Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Presidenti Biden dhe zgjedhjet e nëntorit për në Kongres

auto_biden1649268524

Presidenti amerikan Joe Biden po i kthehet takimeve për grumbullim fondesh për zgjedhjet e nëntorit, pas lehtësimit të masave kundër koronavirusit, që kufizuan ekspozimin e tij ndaj turmave të mëdha. Aftësia e presidentit për të mbledhur fonde për fushatat politike është veçanërisht e rëndësishme për një parti që përballet me sfida të mëdha në përpjekje për të ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.

Presidenti Biden zhvilloi takimet e para të mbledhjes së fondeve për fushatat politike të partisë së tij demokrate në shtetet veriperëndimore të Oregonit dhe Uashingtonit. Ai i fitoi këto shtete me epërsi të madhe në vitin 2020, me shumë votues të motivuar nga çështjet që lidhen me ndryshimet klimatike.

“Ne kemi arritur në pikën ku kriza mjedisore është bërë kaq e qartë për njerëzit, me përjashtim të ish-presidentit, saqë kemi vërtet një mundësi për të bërë gjëra që nuk mund t’i kishim bërë dy, pesë, ose 10 vjet më parë.” 

Përgjigja ndaj ndryshimeve klimatike është një çështje e rëndësishme për votuesit në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres, së bashku me luftën në Ukrainë dhe emërimet në Gjykatën e Lartë. Por sondazhet vazhdimisht tregojnë se problemi më i madh në këto zgjedhje për demokratët është shqetësimi për gjendjen e ekonomisë amerikane.

“Po, ne kemi nivel të ulët të papunësisë dhe Shtëpia e Bardhë ka të drejtë ta theksojë këtë. Por sa herë njerëzit shkojnë në dyqanet ushqimore dhe në pikat e karburantit ata përballen me çmime shumë të larta dhe janë shumë të shqetësuar për inflacionin”, thotë analisti politik Larry Sabato nga Univeristeti i Virxhinias.

Banori i Oklandit, Jason Emerson thotë se gjithçka duket më e shtrenjtë.

“Çmimet e karburantit janë rritur dukshëm, të gjithë e dinë këtë. Pra, unë po paguaj më shumë tani për karburantin e makinës që e përdor për të shkuar në punë. Ne kemi taksat që sapo u rritën vitin e kaluar, dhe rritjen e çmimit të vezëve. Pra, gjithçka po rritet”, thotë ai.

Në Portland të Oregonit, Presidenti Biden tha se partia e tij ka ndihmuar në krijimin e 7.9 milionë vendeve të reja të punës dhe përsëriti përparësinë e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës së vendit.

“Ka kaluar një kohë shumë e gjatë, që kur Amerika ka investuar në aeroportet, portet dhe hekurudhat tona. Ne nuk e kemi bërë këtë. Dikur ne kishim infrastrukturën më të mirë në botë. Ky është një fakt”, tha Presidenti Biden.

Nuk është e pazakontë, që partia e presidentit të pësojë humbje në zgjedhjet për Kongres, që përkojnë me mesin e mandatit të tij, ose dy vjet pas zgjedhjeve presidenciale. Por zoti Sabato thotë se zgjedhjet e këtij viti mund të jenë veçanërisht të vështira për Presidentin Biden.

“Demokratët janë me të vërtetë në një rrugë të vështirë dhe ka shumë të ngjarë të humbasin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mund të humbasin lehtësisht edhe Senatin, që do ta dobësonte pozitën e Presidentit Biden në gjysmën e dytë të mandatit të tij. Dhe ndoshta në këtë epokë të hiperpolarizimit dhe politikave në vija partiake, është shumë më e rëndë për zotin Biden sesa për presidentët e tjerë, sepse ka kaq pak ligjvenës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, ose Senat, që mund të jenë të gatshëm të votojnë pro programeve të tij”. 

Presidentin Biden e pret një punë e madhe ndërsa ai u kthehet takimeve për grumbullim fondesh. Komiteti Kombëtar Demokrat njoftoi se kishte mbledhur më shumë se 170 milionë dollarë deri në fund të marsit, krahasuar me më shumë se 200 milionë dollarë të mbledhura nga Komiteti Kombëtar Republikan./VOA

Related Posts

Leave a comment