Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NOBEL-it NË SHKUP IU VU DRYNI!

293214502_181448117605811_4057246636673580060_n
Midis nesh
Njëra prej librarive më dinjitoze në rang vendi, më e furnizuara me libra shqip nga mbarë bota shqiptare, ishte libraria NOBEL në ÇARSHI të SHKUPIT, nja njëqind metra larg Universitetit të UEJL-it, pak më larg Universitetit “Nëna Tereze”, po aq larg nga Katedrae e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare dhe nja 3 – 4 kilometra larg Fakulteti Pedagogjik. Pra, fare pran mijëra studentëve shqiptarë!
Që ta dinë ata tre-katër frekuentuesit besnik të librarisë, tashmë NOBEL-it iu vu dryni! Askush nuk ushtroi dhunë kulturore mbi të, askush nuk e theu se është librari shqiptare, askush nuk e detyroi pronarin në këtë hap më antikulturor, thjesht ia vuri drynin sepse nuk e deshtën vetë shqiptarët!
NOBEL ofroi lirime me njëzet, tridhjetë, dyzet për qind nga çmimi i mbi 5000 titujve, por as kjo masë nuk e joshi lexuesin shqiptar! Sikur të shiteshin vetëm nga pesë libra në ditë, do të siguroheshin paratë e qerasë! Nuk kërkonte më shumë pronari, vetëm lekët e qerasë dhe një librari reprezentative të librit shqip mu në zemër të Çarshisë së Shkupit!
HEJZA edhe më herët e pat ngritur këtë shqetësim dhe, fatmirësisht u gjend një donator “anonim”, i cili e mori për sipër mbulimin e qerasë për disa muaj, me shpresë se gjërat do të shkonin nga e mbara! Dikush tha se po na ik rinia dhe s’ka kush të lexojë libra! Shkupi, sidomos Shkupi i shqiptarëve të varfër, po vafërohet ditë e më shumë. Nuk kanë mileti para, prindërit mezi po ia dalin që ta shtyjnë javën e jo më muajin! Është e vërtetë kjo narrativë “popullore”!
Sipas një “studimi” alla-shqiptarçe, vetëm në kafenetë dhe çajtoret e Shkupit të varfë, Shkupit të shqiptarëve që kanë prekur fundin e mjerimit, për çdo mbrëmje konsumohen prej të rinjve tanë mbi 1000 nargile! Mesatarja kushton rreth 10 euro! Vetëm për nargile shqiptarët në mbrëmje lënë nga nja 8-9-10 mijë euro! Të mos i fusim në hesap këtu edhe kafetë, lëngjet, redbullat etj!
Leximi është “sëmundje”, është varshmëri! Lexuesi i rregullt e pasionant është i ngjashëm si duhanpirësi ekstrem! Është kulturë, siç është lloj “kulture” edhe varshmëria prej duhanit, prej kafes, prej nargiles, prej…
Varshmërinë në diçka nuk ka shans që ta imponojë një shkollë e mesme, një fakultet, një universitet! Studenti i varur nga duhani, nuk do t’i dëgjojë qindra profesorë e doktorë shkencash që të heq dorë nga ajo e keqe! Nëse i riu nuk është i varur nga leximi, nuk ka ent e institucion mësimor që do ta detyronte që ta provojë qoftë edhe vetëm një herë leximin e një libri.
Leximi është kulturë. Njeriu nuk lind i kulturuar. Njeriu bëhet i kulturuar, mësohet me kulturë, që në hapat e para kur del nga foshnjëria! Të rrallë janë ata fëmijë që kanë parë prindër me libra në dorë, ndërsa janë miliona fëmijë shqiptarë që prindin e shohin me cigare në gojë, duke e dredhur tymin që ia përshkon njërin sy që i mbyllet paksa, duke ia dhënë pamjen e garibit, trimit, patriotit! Fëmija do ta përthithë e do ta emitojë këtë kulturë, duke e avancuar atë në nargile e në konsumime të serta!
Prandaj, mos të kërkohet faji për moslexim direkt te fakultetet! Për rrënimin e një super shtëpie nuk duhet kërkuar fajin në peshën e çatisë, por në themelet e dobëta të saj! Dryni i përjetshëm në derën e NOBEL-it nuk flet për varfërinë e shqiptarëve, nuk flet për mungesën e librave, nuk flet për pozitën e saj diku në humnerë që nuk e kap as GPRS, porse, thjesht, flet për një dukuri shumë shqetësuese, që duhet ta alarmojë çdo prind, çdo familje, çdo shkollë e çdo institucion!
Më herët, për evente familjare e mes miqsh e dostllarësh, si “dhuratë” dërgoheshin ndonjë sheqerpare, ndonjë revani, kadaif, bakllava, më vonë u bë “kulturë” edhe torta. Për këtë vit janë festuar me mijëra ditëlindje të fëmijëve tanë, janë festuar me mijëra diplomime ta maturantëve e të studentëve tanë, janë festuar mijëra fejesa, janë shënuar mijëra raste dhe, nga të gjitha këto evente familjare shqiptare, përfitues kanë dalë lulishtet dhe këndi i çokollatave të dyqaneve! Po sikur ta kishim kulturë që për raste të tilla njerëzve tanë t’u dhuronim nga një libër! Nuk do të na dilnin dhjetëra NOBEL-a!
NOBEL-in që e patëm, e mbyllëm ne, duke kursyer për nargile, për një ves nga më të shëmtuarit por që, çuditërisht, po u pëlqen shqiptarëve tanë të varfër. Po u bëhet “kulturë”! /HEJZA/

Related Posts

Leave a comment