Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Mos harroni 28 majin e epokës berishiste, dasmën e gjakut në Sheshin “Skënderbej”

28 maj 1996 protesta

Nga Xhovan SHYTI –

Forcat e policisë qenë rreshtuar përpara hyrjeve për në Sheshin “Skenderbej” dhe nuk pranonin ti lejonin protestuesit të cilët vazhduan të marshojnë duke mos e përfillur shkopin e gomës. Kaluan vetëm pak minuta dhe në atë shesh, ku katër vjet më parë partia në pushtet i kishte bërë thirrje shqiptarëve tia jepnin votën pasi vetëm nëpërmjet qeverisjes së saj mund të shijonin frutet e demokracisë së vërtetë, kërciste dhuna  policore që të kujtonte rregjimet diktatoriale.

Nën shiun e imët pranveror, që kishte nisur të binte, Tirana i ngjante kryeqytetit Kilian, Santiago, pikërisht në ato ditë kur populli përleshej me forcat policore – ushtarake të diktatorit Pinoçet. Grushta e shkelma që godisnin pa mëshirë, trupa që masakroheshin e tërhiqeshin zvarrë, aparate fotografike që thyheshin e fytyra që nxiheshin nga goditjet, urdhëra të marra nëpërmjet radiove e kasnecëve që venin e vinin me makinat shtetërore, gjak, gjak që përskuqte asfaltin e Sheshit  “Skëndërbej”  i cili atë paradite maji ishte shndrruar në arenë  ku po zhvillohej dasma e pushtetit te rrjedhur nga manipulimi.

Pikërisht atë ditë, kur po ndeshej rrugaçëria politike me qytetarinë, forcat e bashkuara opozitare po bënin atë gjë që duhej ta kishin bërë kohë më parë. Sepse, teoria e lënies së të keqes qeverisëse në vetdëmaskim , e aplikuar prej tyre përgjate atyre viteve të ikura , nuk kishte bërë tjetër veçse  i kishte ngrënë kohën e duhur  Shqipërisë për të lëvizur paqësisht dhe me dinjitet drejt Europes.

Në anën tjetër, kishte qënë mungesa e kësaj qëndrese opozitare, përgjate viteve të ikura 1992 – 1996, ajo që e kishte bërë pushtetin të besonte në të drejtën absolute te derdhjes së barbarisë e të kamzhikut jo vetëm mbi taksapaguesit por edhe mbi elitën e jetës politiko – shoqërore shqiptare. Një  70 vjeçar dialogonte me grupin e policeve të bërë gardh duke i thënë ta lejonin të protestonte pasi atë shesh ai me shokët e tij e kishin çliruar më armë në dorë nga pushtuesit nazistë të Hitlerit në 1944. Përgjigja e njerit prej policëve ishte gjuajtja me shkopin e gomës turinjve.

Në foto 28 maj 1996.

I përgjakur për lemeri, pasi u rreth- rrotullua për pak minuta, duke vendosur duart perpara fytyrës, plaku që mesaduket e kishte mbledhur veten shtyti tej ata që e kishin rrethuar dhe po përkujdeseshin për ta nxjerrë jashtë rrethimit policor e, më tej, iu drejtua njerëzisë :” Më mirë të na gjakosin se sa të lejojmë edhe 50 vjet diktature malësie. “Kaq u desh që dy prej policëve ta shkëpusnin trupin e rrëgjuar të tij nga duart e mbrojtësve dhe pasi e vunë përfund këmbësh nisën ta godasin pa mëshirë. Plaku nuk bërtiste, nuk ulurinte, vetëm ishte mbledhur kutullaç, tamam si nje iriq i futur nën guzhopin mbrojtës dhe dihaste… “ Përse na i vodhët votat, përse ?” pyesnin të tjerë moshatarë të këtij ish partizani të cilët qëndronin në grup, diku aty  prane Kalit, se bashku me turmen e madhe te njerezve qe ishte bllokuar nga kordoni policor. Midis  qindra të dhunuarve në Sheshin Skënderbej, nga forcat e Ministrise se Rendit Publik, Shërbimit Informativ Kombëtarë ( SHIK), dhe Gardës Presidenciale, atë paradite të vranët të 28 Majit, ndërsa Ministri i Rendit Agron Musaraj qëndronte jashte arenës se përgjakur dhe Kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede qëndronte në zyrën e tij,  rezultonin:

Arben Imami dhe Neritan Ceka, që të dy drejtues titullarë të Partisë Aleanca Demokratike Shqiptare ( PADSH), një fraksion i dalë nga Partia Demokratike, që përfaqësonte idealet e fillimit të lëvizjes për demokraci dhe që, përgjatë katër viteve të ikura, kishte qenë e vetmja parti që kishte guxuar ti kundërvihej hapur e pa bërë asnjë kompromis, politikës së mbrapshtë të qeverisjes pëdëiste.

Imami jo vetëm ishte rrahur publikisht e barbarisht por ishte marrë përdhunshëm nga forcat policore në organin e rendit ku, sipas të dhënave të dëshmitarëve okulare, ishte barbarizuar pa mëshirë. Përveç shkopinjve të gomës, grushtave e shkelmave, ish aktori simpatik i kinematografisë shqiptare kishte pësuar goditje shëmtuese edhe mbi fytyre e pjesë të tjera të dukshme të trupit, ndërsa mizoria e pajustifikuar i kishte thyher disa dhëmbë.

Shkopinjtë policorë të gomës nuk kishin kursyer as trupin atletik të Kryetarit themelues e Presidentit të PAD-së, Neritan Ceka, historianit të njohur, me flokët e thinjur para kohe, ndoshta, pikërisht, sepse i ishte përkushtuar jetësisht shtjellmit të lëmshit të ngatërruar të gjenezës ( Prejardhjes ) shqiptare.

Foto: 28 maj 1996.

Gramoz Pashko, njëri nga hartuesit e programit ekonomik të Partisë Demokratike, si edhe Preç Zogaj njëri nga themeluesit e shtypit opozitarë, gjithashtu, i qenë nënshtruar rregjimit të hurit policor sikurse edhe dy homologet e Partise Social Demokrate ( PSD ), Kryetari themelues, Skënder  Gjinushi dhe Sekretari  Gaqo Apostoli…

Në bilançin përfundimtare të kësaj kasaphane shteterore rezultonin si viktima te dhunes disa Observatore të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim Europian ( OSBE), të cilëve iu sekuestruan edhe aparatet fotografik e kamerat, një gazetar i gazetës Spanjolle EL Mundo dhe dy kolegë të tjerë Anglezë e Grekë.

Bardhok Lala, 20 vjeçari i posafutur në rrugën e gazetarise shqiptare duke shërbyer si reporter tek e përditshmja e pavarur  “DITA INFORMACION,” kishte qënë personi mbi trupin e njomë te te cilit dhuna shtetërore kishte derdhur gjithë inatin e dështimit të saj politik. I mbetur në harresë tërësore, i hedhur diku midis baltovinës që përmbyste rrethueshëm brigjet e Liqenit Artificial të Tiranës, trupi gjysëm pa jetë i Lalës kishte luftuar, për disa orë, me vdekjen e vjellë prej mizorisë rrugaçërore.

Në foto: Gazetari Bardhok Lala.

“ Shoqëroja një anglez. Ishim të dy në turmën që përpiqej të çante rrugën për në Sheshin Skëndërbej. Kur sulmuan forcat e policisë ne të dy nuk kishim mundësi të tërhiqeshim. Ata goditën anglezin dhe unë i shpjegova se ai nuk ishte shqiptar. Paskëtaj ata mu derdhën mua. Më goditën, me hipën me forcë në një makinë dhe duke më bërë pyetje nga më të çuditshmet, si të isha agjent i sprovuar që kisha ardhur për të përmbysur pushtetin e Salës, me qëllonin pa mëshirë.

Më shpunë në një komisariat policie ku vazhduan të më rrahin pa mëshirë. Atje, në koridor, pash dy policë që mbanin për krahu një njëri të gjakosur. Rrobat i kishte të shqyera. E njoha, ishte Arben Imami i shpërfytyruar nga të rrahurit. S’di ku po e shpinin. Pastaj u morrën me mua. Rinisën nga pyetjet idiote : Për kë punoja, ku ishin krerët, kush më kishte mësuar etj., budallalliqe. Më vonë, më hipën përsëri në makinë dhe më është fiksuar pylli nga kodrat e Liqenit. Makina po kalonte andej… S’di çka ndodhi më vonë…Kur kam ardhur në vete kam parë se gjendesha në shtëpine e një mjeku, mik i familjes sime, i cili ishte përkujdesur për shëndetin tim. Më vonë mësova se më kishin gjetur pa ndjenja buz Liqenit Artificial dhe do të kisha vdekur, me siguri, po të mos më kishin zbuluar disa qytetarë.”

Këto do të më tregonte i pafajshmi Bardhok Lala në Kryeqytetin Grek Athinë ku kishte ardhur për të qetësuar shpirtin e trazuar e të pështjelluar nga dhuna. Megjithse kishin kaluar disa jave nga masakrimi dukej ende e terrorizuar dhe nuk qe e vështirë ti dalloje mbi fytyrë gjurmët e tronditjes psikike që kishte lënë terrori shtetëror, i derdhur në mbrojtje të votave të vjedhura, mbi koshiencën e tij./ Arberia News.net

Shënim: Fragmenti i mësipërm është shkëputur nga libri” Vota të lira, vota të vjedhura”, i autorit Xhovan Shyti. Të gjitha të drejtat i përkasin autorit. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga ligji 9380, dt. 28.04.2005 i shtetit shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të  tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë,  fotokopjimin, doxhitalizimin, skanimin, rrjete sociale, web apo sisteme të tjera, pa lejen me shkrim të autorit.

Related Posts

Leave a comment