Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rom-egjiptianët e Elbasanit, që rriten e bashkëjetojnë me hedhurinat e riciklueshme

fotoblur 2

Nga Elida LAZI –

Nëse tabela e lokalit përballë nuk do të shkruante shqip, askush nuk do ta besonte se kjo pamje gjendet në kryeqytetin Tiranë, por atë dhe të tjerat që vijojnë, i ndesh edhe në  Fier, Berat, Pogradec, Bilisht, Gjirokastër, Delvinë, Krujë, Shkodër e Elbasan, që është  njëri ndër njëmbëdhjetë qytetet ku jetojnë popullsitë e komuniteteve rom-egjiptiane, dhe i dyti, pas Tiranës për numrin e gjendshëm të tyre.

Foto pa e dhimbëshme.

Do të mjaftonte një vëzhgim permanent ditor,javor, mujor e më tej për të konstatuar se këto pamje trishtuese, pse jo dhe të dhimbëshme, nuk shqetësojnë askënd! Jo vetëm autoritetet vendore,  por as inspektoret përgjegjës që vijnë shpesh në qytetin e ballakumeve, herë për inspektime e më të shumtën për të konsumuar drekat aq të shijshme.

Kalimtarët e rastit vazhdojnë në rrugën e tyre të pashqetësuar, mbase edhe për faktin se qyqari ( si dhe qyqarët e ngjashëm me të), që po gërmon në kazanët e mbeturinave, nën shoqërinë e dy të miturive, të cilët qëndrojnë bashkë me mbeturinat në karrocën e transportimit të mallit, i përkasin komunitetit rom, pse jo dhe atij egjiptian.

Në fakt këto pamje tronditëse  nuk shqetësojnë jo vetëm kalimtarët e rastit, jo vetëm inspektorët, por as policët  bashkiakë, të cilët gjenden  në rrugët e Elbasanit,çdo 50 metra, duke vigjiluar për të gjobitur shkelësit e ligjit. Shpesh herë duke ndaluar edhe grumbulluesit e hedhurinave që, sikurse na pohojnë, me vështrimin moskuptues, se punojnë tërësisht, në të zezë. Por në këtë rast me zotërinë e fotos janë treguar “tolerantë”! Jo se u vjen keq për të,  por se përvec hedhurinave do t’u duhej të sekuestronin karrocën  bashkë me dy të miturit që gjenden në të.

I afrohem zotërisë ta pyes, se përse i mban me vete fëmijët, pasi janë të vegjël dhe se në një ambient të tillë i bën keq për  shëndetin. Fillimisht nguron të më përgjigjet. Pastaj më thotë se nuk ka zgjidhje tjetër.

“Nuk kam ku ti lë, edhe gruaja meret me të njëjtën punë, por ajo i mban në krahë thasët me kanaçe, e nuk ka si ti mbajë edhe fëmijët. Të paktën  unë kam bicikletën me karrocë.”

E pyes nëse është i regjistruar, apo punon në të zezë?

“ Kam shkuar disa herë te Bashkia për punë, por nuk kam gjetur zgjidhje, jam i detyruar të bëjë këtë punë që të nxjerë bukën për fëmijët. E bëjmë edhe më frikë se Bashkia nuk na lejon. Kur i shoh policët  iki me vrap, se përvec kanacave na marin dhe karrocë me gjithë bicikletë , e kam të vështirë ta blej prapë”.

Më thotë se punën e nisë që në orën pesë të mëngjësit, dhe e vazhdon deri  në  11, 12 të natës. Dhe se me të ardhurat që nxjerr mban ushqen familjen.

Sikurse dhe në dhjetë qytetet e tjera të populluara nga rom-egjiptianët, edhe në Elbasan pamje të tilla trishtuese i ndesh çdo ditë në rrugët  e qytetit dhe, gjykuar nga e shkuara e pak-lëvizëshme,  duket do të na shoqërojnë gjatë në kohë. Pasi megjithse strategjitë e plan veprimeve kombëtare për integrimin e rom-egjiptianëve në jetën shqiptare kanë nisur të hartohen nga qeveritë qysh gjashtë vite më parë, indiferenca e implementimit të tyre nga pushtetet vendore dhe institucionet qendrore përgjegjëse, ka sjellë shumë pak ecje përmirësuese të jetës së tyre, që në përditshmëri,vijon të rrjedh në bashkëjetesë me hedhurinat e riciklueshme. Grumbullimi i të cilave është fronti më masiv i punës së tyre.

Foto pa koment

Nëse do ti referoheshim  Raport-Studimit Vlerësimi i punës së grumbulluesve individual në riciklimin e mbetjeve në Bashkinë Elbasan” , i realizuar nga organizata “EPER Center”, në Shqipëri ekzistojnë rreth 12, 520 grumbullues individual, pjesa dërrmuese e të cilëve rreth 84% janë grumbullues rom dhe egjiptian. Ata përfshijnë grupmosha nga 10-50 vjec, ku 37% e përbëjnë moshat 30-50 vjec, ku rreth 85% e grumbulluesve janë pa arsim bazë; rreth 15% e tyre kanë probleme serioze shëndetësore. Ndërkohë që të ardhurat mujore mesatare janë rreth 15,000 lekë, dhe jetojnë në kushte të këqia me më pak se 6m2/ person.

Mbetjet bashkiake të  gjeneruara në Bashkinë Elbasan, nuk ndahen në origjinë  formalisht në përbërës të riciklueshëm, megjithëse janë  bërë  përpjekje. Grumbulluesit individual punojnë në kushte të vështira pa mjete ndihmëse, paisje dhe veshje, ndërsa nuk kanë informacion të mjaftueshëm se cfarë materialesh mund të grumbullohen për t’u ricikluar e ku mund ta shesin direkt.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit, Shqipëria qëndronte në krye të listës për sa i përket shkallës së papunësisë së romëve dhe grupeve të tjera të margjinalizuara për periudhën 2011-2017.

Krijimi i Planit Kombëtar të Veprimit për integrimin e e Romëve dhe Egjiptianëve,  2016-2020 dhe Dokumentit  të Politikave strategjike dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020-2035, përfaqësojnë një përpjekje të Qeverisë Shqiptare për të përmirësuar rolin e romëve/egjiptianëve në sferën social-ekonomike dhe për të krijuar mundësi që të përfshihen në trajnime profesionale dhe në punësimin në biznesin e riciklimit duke ofruar respektimin e të drejtave të tyre. Por kjo përpjekje e qeverisë është e pamjaftueshme në praktikë për të mbështetur dhe ndihmuar të gjitha kategoritë e romëve/egjiptianëve në rrezik.

Sipas UNDP, “54%  e romëve dhe 23%  e egjiptianëve mbledhin mbetje të riciklueshme në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa vetëm 14 për qind e romëve dhe 4 për qind e egjiptianëve janë të punësuar në mënyrë të rregullt në procesin e riciklimit”.

Qeveria qendrore dhe ajo vendore hartojnë pa fund projekte, miratojnë plane kombëtare  e hartojnë strategji afat-gjate, por që mbeten të realizueshme vetëm në letra.

Në Planin Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025, qeveria shqiptare zotohet se do të punësojë 60 për qind të punëkërkuesve që janë aktualisht të papunë.

Jemi në vitin 2022, le të presim dhe të shohim se sa do të realizohet ky premtim i radhës i qeverisë.

 

Leave a comment