Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

TË SHKARKUARIT NGA VETINGU SHIJOJNË TË QETË PLAÇKËN E GRABITUR

vetingu-compressor

 Nga mbi 200 persona, ish gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar prej institucioneve të vetingut, pasi nuk justifikonin pasuritë, SPAK ka dërguar për gjykim vetëm dy emra. Pjesa tjetër shijon e qetë pasuritë duke mos patur asnjë padi e ndjekje penale mbi shpinë…

Kështu raporton Pamfleti sipas të cilit: “Bashkimi Europian e ka vënë kusht për negociatat hetimin e të ngelurve në veting, ndërsa kjo kërkesë mbështete edhe nga SHBA.

“Nevoja për të hetuar korrupsionin gjyqësor, përtej vetingut, është përfshirë në kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për hapjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadorja Yuri Kim pak kohë më parë.

Vetë kreu i SPAK, Arben Kraja pak ditë më parë foli mbi mungesën e hetimeve dhe fajësoi ILDKP dhe organet e vetingut, duke thënë se nuk kanë bërë padi për të ngelurit në veting. “Bazuar në nenin 75 të Kodit të Procedurës penale SPAK mund të hetojë anëtarë e Gjykatës Kushtetues, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Organet e rivlerësimit kalimtar nuk kanë paraqitur asnjë kallëzim penal. Asnjë institucion i deklarimit të pasurive nuk ka paraqitur asnjë kallëzim penal pranë prokurorisë”, tha ai.

Mbi këtë deklaratë të Krajës, u pyet sot kryetarja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Evgjeni Bashari. Kjo e fundit raportoi në Komisionin e Ligjeve për punën e institucionit dhe ishte kreu i grupit demokrat Enkelejd Alibeaj, ai i cili e pyeti se përse nuk ka asnjë kallëzim për të ngelurit në veting të kapur me fshehje pasurie.

Por zonja në fjalë e hoqi topin nga vetja, duke thënë se ILDK ka pasur thjesht funksion mbështetës dhe sipas saj është punë e KPK vijim i hetimeve. Bashari u mundua të justifikohet se kështu e ka ligji dhe një vendim i Kushtetueses, por nuk përmendi asnjë nen.

“Vetë ligji dhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj qartësoi kompetencat që do të kishte Inspektorati. Në procesin e rivlerësimit kishim një funksion ndihmës për organet e vetingut. Duhet të ishin këta të fundit që pas një hetimi më të thelluar dhe më të gjerë për subjektet e rivlerësimit do të merrnin një vendim përfundimtar dhe ILDKP nuk ka tagër që këta subjekte që janë shkarkuar të iniciojë një referim. Ne kemi përmbushur detyrën tonë brenda aftëve. Kur vijnë kërkesat ne i trajtojmë me përparësi”, tha ajo.

Në fakt ndryshe nga sa deklaron kryetarja e ILDKP, ka një nen në Kodin e Procedurës Penale që e detyron zonjën në fjalë që të bëjë padi penale për çdo emër të gjetur me shkelje.

Është neni 281 i Kodit të Procedurës Penale që po shkelet nga zonja në fjalë. “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”, thuhet në nen.

Vetë kreu i SPAK kur raportoi në Këshillin e Integrimit u shpreh se në bazë të këtij neni, çdo institucion duhet të bëjë kallëzime dhe kjo vlen edhe për KPK. Por të gjithë duket se janë bërë bashkë dhe ata që u shkarkuan nga vetingu shijojnë të qetë milionat që vunë në këto 30 vite.

Related Posts

Leave a comment