Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NATO mund të bëjë më shumë në Ukrainë, pa e provokuar Moskën

-640-0-1656511765xukraine-nato-flags-2-rdax-775x440s-215

Nga Daniel Altman “Foreign Affairs”

Ndërsa bota po sheh teksa ukrainasit luftojnë për jetën dhe lirinë e tyre, shumë njerëz ndjejnë një dëshirë të zjarrtë për të bërë më shumë në mbështetje të tyre. Problemi nuk qëndron tek mungesa e forcave apo burimeve, por tek frika e provokimit të një lufte më të gjerë, ndoshta edhe bërthamore, me Rusinë.

Kjo frikë është arsyeja pse presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s, e kanë bërë vazhdimisht të qartë se nuk do të ndërhyjnë drejtpërdrejt në konflikt, duke e kufizuar ndihmën e tyre në armë, para, të dhëna të inteligjencës dhe sanksione ekonomike. Sado shkatërruese që janë ngjarjet aktuale në Ukrainë, një luftë bërthamore me Rusinë mund të vrasë më shumë njerëz sesa e gjithë popullsia e Ukrainës prej rreth 44 milionë banorësh. Udhëheqësit e NATO-s e kuptojnë se duhet të ecin në këtë vijë të hollë midis ndihmës për Ukrainën, dhe rrezikimit të luftës me Rusinë.

Por ata nuk kanë asnjë strategji të detajuar se si ta bëjnë këtë. Qeveritë në Gjermani dhe Francë po diskutojnë nëse do t’i japin tanke Ukrainës. Kur Polonia propozoi një plan për dërgimin në Ukrainë të avionëve të saj luftarakë MiG-29, Shtetet e Bashkuara refuzuan. Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby, paralajmëroi se ky hap “ngre shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s”.

Por po në atë kohë, SHBA-ja po dërgonte në Ukrainë raketat anti-tank “Javelin” dhe raketat tokë-ajër “Stinger”. Pak më vonë nisi të dërgonte armë të tjera, duke përfshirë topat M777 dhe tani raketahedhësit e shumëfishtë HIMARS. Ku qëndron dallimi? Këto armë e forcojnë më shumë fuqinë luftarake të Ukrainës sesa MiG-29.

Prandaj nuk qëndron frika se Rusia reagon më fort ndaj politikave që dëmtojnë më shumë interesat e saj. Atëherë, pse po dërgojmë shumë raketa dhe artileri, por jo avionë? Përgjigja është se nuk ka përgjigje. Kjo qasje është thjesht arbitrare. Prandaj NATO ka nevojë për një strategji të bazuar tek një teori se çfarë mund të bëjë për ta ndihmuar Ukrainën, pa e zgjeruar luftën në një konflikt të drejtpërdrejtë midis saj dhe Rusisë.

Leksionet nga krizat e dikurshme, na tregojnë edhe parimet që duhet ta udhëheqin një strategji të tillë. Historia tregon se NATO do të rrezikonte në mënyrë të pamatur luftën me Moskën, vetëm duke kapërcyer dy “vija të kuqe” ruse: duke gjuajtur hapur mbi forcat ruse, ose duke vendosur në Ukrainë njësi të organizuara luftarake nën flamujt e anëtarëve të NATO-s.

Për sa kohë që aleanca nuk i shkel këto vija, ajo mund të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën në rrezikun e pranueshëm të një lufte. Përplasja e parë e madhe e Luftës së Ftohtë – Bllokada e Berlinit e viteve 1948-1949 – nxori në pah këtë strategji. Edhe pse ishte lehtësisht në gjendje të mposhtte trupat amerikane, britanike dhe franceze në atë që do të bëhej Berlini Perëndimor – një enklavë në thellësi të Gjermanisë Lindore të pushtuar nga sovjetikët – udhëheqësi sovjetik Josef Stalin nuk e pushtoi territorin.

Pasi kjo do të nënkuptonte sulmin ndaj atyre trupave dhe kësisoj provokimin e luftës. Në vend të kësaj, ai vendosi një bllokadë që bllokoi ushqimin dhe qymyrin për ngrohje për

2 milionë berlinezë. Kur trupat sovjetike bllokuan rrugët dhe hekurudhat, udhëheqësit perëndimorë refuzuan t’i sulmonin ato për të rihapur korridoret e furnizimit.

Në vend të kësaj ata ndërtuan një “urë ajrore”, duke supozuar se Stalini nuk do t`i sulmonte avionët e pambrojtur të transportit. Në fund, operacioni pati sukses. E njëjta gjë ndodhi edhe me bllokadën e SHBA-së ndaj Kubës në vitin 1962. Po ashtu, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik u angazhuan në luftëra nëpërmjet palëve të treta për të shmangur sulmin e drejtpërdrejtë ndaj njëri-tjetrit dhe fillimin e Luftës së Tretë Botërore.

Gjatë Luftës së Koresë, pilotët sovjetikë luftuan fshehurazi në radhët e forcave ajrore kineze. Armët sovjetike e furnizuan Vietnamin e Veriut, ndërsa ushtarët sovjetikë përdorën raketat tokë-ajër kundër avionëve amerikanë. Pavarësisht humbjeve të saj, SHBA vendosi ta tolerojë pjesëmarrjen e sovjetikëve.

Sovjetikët lejuan gjithashtu një sjellje të ngjashme nga Shtetet e Bashkuara në fushëbeteja të tjera. Për shembull, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin, Shtetet e Bashkuara armatosën dhe financuan muxhahedinët. Pas 10 vitesh, Bashkimi Sovjetik u tërhoq. Në vitin 2018, mercenarët rusë të Grupit Vagner në Siri sulmuan pa sukses forcat amerikane që vepronin përkrah forcave kurde.

Shtetet e Bashkuara nuk e trajtuan atë si një sulm zyrtar nga Rusia. Që të gjithë këta shembuj tregojnë se ndërmarrja e sa më shumë veprimeve kundër armikut, por pa e sulmuar hapur atë, është shpesh mënyra më e mirë gjatë menaxhimit të rreziqeve të përshkallëzimit.

Disa besojnë se armët bërthamore dhe interesat më të mëdha në Ukrainë, i japin Rusisë avantazh ndaj NATO-s. Por kjo është e gabuar. Është e vërtetë se liderët e NATO-s kanë më shumë prioritet shmangien e luftës me Rusinë sesa ndihmën ndaj Ukrainës. Por është po aq e vërtetë, se lufta kundër NATO-s do t’i kushtonte Rusisë shumë më tepër sesa format aktuale të ndihmës së Perëndimit për Ukrainën.

Tek e fundit, Rusia po lufton fuqishëm kundër Ukrainës. Ajo nuk mund të fitojë njëkohësisht një luftë konvencionale me NATO-n. Dhe askush nuk do ta fitonte një luftë bërthamore. Vetëm interesat nuk përcaktojnë se kush ka avantazhin, në kushtet kur të dyja palët dëshirojnë ta shmangin luftën.

Në vend të kësaj, avantazhi i takon palës që e vendos tjetrin në pozitë të vështirë për të zgjedhur, nëse do të përshkallëzojë veprimet, apo do të pranojë një humbje të kufizuar. Dhe pala që duhet ta nisë luftën është në pozitën më të vështirë. Pikërisht për këtë arsye, Rusia ka toleruar sanksionet e NATO-s dhe armatosjen e Ukrainës.

Brenda kufizimeve të lartpërmendura, ekzistojnë 3 mënyra kryesore për të ndihmuar Ukrainën. E para janë armët, dhe për këtë NATO mund të bëjë më shumë. Ajo mund t’i dërgojë Ukrainës tanke moderne, avionë luftarakë, raketa të avancuara tokë-ajër.

E dyta janë sanksionet, dhe NATO mund të bëjë më shumë, duke nisur që me kufizimin e mëtejshëm të importeve evropiane të gazit rus. Dhe mënyra e tretë është furnizimi me vullnetarë të huaj, një strategji të cilën NATO e ka neglizhuar. Edhe pse disa vullnetarë

janë tashmë atje duke luftuar si individë apo si pjesë e Legjionit Ndërkombëtar të Ukrainës, anëtarët e NATO-s duhet të inkurajojnë, pajisin dhe financojnë ushtarët dhe veteranët e tyre që janë të gatshëm të luftojnë për Ukrainën.

Që të kufizohet rreziku i luftës me Rusinë, këta ushtarë do të luftojnë të veshur me uniforma ukrainase dhe nën zinxhirin komandues ukrainas. Shtetet rekrutojnë ushtarë të huaj për të fituar përvojë, dhe për të parandaluar humbjen ushtarake. Në rastin e Ukrainës, nëse përdoren me mjeshtëri, vullnetarët e huaj mund ta ndihmojnë të forcojë aftësitë e saj.

Kjo është thelbësore pasi Ukrainës po i mbarojnë rezervat e saj të epokës sovjetike, dhe po kalon në përdorimin e armëve më të avancuara të NATO-s. Në planin afatgjatë, shifrat kanë rëndësinë e tyre. Nëse Ukraina ndryshon fatin e luftës kundër Rusisë, Moska mund të reagojë duke u mobilizuar plotësisht për luftë, duke financuar popullsinë e saj më të madhe për të mposhtur Ukrainën në një luftë shkatërrimi.

Një fluks në rritje i vullnetarëve të huaj, do të prishte llogaritjet e Rusisë, se mund të fitonte një luftë të gjatë. NATO ka hequr tashmë kufijtë e sipërm për sasinë e armëve që mund të dërgojë në Ukrainë. Është koha për të bërë të njëjtën gjë me trupat në terren. Përfitimet e organizimit të vullnetarëve, i tejkalojnë rreziqet./ *Marrë me shkurtime. Përktheu:abcnews.al

Related Posts

Leave a comment