Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PETICIONI KUNDËR AMBASADËS AMERIKANE

275667387_2473970859400216_9030975351607950058_n
Nga Sebastian Zonja
“Enough is enough” i tha presidenti Xhorxh Bush padrejtësive ndaj shqiptarëve në 2007-ën, e më pas u futëm në NATO dhe Kosova u shpall e pavarur.
1. Qëndrimi pro dhe antiamerikan ka të bëjë me linjën zyrtare të politikës amerikane. Është qëndrim gjeostrategjik dhe s’ka të bëjë nëse të pëlqen më shumë demokracia amerikane apo ajo gjermane. Ka më shumë zëra kritikë të politikës amerikane brenda në Amerikë se në gjithë Ballkanin. Linja zyrtare është ajo që shpallet nga institucionet zyrtare. Në çastin kur çarja mes një fraksioni opozitar në vendin tonë dhe SHBA-ve bëhet mediatike dhe niset një peticion kundër ambasadës, pyetja është se për kë po luan ky fraksion opozitar?
2. Ky fraksion opozitar ka ndikuar në mënyrë të përsëritur për caktimin dhe moscaktimin e ambasadorëve në vendin tonë. Së fundmi, një rast që u kthye në problem brenda Departamentit të Shtetit, ishte moscaktimi i Kathleen Ann Kavalec si ambasadore në Shqipëri. Kandidatura e saj nuk u miratua nga ana e Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, në janar të vitit 2018, për shkak të ndërhyrjeve të lobimit nga Shqipëria. Fakti që niset një peticion kundër ambasadores aktuale tregon se Departamenti i Shtetit ka ndërprerë çdo lidhje me këtë fraksion opozitar, madje edhe lobistët nuk punojnë më për ta.
3. Presidenti francez Emanuel Macron do ta akuzonte në debatin televiziv përpara zgjedhjeve kundërshtaren e tij Marine le Pen se është filoruse në politikat e saj. Francezët janë një komb i ndërtuar mbi Revolucione dhe Protesta madhështore që i kanë dhënë jetë asaj France të mrekullueshme sot. Ata jetojnë për të qenë të pakënaqur me qeverisjen e tyre, me Amerikën, me Britaninë … përveç djathit dhe verës. Por kritika e Macronit ndaj kundërshtares së tij zuri vend. Sovraniteti politik që kërkon Marine le Pen është në kundërshti me politikën zyrtare franceze në Këshill të Sigurimit, në BE dhe në NATO. Është e njëjta gjë që kërkojnë rusët – të forcojnë sovranizmat evropianë për të shpërthyer nga brenda BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Shqipëria ka nevojë për një mendësi sovraniste të mirë dhe plot jetë, e cila të gjallojë e të tregojë se ne kemi mundësi të ecim me këmbët tona, të ndërtojmë institucione të pavarura dhe ekonomi të mirë. Por fajtorët se pse s’i kemi këto institucione sovrane, të lira dhe të drejta, shqiptarët e dinë shumë mirë se kush janë. Ndryshimi i shënjestrës nuk tregon asgjë për shqiptarët e ndershëm të këtij vendi që e duan Shqipërinë plot dinjitet mes vendeve të botës dhe aleatëve euroatlantik, por tregon shumë për grahamat e fundit të një kaste të marrë peng.
4. Shqipëria ka paqartësi në idenë e saj të Evropës, sepse ngjan se edhe vetë Evropa ka paqartësi në idenë e saj për Shqiptarinë. Shqiptarët nuk kanë asnjë paqartësi sa i përket politikës së qëndrueshme amerikane pro shqiptarëve – Fushatat për fitoren e PD-së më 1992-shin; bombardimi 72 ditor i Beogradit më 1999-ën; Futja e Shqipërisë në NATO në vitin 2008, ku një vit më herët shpallet pavarësia e Kosovës në Tiranë nga presidenti amerikan George Bush me fjalët lapidare – “enough is enough”. Ai do t’i drejtohej me këto fjalë rivalit gjeostrategjik rus për ta shpallur nga Tirana pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës. Shqiptarët janë mirënjohës! Shqiptarët janë të besës! Shqiptarët dinë të ndërtojnë shtet!
5. Pengjet krijonë marrëdhënie vasaliteti. Marrëdhëniet e vasalitetit janë marrëdhënie të sëmura. Kësisoj e kanë sëmurur edhe Shqipërinë. Njerëzit e lirë ndërtojnë marrëdhënie reciproke dhe respekti. Nuk ka kush respekt për hajnin, as për vrasësin, por kanë respekt maksimal për ata që e duan atdheun e tyre ta shohin të lulëzojë mes kombeve të tjera.
6. Beteja e shqiptarëve është me veten, nuk është me amerikanët, as me kinezët. Beteja jonë është me mentalitetin tonë stalinist. Ne dhe vetëm ne mund të ndërtojmë një shoqëri më të mirë. Ndihma e miqve është e mirëpritur, por vetëm ne, vullnetet tona të përbashkëta për një vend ku të jetojmë me dinjitet, mund t’i themi “enough is enough” influencave malinje në vendin tonë.
7. Pas vitit 1945 Shqipërinë do ta qeveriste një triumvirat – E. Hoxha, M. Shehu , H. Kapo. Ky triumvirat pati edhe linjat e tij politiko-ekonomike në pluralizëm. Ka ardhur koha që Shqipëria të ndërtojë infrastrukturën e saj euroatalntike dhe t’i thotë “enough is enough” strukturave jugosllavo-sovjetike.
8. Sali Berisha do ta niste karrierën e tij politike duke thënë se “ylli polar është bashkimi kombëtar” e po e bitis, fatkeqësisht, duke thënë se “sovraniteti do të na mbrojë nga euroatlantizmi”. Partia Komuniste me në krye Enver Hoxhën do ta niste duke masakruar bijtë shqiptarë në Tivar e me vllazërim me Beogradin, teksa Rama po e bitis pikërisht nën amanetin e etërve politik – Prishtina anashkalohet për tandemin Rama – Vuçiq.
9. Para pak vjetësh, M. Dodiku ne Bosnje dhe A. Vuçiqi në Serbi do të bënin të njëjtin veprim duke artikuluar fort se amerikanët po ndërhynin në punët e brendshme të këtyre vendeve. Madje, Dodiku ka artikuluar edhe “non-grata” ndaj ambasadorit amerikan. Ne e dimë mirë se kjo ndërhyrje ishte për të stabilizuar Ballkanin kundër influencave gjeostrategjike ruse. Pse duhej të shkonte në këtë pikë edhe Shqipëria? Kjo është kambanë alarmi për shqiptarët e ndershëm që e duan vendin e tyre.
10. Pyetja e faktorit shqiptar në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë do të duhej të ishte se kush do të jetë Eliot Engeli tjetër në Kongresin amerikan. Ndërkohë, pengjet e agjenturave kanë hall tjetër: kur do ta shpallin “non – grata” ambasadën amerikane në Shqipëri

Related Posts

Leave a comment