Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një kujtim fëminije i pesëdhjet viteve ma parë

R
Nga Stefan Capaliku
Ishte viti 1972. Gusht. Me gjasë atë vjetë qe hapë plazhi i Velipojës. Qenë ndërtue disa shpi të vogla prej guri ngjitë me njena tjetren, që thirreshin “Kabina”. Banjot ishin të përbashkëta, përveç dy kabinave të pushimit të sekretarit të parë dhe kryetarit të komitetit ekzekutiv.
Im atë ia kish dalë të siguronte autorizim për pesëmbëdhjetditshin e dytë të gushtit dhe ne dukeshim të lumtur.
Autoritetet, që administronin aso kohe plazhin, kishin instalue diku në thellësi të detit edhe tre-katër fuçi, si shenja se deri aty qe caku, ku mund të shkoje me not. Ma thellë qe e ndalueme dhe e rrezikshme.
Kishte plot të rinj që aso kohe krenoheshin se ia kishin dalë të shkonin deri te fuçitë. Ajo ishte shenjë se jo vetëm e dinin notin, por edhe se madje e dinin mirë. Kompeticione të tilla fizike aso kohe ishin të zakonshme.
Edhe ne dinim not. Domethanë unë dhe ime motër. Unë madje, aso kohe shtatë vjeç, sapo e kisha mësue, kurse ime motër, pesë vjet ma e madh e dinte ku e ku ma mirë se unë. Dinim notin, por kurrë nuk kishim guxue t’i afroheshim fuçive. Qe punë me rrezik. Vetëm të shoqnuem prej babës sonë edhe mund ta realizonim atë andërr. Mirëpo im atë, qeshte sa herë që ne i thonim të na çonte deri te fuçitë. Sot e kuptoj se sa mirë e dinte ai rrezikun e asaj pune.
Një mjes. Kur ne ishim në kokërr të gjumit, dëgjohet zani i babës që na thirrte të dyve:
-Ej lepurusha! Çohuni prej gjumi se sot kam vendosë me iu çu te fuqitë.
O Zot çfarë qefi! Dhe u çuem të dy si të marrë dhe veshëm kostumet tona të banjos dhe pa futë asgja në gojë, përshëndetem nanën tonë, që kish mbetë e shtangun dhe vrapuem mbas babës.
Ju e dini se rana në Velipojë shtrihet bukur larg bregut dhe asht e thellë dhe e nxehtë. Por ne fluturonim. Shikonim vetëm kurrizin e babës sonë, që na printe dhe asgja tjetër. Erdhi dita të rriteshim edhe ne. Po shkonim te fuçitë.
Dhe kështu u gjendem te bregu, kur çka me pa. Fuqitë plluskonin në breg. Atë natë, kur ne shikonim andrra me Uliksa e herkulë, stuhia i kishte zhgulë dhe i kishte nxjerrë në breg.
-Qe ku i keni fuçitë – tha baba – hypni në to, bani çka të keni qef, dhe betojuni shokëve se baba i juj e ka mbajtë fjalën: ju çoji te fuçiat.
Shëngjin, 17. 08. 2022

Related Posts

Leave a comment