Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

U nisëm për në BE, përfunduam në Turqi

edii-752x440

Nga Sebastian ZONJA-

Rama pranon Komunitetin Politik Evropian, minon integrimin tonë në BE;
Opozita, tinëzisht, mban ison e “Ballkanit të hapur”
*
Kur Shqipërinë e vizitoi kreu i Këshillit Evropian Charles Michel, ai foli për propozimin francez të një Komuniteti Politik Evropian. Kryeministri Edi Rama nuk e kundërshtoi publikisht një nismë të tillë franceze, e cila na kthen 20 vjet pas në procesin e integrimit evropian.
Nuk vura re ndonjë analist ta vinte në dukje këtë fakt. Në privat, Rama mund të ketë thënë se vullneti ynë është për në BE, por kjo duhej thënë edhe publikisht, aty, në konferencën për shtyp.
Sot, në Ballkan, Serbia dhe Mali i Zi i kanë çelur negociatat. Ato janë një hap përpara. Shqipëria dhe Maqedonia presin çeljen e tyre. Kosova dhe Bosnja nuk dihet se kur mund t’i çelin ato. Jemi me korsi të ndryshme drejt BE-së. Bashkë me “Ballkanin e hapur”, në rast të pranimit të idesë së Komunitetit Evropian, rrezikojmë të futemi në vendet që do të presin pas derës për të hyrë në BE për vite të tëra. Në këtë paradhomë, me shumë gjasë, do të jemi së bashku me Moldavinë dhe Ukrainën. Më herët ka qenë Turqia për dekada të tëra në këtë paradhomë.
Pra, kjo ide që Rama e pranoi publikisht në Twitterin e tij, e vendos perspektivën tonë evropiane në një stad me Turqinë.
Këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama shkroi në Twitter – “Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë.”, shkruan Rama.
Opozita shqiptare, ajo me vulë dhe ajo pa vulë, si edhe Presidenti, harxhon kohë e frymë me një projekt si “Ballkani i hapur”, i cili detyrimisht do të shkojë drejt “Procesit të Berlinit”, dhe lë jashtë vëmendjes projektin më të dëmshëm për integrimin tonë evropian, Komunitetin Politik Evropian.
Komuniteti Politik Evropian është një mekanizëm që, nëse realizohet, do të sjellë investime në Shqipëri, por jo avancim drejt rrugës evropiane.
Opozita shqiptare nuk po shpalos një projekt se si do të shkojmë drejt çeljes së negociatave dhe integrimit tonë evropian. Ajo që dëgjojmë është se do të bëjmë protesta. E si mund të rrëzohet ideja franceze e Komunitetit Politik Evropian duke bërë protesta opozitare përpara kryeministrisë?
Pranimi nga qeveria Rama për idenë e Komunitetit Politik Evropian sjell mbështetje më të madhe evropiane për qeverinë, duke e parë atë si interlokutor të besueshëm jo vetëm në Shqipëri, por në rang ballkanik, teksa shqiptarët do të mbeten duke parë nga dritarja se kur do bëjë shenjë BE-ja.
Edi Rama, sa do të vijë e do të fuqizohet, në rast se skenari është për të shkuar kah idesë së një Komuniteti Politik Evropian.
Largimi nga vendi do të kthehet gjithnjë e më shumë në një valvul shfryrjeje të problemeve sociale dhe ekonomike, dhe shqiptarët do të largohen gjithnjë e më masivisht.
Uroj që të çelen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin mes Ballkanit perëndimor dhe Bashkimit Evropian! Të gjithë skenarët e tjerë janë shumë të zymtë.
May be an image of text that says "Edi Rama @ediramaal 1h We'll attend the EU Council meeting. There won't be much to hear about us but we'll ask to be heard on the idea of New European Political Community which we support, the Oper Open Balkan which takes forward the spirit of Europe & on our kidnapping from Bulgaria which destroys it. …"

Leave a comment