Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dosjet e mbyllura të aferave korruptive/ KESH, 80 tendera në 18 muaj, 57 % me procedure anti-ligjore

Tendera

Nga Xhovan SHYTI

Sipas ekspertëve të kontrollit me prokurorim të drejtëpërdrejtë është realizuar  pjesa dërmuese e tenderimeve të “fituara” në kundërshtim me ligjin 7971, dt. 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, pa marë miratimin nga Këshilli i Ministrave. Preferenca për  procedurën e drejtëpërdrejtë, pa tender konkurues, lë më tepër hapsirë për pazare të majme me “fituesit”.

Nëpërmjet një materiali zyrtar prej 55 faqesh, i vlerësuar “top sekret”, e të cilin  Arberia News.net e disponon, grupi i inspektorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i bën autopsinë situatës ekonomiko-financiare të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, me pronësi 100% shtetërore, duke evidentuar shkelje flagrante të ligjeve, allishverishe me tenderimet etj.. Sikurse lexohet në raportin e hartuar pas kontrollit: grupi i inspektorëve të KLSH, përbëhej nga  Fatos Gjyrezi, Bardhyl Lipo, Fadil Dekovi, Manjola Mako, dhe Selim Bicaj. Akti është mbajtur në dt. 30.12.1999 në Shoqërinë Anonime Korporata Elektroenergjitiker Shqiptare, midis grupit të kontrollorëve dhe ish drejtorëve të përgjithshëm Engjell Çuçi e Alfred Paloka dhe drejtorit në detyrë Farudin Hoxha. KESH-i i asaj kohe kishte vartësi nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe  Privatizimit (MEPP), që drejtohej nga Ylli Bufi. Tematika e kontrollit përfshinte periudhën janar 1998-qershor 1999 etj. Dhe çfarë kishte konstatuar ndër të tjera grupi i inspektorëve të KLSH-së?

 Realizimin brenda 18 muajve të 80 tenderave, 46 prej të cileve me prokurim të drejtëpërdrejtë, domethenë pa garë, gjë që vinte në kundërshtim me ligjin, i cili diktonte garën jo vetëm për të përzgjedhur midis pjesëmarrësve më të mirin, por dhe për ti mbyllur  shtegun aferave korruptive. U ndalëm këtu pasi praktika e tenderimit pa konkurim, apo siç quhet zyrtarisht “me prokurim të drejtëpërdrejtë”, aq shumë e preferuar në vitet pasuese si një “dhuratë për klientët e oligarkët e preferuar të qeverisë”, e ka zanafillën që në atë kohë. Duke shërbyer si armë për mbushjen e xhepave të zyrtarëve të mbetur anonimë, që sot i shpenzojnë të qetë e të patrazuar pasuritë e përvetësuara jo ligjërisht. Nga që dosjet me materiale të institucioneve kontrolluese, që vërtetojnë abuzimit, janë mbuluar nga pluhuri i harresës…

Duke u rikthyer tek konkluzionet zyrtare të kontrollorëve të KLSH-së po citojmë:

Nga 80 tenderat e realizuar përgjatë 18 muajve 22 rezultojnë të jenë bërë nëpërmjet procedurës së hapur, 46 me procedurë të drejtëpërdrejtë dhe 12 me procedurë shtesë për kuotim. Sipas ekspertëve të kontrollit prokurorimi i drejtëpërdrejtë zë 57,5 % të totalit të tenderimeve të realizuara dhe pjesa më e madhe është “fituar” ne kundërshtim me ligjin 7971, dt.26.07.1995 “Për prokurimin publik”, pa marë miratimi nga Këshilli i Ministrave. Preferenca për  procedurën e drejtëpërdrejtë, pa tender konkurues, lë më tepër hapsirë për pazare të majme me “fituesit”, se sa dy procedurat e tjera, komentojnë ekspertët. Mirëpo si ka funksionuar mekanizmi që ka sjellë humbjen abusive të 31 milion dollarëve, të dala nga buxheti i shqiptarëve të varfër, brenda 18 muajve? (Vijon).

THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbëria News.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Related Posts

Leave a comment