Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dendias kërcënon Shqipërinë nëse ngre çështjen çame

61905572_403-752x440

Nikos Dendias zhvilloi në Tiranë bisedime me Olta Xhaçkën, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe me kryeministrin Edi Rama.

Sipas një deklarate për mediat nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme temat kryesore të bisedimeve me homologen shqiptare ishin marrëdhëniet dypalëshe, heqja e ligjit të luftës dhe çështja çame.

Ministri i jashtëm grek Dendias iu përgjigj me kërcënime vullnetit të ministres Xhaçka për të “filluar diskutime për çështje të sado të vështira të trashëguara nga historia dhe nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore si abrogimi i ligjit të luftës apo çështjet e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam.”

Për Dendias “çështja çame nuk ekziston”

“Nuk duhet të krijohen çështje që nuk ekzistojnë, sepse kjo do të çonte në pasoja me nivele të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin e Shqipërisë në Evropë,” iu kundërpërgjigj ai ministres Xhaꞔka.

Autoritetet e Shqipërisë e kanë ngritur vazhdimisht, në takimet ministrore, nevojën për t’i kthyer komunitetit çam pasuritë dhe pronat e tyre të lëna në Greqi, pas Luftës së Dytë Botërore, kur ata iu nënshtruan një shpënguljeje të detyruar nga autoritetet greke të kohës.

Pro heqjes së ligjit të luftës deri tani me deklarata

Ministri Dendias vijoi qëndrimin aprovues dhjetravjeçar të qeverive greke për abrogimin e ligjit të luftës me Shqipërinë, që hyri në fuqi në vitin 1941, kur Musolini sulmoi Greqinë nga territori i pushtuar i Shqipërisë.

“Është diçka nga e cila duhet të shkëputemi dhe të bashkëpunojmë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt,” citohet në deklaratën për mediat të ketë thënë Dendias të hënën në Tiranë.

Që nga viti 1985 kur Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Greqisë, Karolios Papulias, vizitoi Shqipërinë për herë të parë pas vendosjes së ligjit të luftës në vitin 1941 dhe foli për herë të parë për heqjen e tij, gjatë pothuajse 4 dekadave, politikanët grekë deklarojnë se dëshërojnë të heqin ligjin e luftës me Shqipërinë. Por kjo dëshirë edhe sot e kësaj dite ka mbetur në nivelin e deklarimeve.

Në një intervistë për DW, Glevin Dervishi, ish-diplomat ne Ministrinë e Jashme dhe ish-anëtar i grupit negociator të palës shqiptare për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve, theksonte që “abrogimi i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të çonte në akte të tjera juridike, për të përcaktuar mënyrat dhe mekanizmat sesi shteti dhe qytetarët e Shqipërisë do t’u drejtohen institucioneve dhe organeve, të përcaktuara nga autoritetet greke për të provuar pronësinë e tyre dhe fituar të drejtën e marrjes së saj, në bazë të dokumentash zyrtare që disponojnë.”

Në fund të tetorit të vitit 2020, kur Dendias vizitoi Tiranën, ai e cilësoi Ligjin e Luftës në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama “anakronizëm” .

Në vizitën e tanishme në Tiranë, ai nuk sqaroi nëse në dy vitet e fundit është ndërmarrë ndonjë hap konkret për abrogimin e tij. Abrogimi i ligjit të luftës mes dy vendeve fqinjë, përtej deklaratave, bëhet me dekret presidencial.

Kompromis për ndarjen e Detit Jon

Burimet zyrtare nga Ministria e Jashtme citojnë ministren Xhaꞔka të ketë thënë të hënën (23.05) se “Shqipëria konfirmon përsëri vullnetin për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqësore, siç është Gjykata Ndërkombëtar e Drejtësisë” në Hagë.

Ndërsa ministri i Jashtëm grek, Dendias, ka theksuar “rëndësinë që ka përshpejtimi i hapave për të përmbushur pjesën teknike në mënyrë që të depozitohen sa më shpejt dokumentet në gjykatë”.

Sipas rregullave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë palët në gjyq duhet të përcaktojnë paraprakisht mosmarrëveshjet mes tyre për të cilat i janë drejtuar kësaj Gjykate.

Ne tetor të vitit 2020, në vizitën e tij në Tiranë, Dendias deklaroi që “Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që mosmarrëveshjet mes tyre për kufijtë detarë, në Detin e përbashkët Jon, t’i zgjidhë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë. Kryeministri Rama e cilësoi “të pakontestueshëm vendimin e kësaj gjykate dhe një mundësi “për të vendosur pikat mbi i në bazë të ekspertizës dhe së Drejtës Ndërkombëtare të Detit”. Mosmarrveshjet nuk janë publikuar nga palët.

Në njoftimet e ministrit të Jashtëm Dendias dhe kryeministrit Rama lidhur me përmbajtjen e bisedimeve mes tyre nuk përmenden çështjet e nxehta të sipër përmendura.

Për bisedimet me Dendias, Rama shkruan në median sociale “që ishte një bisedë të frytshme për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë.” Ndërsa Dendias thekson se “në qendër të diskutimeve me kryeministrin Rama ishin marrëdhëniet dypalëshe, perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe zhvillimet rajonale.”/DW

Related Posts

Leave a comment