Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Visi providencial që e riprek

cipa-aleksander
Nga Aleksandër Cipa
Sa herë kthehem ( dhe tashmë rikthimet janë shpeshtuar dhe po shumështohen) në visin e Atit, ndiej dhe kam diçka prej kurrili. Ngarkohem me një totem diellor, më saktë dritë të brendshme, tek e cila më shtresëzohen kumtet dhe meditimet. Kurrili është zogu dimëror që afrohet pranë banesave sikur tenton komunikimin me njerëzit. Aty ku rikthehem ka tjetër marrëdhënie komunikimi në heshtje me natyrën dhe me vetveten. Natyra, si një piktore kapriçioze e pariparueshme, i bën dhe i zhbën orë pas ore pamjet tablore të vetvetes. Peizazhi është sundues brenda njeriut, pamvarësisht se ndryshimet e vetvetes, befasueshëm i kryen para syve njerëzorë. Është e pamundur të sigurosh një koleksion apo album shterues me ato peizazhe dhe ngjyrat e transferueshme të tyre. Natyra është gjeniale e parrokshme, e pakufizueshme, e pashtershme dhe e pasundueshme. E lirë si mundësia njerëzore për të parë gjithkund, çka mund dhe deri në aftësinë vetiake të syve të çdo specieje njerëzore. Në këtë gjenialitet të pamasë të natyrës është edhe kryevepra e ndjeshme e mistikes.
Në atë vis të lartësishëm, mund ta takosh mistiken. Atje është vijueshmërisht një mundësi në fuqi e ritakimit dhe e rindjerjes së saj. Ka edhe thellësinë edhe lartësinë, edhe ngjyrat, por sidomos praninë e ajërt të saj. Je në botën dhe tejbotën e mistikes.
Një prani providenciale dhe një komunikim me njërën anë veten dhe me anë tjetër, padukjen. Atje, vetëm atje, mund të ndjesh dhe fitosh këtë komunikim.
Unë rikthehem atje, sepse bën gjumin Ati.
Në çdo rikthim nuk kam komunikim të njëjtë. Nuk kam të thëna të përsëritura.
Nuk kam të njëjtin lot.
Nuk kam të njëjtën mërmërimë.
Nuk kam të njëjtën shqipe.
Nuk marr të njëjtën gjurmë dhe nuk lë të njëjtën ecje.
Në atë vis, zotëroj dhe më jepet një sundim spiritual, si prej një feje të paqenë.
Një kube e lartë qiellore ma ofron e më mbështjell me dritën dhe mjegullën dhe tingujt dhe zërat që nuk i përkasin një gjuhe, por janë gjuha sui gjeneris e natyrës për njeriun dhe e njeriut veçmas për natyrën. E përdor dhe e fitoj këtë gjuhë, por nuk e marr dot me vete, nuk e bëj dot mjet komunikimi për gjetkë dhe me dikënd tjetër.
Në atë vis, nuk më mjafton një gjuhë, por gjithësesi, gjuha që fitoj dhe më vjen është shqipe; vetëm për atje.
Mistika në atë vis, vijueshmërisht për çdo rikthim, më shton dhe më befason me një shqipe unike, të cilën nuk e flas dhe nuk e mbart dot për dikund tjetër.
Në atë vis më do gjuha e rrallë e visit të atit, të gjyshit, stërgjyshit dhe gjithë së shkuarës së gjenealogjisë sime. Një vis që ka fuqinë magjike të një drite që përherë më prin para, në kohë dhe territor që nuk e shkel e kap dot kurrë, por kurrë nuk e humbas, jo prej syve, por prej mendjes.
May be an image of sky, nature and mountain

Related Posts

Leave a comment