jo gjithçka është kaq e thjeshtë.

Kompanitë kineze anashkalojnë Rusinë

Pekini tani po mendon seriozisht: nëse kundër tyre  zbatohen të njëjtat sanksione që janë vendosur tani ndaj Rusisë, atëherë çfarë duhet të bëjnë? Kina është aq e lidhur me operacionet e eksport-importit, sa Rusia as që mund ta ëndërronte. Në Kinë, pothuajse 40 për qind e PBB-së formohet nga operacionet e eksport-importit. Për më tepër, këto operacione janë shumë më të ndryshme se ato ruse.

Në Rusi  është kryesisht nafta dhe gazi, ndërsa në Kinë është e gjithë gama e mallrave. Dhe tani kinezët thonë: ne duhet të shkëputemi sa më shpejt nga ky sistem nga i cili jemi kaq të varur. Një pikë tjetër e rëndësishme është  nisma kryesore ndërkombëtare “Një brez dhe një rrugë”, ku Kina ka derdhur jo zyrtarisht të paktën 300 miliardë dollarë në shtetet e Evropës, Azisë dhe Afrikës.

Megjithatë, doli se shumë vende janë të kënaqura me investimet kineze, por jo me prezencën kineze. Kina udhëhiqet nga një politikë ekonomike e investimeve në tregje të qëndrueshme ose shumë të lira.  Në të ardhmen e afërt nuk do të ketë investime të mëdha, përveç atyre që tashmë janë bërë.

Më tej, Kina do të investojë vetëm në industri me likuiditet të garantuar: naftë, gaz, rafinim, transport, ndoshta miniera qymyri. Kina po përdor akoma më shumë se 60% me qymyr të zi, dhe qymyri australian nuk po vjen.

Diku tjetër, Kina po investon në hekurudha dhe turizëm. Por kthimi i projekteve të tilla në Rusi tani do të jetë i ulët. A do të furnizojë Kina mallra nga kategoria e atyre që kanë pushuar së eksportuari në Rusi?

Pjesërisht po. Por duhet kuptuar se shumë mallra kineze – tekstile, teknologji IT – janë kontraktuar për një ose dy vjet përpara. Është e qartë se Kina tani ka frikë nga sanksionet ekonomike dytësore të SHBA-së në lidhje me tregtinë me Rusinë. Bankat kineze dhe ndërmarrjet kineze kanë frikë nga kjo.

Sipas disa publikimeve ka vonesa në pagesa nga Kina, vonesa në furnizimin e mallrave. Institucionet financiare kineze kanë qenë të kujdesshme të mos afarojnë me partnerët rus madje edhe në situata më pak të rrezikshme. Kështu më 2017 dhe 2018 hapja e llogarive në bankën kineze ishte një problem për kompanitë ruse edhe përkundër luftës tregtare të Peikinit dhe Uashingtonit.  Për shembull kompania e naftës “Sinopek” bëri të ditur se pezullon  bisedimet me Sibur për një fabrikë të re kimike gazi.

Banka Aziatike për Infrastrukturën dhe Investimet (ABII) ka pezulluar operacionet në Rusi dhe ka ndaluar dhënien e kredive të reja për Moskën dhe Minskun. Kjo është masa më e vështirë indirekte që Kina mund të marrë pa e humbur fytyrën apo pa i kthyer shpinën Moskës

Në fillim të marsit, Vedomosti raportoi , duke cituar disa burime, se transportuesit kinezë kishin filluar të pezullonin transitin e mallrave përmes Rusisë në BE. Transporti hekurudhor praktikisht është ndalur, shkruan gazeta. Dhe kjo doli e saktë pasi Kina ka nisur një rrugë hekurudhore për në Gjermani që anashkalon Rusinë.

Në të, trenat do të mund të arrijnë në qytetin gjerman Mannheim, specifikoi portali qeveritar Сhina.org. Linja e re kalon përmes Kazakistanit, Azerbajxhanit, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke. Ai kalon Detin Kaspik dhe Detin e Zi me ndihmën e transportit të kombinuar hekurudhor dhe detar. Më 13 prill, treni i parë i ngarkuar me mallra sportive u largua nga qyteti i Xi’an. Kompania ndërkombëtare e logjistikës me bazë në Xi’an Ruian, beson se efikasiteti i një transporti të tillë do të rritet dhe kostot do të reduktohen.

Edhe në rrafshin bashkëpunimit akademik gjërat nuk po ecin sipas planit të dëshiruar rus.  Kreu i Akademisë së Shkencave Ruse, Alexander Sergeev, njoftoi pezullimin e bashkëpunimit shkencor me partnerët nga Kina dhe ngrirjen e projekteve të përbashkëta. “Kolegët tanë shkencorë kinezë gjithashtu kanë ndaluar dhe gjatë muajit të kaluar ne nuk kemi qenë në gjendje të hyjmë në diskutime serioze, ” citoi Interfax të thoshte Sergeev.

 Importet kineze të gazit dhe naftës zbusin krizën energjetike në Evropë

Sipas së përditshmes ruse “Rosbalt”, të 19 prillit, thuhet se nëse nuk zbuten sanksionet, atëherë ekonomia ruse në këtë vit do të ulet me rreth një të dhjetën. Nga tre skenarët e paraqitur nga shkurtimi i marrëdhënieve ekonomike ruso – perëndimore , sipas kësaj të përditshme Kina do të jetë përfituesi i skenarit të parë në rast se vazhdojnë sanksionet. Skenari i dytë i  i referohet mundësisë së ashpërsimit të sanksioneve perëndimore (pra, ndërprerja e blerjeve të transportuesve rusë të energjisë), e shoqëruar, megjithatë, me refuzimin e Kinës për t’i zbatuar ato.

Në të njëjtën kohë, është e qartë se Pekini do të shkojë në një manovër kaq të rrezikshme vetëm nëse fillon t’i konsiderojë përfitimet e kapitalizmit të burimeve ruse si shumë të larta. Kjo do të thotë, kontrolli i “vëllait të madh” në këtë rast do të jetë veçanërisht i ashpër.

Në fund të fundit, Moska nuk do të ketë blerës të tjerë. Ajo që është realiste është se në rast embargoje ndaj vendeve evropiane, nafta ruse do t’i shitet më shumë Kinës, Indisë, Tajlandës, Indonezisë dhe se zbritja e ofruar nga Moska do të jetë shumë më e ulët se diferenca në çmimet e naftës para dhe pas luftës në Ukrainë.

Një veçori e këtij opsioni, të paplanifikuar në Perëndim, është se duke mbrojtur (ndonëse pjesërisht) Moskën nga sanksionet, Pekini do të zbusë pasojat e tyre për ata që vendosën këto sanksione. Sepse rritja e fluksit të burimeve energjetike ruse në tregun kinez do të zvogëlojë kërkesat e Kinës në tregun botëror, nga ku ato furnizohen. Dhe kështu të ndihmojë blerësit perëndimorë të naftës dhe gazit që të merren me shitësit e tjerë.

Dhe së fundi, skenari nr. 3, i cili, duke gjykuar nga zhvillimi i ngjarjeve, mund të quhet inercial: Perëndimi forcon sanksionet, ndërsa Kina mund të mos i zbatojë plotësisht ato, por nuk rrit lidhjet ekonomike me Moskën. Për Rusinë, sipas vlerësimeve të përafërta, kjo do të thotë një reduktim afërsisht dyfish (me 3 milionë fuçi në ditë) në eksportin e naftës dhe produkteve të naftës.

Dhe afërsisht e njëjta rënie në shitjet e gazit dhe qymyrit. Rënia e ekonomisë dhe e standardit të jetesës, sipas këtij publikimi, në këtë rast rritet ndjeshëm – ndoshta deri në 20%. Vërtetë, propagandistët dhe zyrtarët sigurojnë se Perëndimi, ose të paktën Evropa, do të paguajë për refuzimin e karburantit rus me kolaps të plotë ekonomik.

Në të vërtetë, në fillim të këtij viti, Bashkimi Evropian mori nga Rusia pothuajse 50 për qind të importeve të saj të gazit dhe aksione pak më të vogla të naftës dhe qymyrit. Varësia e Gjermanisë është veçanërisht e madhe. Në mungesë të bojkotit të naftës dhe gazit, GDP pritet të rritet me 2.7 për qind në 2022.

Dhe ndërprerja e menjëhershme e të gjitha lidhjeve me Rusinë do të sjellë në këtë vend, sipas vlerësimeve të ndryshme, një rënie të ekonomisë ose me 2 për qind, madje edhe me 7 për qind. Vetë kjo përhapje shifrash tregon se parashikimet e besueshme në situata të tilla të pazakonta si ajo aktuale, vështirë se janë të mundshme.

Bojkoti perëndimor i naftës ruse, i pa kompensuar nga Kina, do të heqë nga tregu botëror, siç u përmend tashmë, rreth 3 milionë fuçi në ditë krahasuar me vitin 2021. Dhe për rritjen e pritshme prej 3 për qind të ekonomisë globale në vitin 2022, përkundrazi, do të kërkohet një rritje e konsumit të energjisë me 2-3 milionë fuçi. Domethënë, deficiti në këtë rast do të jetë 5-6 milionë fuçi.

Kush mund ta mbyllë?  Monarkitë arabe janë në gjendje të rrisin shpejt prodhimin me 2 milionë fuçi. Në SHBA, prodhimi pritet të rritet me 1 milion fuçi në vitin 2022. Prodhuesit më të vegjël mund të shtojnë edhe 1 milion fuçi. Mungojnë një ose dy milionë fuçi. Domethënë, me çmime mjaft të larta të naftës, tregu do të jetë pak a shumë i balancuar, por ritmi i rritjes së ekonomisë botërore do të ulet.

Diku, si në Gjermani, recesionet janë të mundshme, por vështirë se janë të gjata. Dhe nëse negociatat me Iranin çojnë në heqjen e embargos së naftës prej tij, kjo do t’i shtojë tregut një milion në një milion e gjysmë fuçi dhe deficiti do të zhduket plotësisht për një maksimum prej një viti.

Pa prekur anën politike të të gjitha këtyre ngjarjeve, vërejmë se në kuptimin material, skenari nr. 3 nënkupton humbje veçanërisht të rënda për Rusinë dhe humbje të moderuara për Perëndimin.

© Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbëria News.net”, dhe, sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”, gëzon të drejtën e autorësisë. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit, referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi ligjore.

 

Related Posts

Leave a comment