Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

MARTIN CAMAJ 97 VJET

295227796_3314964432075660_2606602435271247637_n
Nga Sadik Bejko
Martin Camaj (21 korrik 1925 – Mynih, 12 mars 1992) shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Ishte i biri i Kolë Camës, bari e bujk në fshat. Tereza, e ëma, ishte nga Prekali. Martini lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nisi të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe në matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit atë David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të bënin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.
Në vitin 1935 u vendos përfundimisht në Shkodër dhe filloi të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Prej rektorit të kolegjit atë Giuseppe Valentini SJ mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati i vdia pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.
Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër regjimit të komunisteve me çetën e kapidan Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar të jetojë në ilegalitet deri sa ia arriti të ikë në Jugosllavi bashkë me atë Daniel Gjeçajn OFM dhe një grup prej 36 vetësh. Nuk pati më rast të kontaktojë me nënën, me familjen, një vëlla bëri 30 vjet burg.
Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesi në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”
Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd i regjistruar në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 20 korrik 1955 duke dhënë provim diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim në bashki, mandej në kishën ortodokse e më pas në atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç, bijë e një akademiku me peshë në Beograd.
Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale Jugosllave, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56-s). E shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.
I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe nga profesorë të vjetër të ish-kolegjit jezuit të Shkodrës, nga patër Luigi Rosa dhe patër Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare si edhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera në Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti. Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e letrësi shqipe; ndërkohë gjen rastin të ndjekë leksione prej poetit Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që Martini e redaktonte prej tri vitesh dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: “Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi”.
Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu përkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren në fshatrat e ngulimeve arbereshe. Nga viti 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i vitit 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në të folmet e arbëreshëve të Italisë Jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të PEN-klubit me qendër në Londër.
Në dhjetorin e 1960-s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD ( Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Universitetit Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjodhi si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.
Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj u mbështet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordoi një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt. 21 janar 1965 me venia legendi (leje mësimdhënieje në universitet) në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për të qenë Privatdozent, përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62.
E shoqja, Nina, jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente. Në vitin akademik 1961-62 shkoi pranë Martinit ku do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodhi në vitin 1968. Mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.
Vitet prej 1965 deri në 1971 kanë qenë vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.
Vepra
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt – gjuhësi, dialektologji, gramatologji- u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në të folmet arbëreshe në Italinë jugore.
Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike.
“Një fyell ndër male”: poezi, Prishtinë 1953
“Kanga e vërrinit”: poezi, Prishtinë 1954
“Djella”: novelë në prozë e në vjershë, Romë. 1958
“Legjenda”: poezi, Romë 1964
“Lirika mes dy moteve”: poezi, Mynih 1967
“Rrathë”: roman, Mynih 1978
“Njeriu më vete e me të tjerë”: poezi, Mynih 1978
“Shkundullima”: prozë, Mynih 1981
Poezi: 1953-1967: poezi, Mynih 1981
“Loja mbasdrekës”: dramë Mynih, 1981
“Kandili argjandit”: dramë, Kozencë 1983
“Poesie”: Palermo, 1985
“Karpa”: Romë 1987
“Selected poetry”: Nju Jork, 1990
“Dranja: madrigale”, Mynih 1991
“Palimpset”: Nju Jork 1991,
“Gedichte”, Mynih 1991.
“Fjalori i Kristoforidhit”, 2020, (vepër postume)

Related Posts

Leave a comment