Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

RETORIKA E BASHKIMIT TË FUQISHËM DHE KOMPAKTËSIA E HUMBUR

Bashkimi-Europian
Nga MASSIMO NAVA
Të nesërmen e shëmbjes së Murit të Berlinit, Evropa jetoi një stinë të dalldishme: monedha e përbashkët, zgjerimi i Bashkimit në Vëndet e ish Paktit të Varshavës, fuqizim i një modeli ekonomik e shoqëror që premtonte siguri e mirëqënie si askush tjetër në botë. Dalldia për mbarimin e Luftës së ftohtë dhe shëmbjen e Bashkimit Sovjetik ushqyen edhe ëndrrën e një Evrope nga Atllantiku deri në Uralet, simbas vështrimit të de Golit, të proçeseve demokratike e të bashkëpunimit për paqën që të përfshinin edhe Rusinë.
Dalldia mund të jetë ngjitëse por ndonjëherë edhe jetëshkurtër. Erdhën luftërat në ish Jugosllavinë, rrëzimi i Traktatit kushtetues nën valën në rritje të populizmit, kriza financiare e vitit 2008, kriza greke, Brexit, pandemia.
Luftërat në Ballkan nxorën në pah pafuqinë e Evropës, rihapën plagë etnike e fetare, që dukeshin të shëruara mbas dy luftërash botërore, detyruan përsiatjen mbi zgjerimin e NATO-s në rajon e në Vëndet e Lindjes, detyruan ndërhyrjen ndihmëtare të SHBA, që i dhanë fund luftërave duke ndërthurur diplomacinë dhe ndërhyrjen e armatosur.
Evropa e të njëzeteshtatëve u zbulua një arkitekturë e mrekullueshme ideale, së cilës i mungonin shtyllat mbajtëse të tatimeve e të mbrojtjes së përbashkët, ndërsa qeverisja politike ishte kushtëzuar nga vetot e kryqëzuara dhe burokracia e skajëshme. Evropa u zbulua e dobët dhe e papregatitur përballë kërkesave të ngutëshme të shekullit të ri. Vetëm vullneti e vendosmëria e disa drejtuesve – Mario Draghi, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel – arritën të kufizojnë rreziqet e shpërthimit, të ushqyera nga shtysa qëndërikëse (Brexit) e nga qëndrime kritike të disa Vëndeve të Lindjes mbi çështje themelore, si drejtësia, mërgimi, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Përballë pandemisë Evropa gjeti kompaktësinë dhe një vetëdijesim të ri të forcës së saj, të vlerave të saj, të “ndryshueshmërisë” së saj në një botë të globalizuar. Shtysa erdhi nga Parisi, Berlini, Roma e nga Banka Qëndrore Evropiane. Por dalldia zgjati sa hapësira e një mëngjezi. Mësyemja ruse e Ukrainës duket se ka zhvendosur mbrapa orën e Historisë.
Lufta ka cunguar, së paku për një brez, lidhjet kulturore dhe ekonomike me Rusinë. NATO është zgjeruar në Vëndet balltike e skandinave. Megjithë dënimin e drejtë të masakrave e të politikës agresive të Kremlinit, ra në zbrazësirë qortimi i Henry Kissingerit nëse është në interesin e Evropës t’a katandisë Rusinë në një Vënd të përbuzur, aq më tepër se demokracitë perëndimore mbeten pakicë në planet, qoftë si sistem politik qoftë si peshë specifike banorësh.
Sot retorika e Evropës së fuqishme e kompakte, që i hap dyert antarëve të rinj dhe Ukrainës e mbështet me armë e ndihma në para qëndresën e Kievit duhet të matet me pasojat rrënuese të luftës: kriza ekonomike dhe energjitike, dasi politike në rritje në brëndësi të Vëndeve të veçanta, çmim ekonomik i rindërtimit, për të cilin Evropa do të marrë pjesën e saj, probleme shoqërore nga dallgët e reja të mërgimtarëve, vartësi energjitike nga Vënde të pabesueshme përsa i përket të drejtave. Jo e fundit, vënia në kllapa e politikave të kalesës ekologjike që përfshin, ndërmjet të tjerash, hapjen e çentraleve të qymyrit. Deri në ç’pikë do të jenë të përballueshme çmimet e shtrenjta, dritat e rrugëve të shuara, termosifonë më t’ulët e rënie të eksportimeve n’emër të luftës ekonomike Rusisë?
Lajmërimet e vjeshtës që na pret po pasqyrohen mbi qeveritë, aq më tepër se parashihet një piskamë energjitike e ndërthurur me një të tillë shëndetësore.
Në ditët në të cilat drejtuesit e tre partive më të mëdha evropiane shkonin në Kiev, piqej në Francë humbja e Emmanuel Macronit në zgjedhjet legjislative, në dobi të lëvizjeve të së djathtës skajore e të së majtës skajore, udhëheqësit e të cilave (Marine le Pen e Jean Luc Mélenchon) janë kritikë kundrejt NATO-s e i luajnë syrin Putinit. N’Itali janë në rendin e ditës dridhjet në shumicën, për qëndrimin e Pesë Yjeve mbi luftën. Dorëheqja e Mario Draghit ishte në ajër prej kohësh dhe ajo mund të shkaktojë një mangësi themelore të qëndrimit evropian në luftë. Në Gjermani kançelari Scholz bie në hulumtimet. Në Britaninë e Madhe ra Boris Johnson.
Ndërkaq lufta na kujton më shumë një lojë qesharake të patës që tregon paarsyeshmërinë e saj: ndërmjet Kievit që nuk mund të humbasë dhe Moskës që nuk mund të fitojë, ravijëzohet si zgjidhje e praktikueshme kthimi në gjëndjen e para mësyemjes, me Dombasin dhe Krimenë të pushtuar por jo të njohur, të luftuar por jo të ripushtuar, të paracaktuar të mbeten në gjëndjen e mjegullt në të cilën përfundon në udhëkryq e drejta e popujve dhe sovraniteti i Shteteve.
“Corriere della Sera”, 15 korrik 2022 Përktheu Eugjen Merlika

Related Posts

Leave a comment