Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Mos harroni 28 majin! Tirana e Berishës, si Santiago e diktatorit Pinoçet

28-maj-96

Nga Xhovan SHYTI –

Derdhja e gjakut të elektoratit shqiptar në mbrojtje të votave të lira të 26 majit 1996, kishte nisur më pare në qytetin e Beratit dhe, nëse gjaku i Tiranës, në datën 28 maj 1996 , në Sheshin “Skëndërbej” u ndërkombëtarizua kjo ndodhi sepse ai ishte gjak politikanësh opozitarë e shtetasish të huaj. Për përgatitjen e kontigjenteve të huliganëve PD kishte investuar përgjatë atyre viteve të qeverisjes. Duke bërë një vesh shurdh e një sy qorr ajo  e kishte lënë këtë kontigjent të pasurohej qoftë edhe nëpërmjet rrugëve të ndaluara të trafiqeve, i kishte dhënë emër, lavdi e imunitet për ta përdorur në të tilla ngjarje politike. Vartësia e këtij kontigjenti ishte kryesisht nga Ministria e Rendit, ku pjesa dërmuese ishte paisur edhe me distiktivin e punonjësit të policisë, ndërsa veprimtaria e tyre hynte në kompetencë edhe të celulave te PD-së, deputetëve e titullarëve….    

 Tërheqja e partive opozitare nga proçesi zgjedhor i 26 majit 1996 në vend ta kishte frenuar vrullin e përdhosjes së votës së lirë nga pushteti e kishte nxitur më tej shpirtin manipulues të tij. Duke trumbetuar me bujë fitoren e madhe historike, që të kujtonte fitoret e kohës së Partisë së Punës të Shqipërisë, ku elektorati kishte votuar para se të hapeshin qëndrat e votimit me 99.98 përqind në favor të PPSH-së, të gjitha mjetet e propogandës të partisë shtet, duke përfshire edhe radio – televizionin, për të cilin shqiptarët paguanin taksë të rregullt vjetore, dënonin ashpër vijën e bojkotit të opozitës socialiste të emërtuar  “ komuniste,“ ndërsa  komentonin  gjithë proçesin zgjedhor si tejet të rregullt dhe nëpërmjet të cilit: “me votën e lirë, votuesit shqiptare i kishin dhënë fund njëherë e përgjithmonë epokës së kuqe të komunizmit”.

Në anën tjetër, tërheqja e opozitës kishte qënë hapi i parë i hedhur në mbrojtje të votës së përdhosur . Përveçse mund të cilësohet si leksioni më i mirë që mund ti jepet një elektorati  të nëpërkëmbur nga politika zyrtare bojkotimi kishte frymëzuar vazhdimin e mëtejshëm të rezistencës jo më fshehurazi e vetëm nëpër seli por duke zbritur në rrugë, bulevarde e sheshe. Bile protestat qenë shtrirë edhe në Greqi e Itali ku jetonin emigrantët shqiptarë.

Forcat opozitare qenë grumbulluar rreth Partisë Socialiste, jo sepse i përkisnin spektrit të kuq, por sepse kjo ishte forca më e madhe reale e kampit opozitarë. Kalendari shënonte datën 28 maj , paradite , kur të gjitha hyrjet e rrugëve që derdheshin në Sheshin “Skëndërbej” qenë bllokuar nga forcat e shumta të të gjitha llojeve të policive. Ky shtet – rrethim ishte ndërmarrë për të ndaluar mbushjen e sheshit nga  elektorati që protestonte ndaj asaj që e kishte cilësuar si vjedhje e votës së lirë.

Furgonet me sirena të policisë me uniformë e skafandra dhe veturat e asaj kriminale, Shërbimit Informativ Kombëtare, Zjarrfiksave, Gardës etj. qarkullonin me shpejtësi jo të zakontë ndërsa një pjesë e mirë e kamionëve dhe autobuzave ishin kthyer në tra postblloku për të ndaluar daljet e rrugëve në shesh. Tepër të kënaqur nga urdhërat e dhënë dhe që i jepnin liri veprimi dajakut, shërbëtorët e pushtetit ishin bërë të vetmit sovran që komandonin lëvizjen e qëndrës së Kryeqytetit Shqiptar atë mëngjes të vranët.

Rreth ores  11.50 ‘ katër Zvendëskryetarët e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi, Namik Dokle,  Luan Hajdaraga, Ilir  Meta  të ndjekur nga të gjithë anëtarët e kryesisë së kësaj partie ishin vendosur në krye të turmës së militantëve, të simpatizantëve, anëtarëve dhe gjithe votuesve  që nuk i përkisnin partive por qenë të fyer nga vjedhja e votave, duke marshuar drejt Sheshit “Skëndërbej”.

Në ball të tyre printe flamuri kombëtar kurse kënga patriotike do të ishte hymni që ftonte të dilnin në këtë protestë të gjithë shqiptarët e ndershëm që aderonin për vendosjen e drejtësisë dhe demokracise.

Forcat e policisë qenë rreshtuar përpara hyrjes dhe nuk pranonin ti lejonin protestuesit të cilët vazhduan të marshojnë duke mos e përfillur shkopin e gomës. Kaluan vetëm pak minuta dhe në atë shesh, ku katër vjet më parë partia në pushtet i kishte bërë thirrje shqiptarëve tia jepnin votën pasi vetëm nëpërmjet qeverisjes së saj mund të shijonin frutet e demokracisë së vërtetë, kërciste dhuna  policore që të kujtonte rregjimet diktatoriale. (vijon)/ Arberia news.net

Shënim: Fragmenti I mësipërm është shkëputur nga libri” Vota të lira, vota të vjedhura”, i autorit Xhovan Shyti. Të gjitha të drejtat i përkasin autorit. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga ligji 9380, dt. 28.04.2005 i shtetit shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të  tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë,  fotokopjimin, doxhitalizimin, skanimin, rrjete sociale, ëeb apo sisteme të tjera, pa lejen me shkrim të autorit.

Related Posts

Leave a comment