Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Largimi i të rinjve: Një krizë alarmante!

Marjana Ciku

Nga Marjana  ÇIKU-

Një jetë larg Shqipërisë duket të jetë ëndrra më e madhe e shumë të rinjve shqiptarë. Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante. Me sytë përtej kufirit, themelet e së ardhmes të rinjtë kërkojnë medoemos t’i hedhin larg Shqipërisë.

 “Ikja e trurit të të rinjve” e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit. Mungesa e standardeve të larta në arsim, mundësitë e pakta për punësim, pagat e ulëta, mungesa e profesionalizmit etj., të gjitha këto janë arsye të mjaftueshme për tu larguar nga Shqipëria.

Një anketë e vitit 2020 e profesorëve Gëdeshi dhe King, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale me studentë, zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë as nuk dëshirojnë të kthehen.

A është thjesht papunësia arsyeja që i motivon të rinjtë të largohen? 

Rritja e dëshirës për emigrim thekson dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave shqiptare, që në vend që të përmirësohen po përkeqësohen dhe nuk po gjenerojnë mundësi dhe perspektivë për popullatën. Fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë. Varfëria, kriminaliteti, aksidentet rrugore, shërbimi i dobët shëndetësor etj., janë disa nga faktorët që plotësojnë tablonë e arsyeve përse po largohen.

Faktori më kritik pa dyshim është papunësia. Niveli i papunësisë tek të rinjtë mbetet në nivele shumë të larta, nivel ky që varion nga 20.9% në vitin 2019 sipas INSTAT.

Por situata është më e ndërlikuar se kaq. Kushtet ekonomike dhe papunësia janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në largimin e të rinjëve por nuk janë më madhorët. Të dyja këto arsye janë shumë pak që dikush të braktisë vendin, të shkëputet nga familja, nga rrethi shoqëror, nga rrethi fisnor për të shkuar diku e për t’ia  nisur nga zero. Nuk mjafton vetëm thjesht gjendja ekonomike,  pasi e dimë që gjendja ekonomike, sidomos për një të ri, është e ndryshueshme. Arsyeja që ikin është pikërisht sepse ata e perceptojnë gjendjen si të pandryshueshme, nuk ka më SHPRESË.

Shoqëria shqiptare veçantërisht të rinjtë po përjetojnë një depresion social. Ata kanë pësuar një shkëputje totale shpirtërore nga vendi i tyre, ku nuk kanë besim se mund të kenë një të ardhme.

Tranzicioni ende nuk ka përfunduar

Në tridhjetë vite Shqipëria pritej që t’i afrohej Europës, ndërkohë që ajo që konstatohet, është se ne i jemi  larguar  më shumë se sa afruar. Duke ju referuar një analize të Fatos Lubonjës të vitit 2015, në Shqipëri, më shumë se sa pyetja “kur do arrijmë fundin e tranzicionit?”, duhet shtruar shqetësimi “apo ecim në rrugën e duhur drejt fundit të tij, drejt tokës së premtuar, apo jemi duke ecur në rrugë të gabuar duke mos e ditur se ku po shkojmë?”  Përgjigjja për “fundin e tranzicionit” në Shqipëri është akoma larg. Vendi  është larg plotësimit të kritereve për nxitjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe një demokracie të konsoliduar.

A mund të ndalohet ikja e të rinjve?

Kjo situatë duket se do të vazhdojë gjatë përderisa qeveria jonë aktuale e konsideron këtë fenomen si “normal”. Shtete të tjera, edhe më të fuqishme se ne janë prekur gjithashtu nga ky fenomen. Ata e konsiderojnë  ikjen e të rinjve si gangrenë , bjerrje e resurseve apo si fatkeqësi kombëtare, dhe janë mobilizuar për të rifituar besimin e të rinjve të tyre me reforma konkrete, ndërkohë tek ne e theksoj që vazhdon të konsiderohet si fenomen “normal”.

Duhen politika të posaçme për të afruar të gjithë llojet e emigrantëve, ata ekonomikë dhe ata të intelektit. Kërkohen politika integrimi, të afta për ta ftuar shqiptarin e larguar i cili nuk do të kthehet vetëm se e ka marrë malli për vendin. Ai do të kthehet si investitor, si kontribues në ekonominë dhe intelektin kombëtar, dhe për këtë duhen krijuar politika lehtësuese. Krijimi i programeve të reja për promovimin e punësimit të të rinjve, mbështetje për bizneset rinore etj. Ka shumë që mund të bëhet, mjafton të jetë dëshira e mirë dhe vendi ynë do t’i afrohet realisht ëndrrës europiane, të cilën aq shumë e dëshiron.

Nëse qeveritë që drejtojnë Shqipërinë, jo vetëm kjo aktualja, të gjitha pa asnjë përjashtim do të mendonin për ne dhe jo për “xhepin” e tyre, Shqipëria jonë e bukur nuk do të ishte kështu.

Një vend i bekuar me një natyrë magjike, është “i mallkuar”  nga ata që e drejtojnë. Mjaft!

Related Posts

Leave a comment