Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PROFESORI I PROFESIONIT TË BUKUR TË GAZETARIT

297645754_10222576916104444_351009433566111491_n
Thoma Nika/
Do të ishte Dita e tij 7 gushti. Por ai nuk është. I përjetshëm nuk mund të ishte, se nuk është i tillë Njeriu, por Gjurma që lë.
Kam publikuar 8 vite më parë këto dy foto të tij. Në vend të urimit, kur ai bënte 90 vite jetë.
Timoleo Mërtiri ishte ndër ne ikona e Gazetarisë së Luftës dhe e Gazetarit të Shqipërisë në ndërtim e rindërtim.
Artikujt e tij në 70 vjet u bënë jo thjesht “bombë e flamur” për beteja, por sidomos u bënë modeli i të jetuarit dhe të përjetuarit të jetës, si gazetar misionar, për të vërtetën dhe për më të mirën.
Timoleo Mërtiri është gazetari shqiptar, ndoshta i vetmi i kësaj race, me jetëgjatësi e vitalitet të dëshiruar nga shumëkush, sikurse shihet edhe në këto foto.
Akoma më shumë e vlerësuar kjo tek ai, duke ditur se jeta e Timoleo Mërtirit nuk ishte një vijë e drejtë. Nuk ishte as pa halle e pa peripeci, as e mbuluar me lule e pekule.
Në Ditën e tij sot sjellim ndër mend se si ai u bë dhe mbeti “pedagogu” i sekreteve profesionale për sa e sa gazetarë të redaksive të gazetave, nga Tirana, në Lushnjë e në Sarandë. Gazetar me reflekse të lindura dhe të zhvilluara me punë, se ishte punëtor sa ai.
Kujtoj atë që na e thoshte shpesh ne, më të rinjve të redaksisë: “Ju ikni në terren, shikojeni me sy dhe ndjejeni me zemër atë që do të shkruani. Po shkuat tek Njeriu, atje ku mbillet e korret, ku është galeria e minatorit, ku bëhet gjuetia e peshkut e ku lind jeta, keni marrë “brumin” e duhur për të gatuar atë që duhet”.
Na përcillte te dera e redaksisë, duke na thënë: merrni makinën me rrota dhe syrin e gazetarit dhe ikni, mua më lini makinën e shkrimit dhe telefonin e zyrës dhe mos e kini mendjen te mbushja e gazetës, por mbushuni me jetë.
Me këto fjalë na përcillte në shërbimet tona cep më cep rrethit të dikurshëm të Sarandës. Dhe na priste prapë me dashuri, kur ne ktheheshim si varkat nga “gjuetia e faktit”,
Duke mos na i kursyer rekomandimet se si të gatuanim me faktin, me detajin. Se vetë ai ishte një penë që shkruajti ndryshe, duke thyer korniza e duke thyer mite “autoritetesh”. Kush nga ne nuk do të donte të ishte si ai: me mendjen e hapur e të ftohtë, por edhe me zemrën e ngrohtë, me të cilën ndjeu dhe shkruajti çdo histori njerëzore që gjurmoi?!
Timua solli në shtyp dhe bëri dhe vetë jetën e njeriut të thjeshtë. Ai ishte përthithës i faktit jetësor, por edhe një memorje me megabit të lira, në të cilat sejvonte esencë nga leximi i librave dhe nga leximi që i bënte jetës dhe jetëve njerëzore. Tek ai ishte syri i gazetarit, që vëzhgonte thellë, ndaj zëri që dilte nga pena e tij, ishte zëri që fshikullonte rreptë. Ai ishte një rezervat i mençurisë së kultivuar, të fituar nga jeta dhe të mësuar nga profesioni i gazetarit. Ai njihet si gazetari që nuk e lodhën ndonjëherë udhëtimet dhe asnjëherë nuk e kanë velur ato që ka memorizuar prej udhëtimeve të tij. Po ai Timoleo, ishte njeriu i humorit të mençur e i batutave spontane, jo pak prej të cilave i kemi tatuazh në tru, të ngulitura në mendje, si fjalë të urta.
Zakoni i tij i përditshëm i përtej 90 viteve jetë, ishte të priste ardhjen e gazetës së ditës e mundësisht të ishte blerësi i parë i saj. I pëlqente që oksigjeni i frymëmarrjes së tij buzë Jonit, të përzihej me erën e freskët të bojës së gazetës dhe të rejat e ditës, që ai i lëçiste me një frymë, por edhe duke bërë selektimin e tij shumë të rreptë.
Në ditën më të veçantë të tij, atë të 90-vjetorit, kishte dalë edhe më herët se zakonisht te kioska e gazetave. Kishte një arësye më shumë, për ta bërë këtë. Në “Koha për t’u zgjuar” kishte dëgjuar se tek “Koha Jonë” ishte shkruar për 90-vjetorin e tij. Kuriozitet të parë kishte se kush prej miqve të vet të penës e të zemrës, e kishte mbajtur mend 7 gushtin, si ditëlindje të tij. Dhe artikullin ua kishte nisur tërë shqiptarëve, si në vend të tortës për atë ditëlindje. I erdhi edhe mirë edhe keq për këtë. Nuk është se nuk i tha vetes: “Ky Timoleo, që tërë jetën ia doli ta mbajë të fshehtë shifrën e vërtetë të moshës, ja ku bëhet sot “qepaze” në sytë e të gjithëve”.
Kush nuk e mësoi që ai “shkeli” të 90-at. E nuk mund të prisje që kjo t’i pëlqente, apo të merrte poza “kampioni”. Se ai edhe aq kohë sa jetoi përtej të 90-ave, ishte po ai: njeriu që ecte, si gjithnjë, me hap të shpejtë e gjithnjë krenarisht për atë që ishte.
Ai i bëri sfidë moshës në çdo moshë. Sepse dinte dhe bënte një gjë që nuk e bëjnë dot të tërë: jetoi jetën në çdo ditë dhe u plak ngadalë.

Related Posts

Leave a comment