Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

LETËR POETIT REBEL PANO TAÇIT

SAZAN GOLIKU
Ti Pano ke qenë, je dhe do të mbetesh vagabond i vërtetë, një aventurier i pandreqshëm. Ti je një variant shqiptar i Aleks Zorbës, d.m.th. je Njeri.
Ty të njihnin të gjithë në burg e në kampe dhe të donin të gjithë të burgosurit. Dhe ti rriheshe më tepër se kushdo tjetër (edhe për të tjetrët) nga gardianët e policët.
Ti ke pasur dëshirë të visheshe bukur, të ngatëroheshe me lloj-lloj femrash, të kapardiseshe në klubet më luksoze dhe t’i qerasje të gjithë të njohurit. Pastaj mbeteshe pa asnjë lek në xhep. Pastaj të nesërmen ishe gati të bëje çdo punë. Dhe punoje ditë e natë majë kapriatave si kaprentier, pastaj sërish zije klubet me radhë. Shija e një gote birre për ty ishte shija e lirisë që ta donte shpirti i etur, që tri burgime nuk ta shuan dot. Flisje për femrat e poezinë, sidomos për atë të ndaluar. Pastaj, si ndonjë konspirator i regjur nxirrje nga xhepat ndoca fletë të zhubravitura, me një shkrim gati të pakuptueshëm dhe ua lexoje të njohurve ose ndonjë letrari të ri poezinë e re që as vetë nuk e dije se ku e kishe shkruar.
Të gjitha gjërat, ti Pano, i ke bërë së prapthi, megjithëse nuk besoj të kem njohur njeri ta ketë dashur jetën sa ti. Të imagjinoj në një cep biruce, duarlidhur, me sytë që të shumëfishonin ato pak rreze që të futeshin vjedhurazi nga një e çarë si fërngji. Në heshtjen e pafund të vetmisë çdo bisedë me veten, me muret, me hekurat, me të vdekurit, me të gjallët varrosej në heshtje. Pastaj gjete një rrugëdalje: bisedat me veten nise t’i deshifrosh me zë në vargje. Dhe mbete poet i vërtetë.
Vite e vite, një jetë të tërë, braktisur nga njerëzit, nga zoti që nuk e beson, nise t’i luteshe djallit dhe i the vdekjes “plaç!”
Tash shijon jetën si i eturi dhe i urituri mes shkretëtirës, një palmë buzë oazit për karvanet e shpirtrave të etur. Si i tillë do të mbijetosh me poezinë tënde të zezë e të kuqe, që i kushtove jetën edhe pse ajo ta plagosi atë deri në asht.
Gusht 2002

Leave a comment