Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kur piqen kushtet për Revolucion?

275667387_2473970859400216_9030975351607950058_n (1)
Sebastian Zonja
14 korriku është festa kombëtare e Francës, kur francezët përkujtojnë marrjen e Bastijës. Është data që shënon fillimin e ri duke lënë pas të vjetrën. Kështjella e Bastijës është simboli i regjimit të vjerët, të aristokracisë që s’kishte më ç’të jepte, përball borgjezëve dhe fshatarësisë që po tundin fort rendin politik me kërkesat e tyre për ndryshime – shkollim, pronë private, jetesë më të mirë…
Francezët zgjodhën të prisnin kokën e mbretit. Me plot probleme që kishte ai revolucion, që e përshkruan mahnitshëm Hygoi te “Të Mjerët”, sërish, trimat hapën rrugën për të rrëzuar tiraninë e mbretin dhe i dolën për zot me jetën e tyre.
Pas kësaj date të skalitur në historinë evropiane vijnë njëra pas tjetrës edhe emërtesat politike si, Qytetar, Republikë, Të Drejta.
Vokacioni social i kësaj epopeje franceze ushëtoi në mbarë botën me devizën e tij “Liri, Barazi, Vllazëri”. Ashtu siç themeluan francezët Republikën, duke ndryshuar përfundimisht raportin që kishin monarkitë, absolutizmi, tiranitë me shoqërinë; britanikët kishin themeluar më herët Parlamentarizmin, për t’i hequr fuqinë absolute mbretit të tyre.
Kontinenti ynë ka histori të mahnitshme politike, që me shekuj ndriçon rendin politik e shoqëror në mbarë botë. Për shembull, rendin ligjor që themeluan gjermanët nën emërtesën Rechtsstat ndikoi në masë kudo. Ndërkohë, të drejtat politike të qytetarëve u mbrojtën edhe më shumë nën devizën e Revolucionit amerikan “Jeta, Liria dhe Ndjekja e Lumturisë”.
Në të gjitha këto raste, Revolucionet u udhëhoqën nga elita politike dhe ajo kulturore. Diku regjimi i vjetër u plazmua në të riun, diku u shua. Kultin e individit e rrëzuan vetë francezët kur “vranë” Napoleonin. Bisedimet e elitës franceze me rusët, prusianët dhe britanikët kur kthehet Napoleoni nga Elba, tregojnë se ata deshën atdheun përpara Perandorit. Francezët e tradhëtuan vetë Napoleonin, sepse një koncert i ri fuqish që fitonte përball Napoleonit, do ta ndante Francën sipas interesave të fuqive fituese. Kjo është lartësia e atyre që shohin më larg se pushteti personal. Të tillë ishin Tajlerani, ish-ministri i Jashtëm, me shokë.
Revolucionet ndodhin kur kemi një elitë kulturore me në krye Volterin, një skamni të thellë siç e përshkruan Dikensi dhe një aristokrate si Mari Antuaneta që thotë se meqë s’kanë bukë fshatarët, le të hanë briosh. E thënë ndryshe:
“Revolucionet ndodhin kur elita kulturore bëhet zëri i skamnisë së vegjëlisë”.
Ne quajmë Revolucion atë që ndodhi në vitin 1924 dhe në vitin 1997. E kuptoni vetë se ku jemi. Atë të vitit 1924 s’e kemi jetuar, por këtë të ’97-ës e kemi parë me sy.
Zani Caushi ishte Volteri.
Gaxhai ishte Dikensi.
Napoleoni ishte Sali Berisha me Fatos Nanon.
Tajlerani ishte Aldo Bare.
Ndërsa si Fusheja ishin Haklajt.
Pasi na doli huq ky revolucion i vonuar demokratik, siç e quante Rexhep Qosja, sot jemi në këtë gjendje.
Tani, kur do piqen kushtet për Revolucion?
Në Shqipëri kemi disa dekada me Mari Antuanetën dhe 11 banjot e maceve të saj, se këta të tjerët si Volteri e Dikensi mungojnë në apel.
Kur të jenë më të rëndësishëm Volterët dhe Dikensat shqiptarë, atëherë Mari Antuaneta me 11 banjo macesh do shkojë në hale të gomerëve.

Related Posts

Leave a comment