Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Mos harroni 26 majin e epokës berishiste, që i vuri përfundimisht zgjedhën votuesve shqiptarë

Berisha ne zgjedhjet e 26 majit

 Nga Xhovan SHYTI –

Zgjedhjet e Përgjithshme  Parlamentare të 26 Majit të vitit 1996 janë njolla e madhe e turpit që klasa dhe pushtet-politika ka gatuar përgjatë këtyre viteve të ikura në paskomunizëm. Ato treguan se ç’janë në gjëndje të bëjnë politikanët ordinerë për të mbajtur kolltukun e pushtetit.

Në këto zgjedhje, ku dajaku doli nga mylli dhe gjaku plasi rrugëve e qendrave të votimit, pushtet-politika shqiptare shpërfaqi rrugaçërinë e saj në përsosmëri. Ajo mundi ti vërë përfundimisht zgjedhën zgjedhësve duke shtypur egërsisht çdo përpjekje për liri votimi dhe mbrojtje të votës së lirë.

Organizator i këtyre zgjedhjeve ishte pushteti i Partisë Demokratike, e cila e kishte fituar të drejtën qeverisëse pas fitores plebishitare të 22 marsit të vitit 1992, ku 67 % e shqiptarëve votuan kundër komunizmit me besimin se po çelnin një erë të re, që do ti bashkonte me vëndet e lira perëndimore. Partia Demokratike i’a kish premtuar këtë bujshëm këtë rrugëtim drejt lirisë e demokracisë perëndimore dhe, megjithse shenjat e para të mashtrimit ishin dhenë, askush nuk mund ta mendonte rikthimin tek dhuna, manipulimi i votave dhe nxjerrja e rezultatit nëpërmjet manipulimit.

Para zgjedhjeve përlamentare të 26 majit, pushtet-politika e Partisë Demokratike kishte pësuar dy goditje të renda elektorale pikërisht nga zhgënjimi dhe devijimi i premtimeve elektorale. Pas marrjes së pushtetit me votë plebishitare në marsin e 1992, nën parullën e antikomunizmit, qeveria e kryesuar nga Aleksandër Meksi nisi një politik revanshiste ndaj administratës zyrtare dhe shpënien në falimentim të fabrikave, uzinave, kombinateve etj. Fshesa në administratën komunistë u përdor për të sjellë në administratën e “re” demokratikase arradhën e nepotikëve, soj e sorollopin e pushtetarëve të rinj opozitarë, gjë që së bashku me papunësinë masive nxiti valën e pakënaqësisë e të zhgënjmit. Gjë që u reflektua në zgjedhjet vendore të korrikut 1992 ku vota plebishitare u rrudh duke kaluar në favor të socialistëve.

Kjo ishte goditja e parë e elektoratit që nuk solli asnjë reflektim në sjelljen qeverisëse të Partisë Demokratike, e cila, gjithë për këtë arsye, pësoi humbjen më të thellë elektorale në refendumin e mbajtur për të ashtuquajturën “Kushtetuta Berisha”, emërtim i vendosur pasi ishte presidenti Sali Berisha që inicioi këmbëngulshëm mbajtjen e këtij referendumi, që synonte votimin e disa ndryshimeve të neneve të Kushtetutës që zgjeronin teprueshëm kompetencat e Presidentit të Republikës.

Edhe pse e humbi këtë referendum sërish pushtet-politika e Partisë Demokratike e dominuar nga presidenti Sali Berisha që diktonte gjithsa, nuk reflektoi. Në vend të një qeverisjeje me të vërtetë demokratike esnafi qeverisës i kësaj partie vijoi të njejtën rrugë imponuese të tekave e orekseve personale, duke mos e besuar ndëshkimin me votën masive kundër të atij elektorati i cili e kish votëbesuar në marsin e vitit 1992.

Zgjedhjet 26 majit 1996 ishin rasti i mezipritur i elektoratit për ndëshkimin me rrugë demokratike të premtuesmëdhenjve, kurse përgjigja e shtetit në majë të të cilit qendronte në funksionin e presidentit Sali Berisha, ishte derdhja e dhunës për të imponuar votën dhe rezultatin e fitores së pamerituar të zgjedhjeve.

Edhe në këto votime, sikurse dhe në ato të mëparshmet, e mbajtura nën qeverisjen komuniste të Ramiz Alisë, ishte dikasteri i Ministrisë së Brendëshme që derdhi brutalitetin dhe morri nen mbrojtje rrahësit e manipuluesit.

Dhuna e këtyre votimeve nisi në qytetin e Beratit ku konkuronte për deputet, në të dytën legjislaturë, Ministri i Brendshëm, Agron Musarai. Ajo filloi rreth orës 11.00, me dhunën e ushtruar në disa qëndra votimi të lagjes Murat Celebi, vazhdoi me terrorin e armatosur tek selia e Partisë Socialiste, për tu derdhur me vonë rrugëve e bulevardeve nëpër të cilat dhjetra vetura të tipit  “ Wolksvagen “ , të sjella nga Gjermania për të ndihmuar Ministrinë e Rendit në mbajtjen e rregullit e qetësisë publike, qarkullonin të mbushura me kontigjentet e rrugaçëve të armatosur me pistoleta “  TT “. (vijon me “Dasma e gjakut në Sheshin “Skëndërbej”)/ Arberia News.net

Shënim: Fragmenti i mësipërm është shkëputur nga libri” Vota të lira, vota të vjedhura”, i autorit Xhovan Shyti. Të gjitha të drejtat i përkasin autorit. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga ligji 9380, dt. 28.04.2005 i shtetit shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të  tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë,  fotokopjimin, doxhitalizimin, skanimin, rrjete sociale, ëeb apo sisteme të tjera, pa lejen me shkrim të autorit.

 

 

 

 

 

Leave a comment