Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një projekt europian për gjuhën

F3C78F04-514F-47C6-A56C-C583B1B0B93C

Dr. Manjola ZAÇELLARI

Dje, në Ditën e Europës, u mbajt takimi i parë informues i projektit Jean Monnet Module Multilinguizmi, edukimi gjuhësor dhe dialogu ndërkulturor në BE – EUMLEID. Koordinatorja e projektit, Dr. Manjola Zaçellari bëri një paraqitje të shkurtër të projektit, duke theksuar se zbatimi i tij nga Kolegji Universitar Wisdom sjell një dimension të ri të studimeve evropiane. Më tej, anëtarët e tjerë të projektit prezantuan aktivitetet dhe rezultatet kryesore të Modulit. Prof.as.dr. Lediana Beshaj bëri një paraqitje të aktiviteteve kryesore të projektit, të cilat do të zhvillohen përgjatë tre viteve. Dr. Edit Bregu paraqiti përmbajtjen e Modulit dhe theksoi rëndësinë që ka ky projekt për të avancuar studimet europiane në Kolegjin Universitar Wisdom. Dr. Noela Mahmutaj bëri një prezantim të mënyrës se si do të promovohet projekti në web dhe mediat sociale. Në fund, takimi u mbyll me një urim nga të pranishmit për ditën e Europës dhe me dëshirën që Shqipëria të bëhet sa më parë anëtare e Bashkimit Europian.

Dy fjalë rreth këtij projekti…

Projekti “Multilinguizmi, edukimi gjuhësor dhe dialogu ndërkulturor në BE” që do të ofrohen në trajtën e një kursi universitar në Kolegjin Universitar Wisdom, jep një pasqyrë të historisë, vlerave dhe rëndësisë së studimit të Bashkimit Evropian. Ai jep njohuri mbi strukturën dhe politikat e BE-së. Në mënyrë të veçantë, ai mbulon aspektet kyçe të politikës gjuhësore dhe edukimit gjuhësor në një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtete të tjera joanëtare, dhe analizon sfidat me të cilat përballet komuniteti evropian në zbatimin e politikave gjuhësore dhe arsimore. Më konkretisht, lënda analizon funksionet e institucioneve kyçe evropiane dhe shqyrton formimin dhe zbatimin praktik të mekanizmave mbrojtës për gjuhët zyrtare dhe jozyrtare brenda BE-së, me theks te gjuhët e pakicave dhe atyre autoktone. Për këtë qëllim, studentët dhe të gjithë tëinteresuarit do të mund të marrin njohuri të thella rreth asaj çka BE-ja po bën për të promovuar shumëgjuhësinë, për të mbrojtur të drejtat gjuhësore të personave, për të luftuar diskriminimin ndaj njerëzve që i përkasin një pakice/grupi etnik si dhe respektimin e diversitetit kulturor, fetar dhe gjuhësor në Europë. Kursi propozon një analizë të thellë të katër shtyllave qendrore të politikës gjuhësore të BE-së, që lidhen me planet gjuhësore të BE-së për të promovuar barazinë dhe përdorimin e gjuhëve evropiane si dhe mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara të Europës; projektet evropiane për të rritur përfshirjen sociale të grupeve të pafavorizuara si dhe promovimin e të drejtave gjuhësore; iniciativa për të promovuar mësimin e të paktën dy gjuhëve të huaja nga qytetarët evropianë dhe promovimin e përkthimit dhe interpretimit si mjete bazë të komunikimit midis rajoneve europiane. Një fokus i veçantë i kushtohet politikës së gjuhës shqipe/gjuhës së pakicave, po ashtu dhe çështjes së gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, si gjuhë e dytë zyrtare.

Aktivitetet që janë parashikuar në kuadër të projektit:

1. Tryezë e rrumbullakët- Vlerat e Bashkimit Europian

2. Tryezë e rrumbullakëtPërkthimi si mjet bazë ikomunikimit ndërmjet rajoneve europiane

3. Workshop- “Për një prestigj europian të gjuhëve të vogla” –ku do të trajtohen çështje të tilla si: Shqipja si një degë e veçantë në pemën e familjes së gjuhëve indo-europiane/ Vlerat e gjuhës shqipe/ Profili i politikave arsimore gjuhësore në Shqipëri; Shqipja si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut; Perspektiva evropiane për gjuhët rajonale.

4. Konferencë ndërkombëtare – EU Multilingualism – Linguistic, Cultural and Social issues”

Disa nga rezultatet e projektit:

Në përfundim të projektit parashikohet botimi i një teksti universitar “Multilinguizmi në BE, Edukimi Gjuhësor dhe Dialogu Ndërkulturor” do të trajtojë çështje që lidhen me strukturat politike dhe ekonomike të BE-së, do të eksplorojë funksionet e institucioneve kryesore evropiane dhe do të shqyrtojë formimin dhe zbatimin praktik të mekanizmave mbrojtës për gjuhët zyrtare dhe jozyrtare me theks te gjuhët e pakicave dhe indigjene.

Po ashtu, projekti parashikon edhe botimin e artikujve shkencorë me fokus te multilinguizmi.

Leave a comment