Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

ANALIZA: Serbi-Kosovë, pas luftës në Ukrainë duhet një Pax Balcanica

-640-0-49921a8476e9074cb2de9d976a55bb78

Një Pax Balcanica, është gjithashtu e dobishme për të zbutur jehonat evropiane që ka lufta aktuale në Ukrainë. Nga bisedimet në bisedime: pas takimit trepalësh Erdogan-Zelenski-Guterres, Prishtina dhe Beogradi tentuan sërish gjetjen e kompromisi në mosmarrëveshjen midis tyre.

Por Bashkimit Evropian i mungon optimizmi, duke qenë se dy liderët, Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti, mbajnë ende qëndrime shumë të distancuara midis tyre. Ndërkohë negociatat e radhës u shoqëruan nga 2 lajme: NATO forcon praninë e saj në Kosovë, nga frika e depërtimit rus, ndërsa BE-ja planifikon të ulë standardet mjedisore për nxjerrjen e litiumit dhe materialeve të tjera për tranzicionin energjetik.

Biseda dhe nyje që duhen zgjidhur

Bisedimet ballë për ballë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk sollën sërish paqen e shpresuar, pas episodeve të dhunës që shpërthyen përgjatë kufijve të Kosovës rreth 3 javë më parë. Më pas, nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kurti ra dakord të shtyjë për në 1 shtator zbatimin e masave për ndryshimin e targave nga serbët e veriut.

Por përtej meritës specifike që lidhet me çështjen e targave, bie në sy strategjia e përgjithshme e Brukselit. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, vazhdon të ndjekë tezën se me luftën në pragun e Evropës, nuk është koha për polemika të tjera.

Aleanca veriatlantike, që aktualisht ka në Kosovë rreth 3.700 trupa, thotë se paqeruajtësit në Kosovën Veriore janë “gati të ndërhyjnë” në çdo rast emergjence, duke njoftuar një prani të shtuar në terren teksa forcat e aleancës po mbikëqyrin heqjen e postblloqeve të vendosura nga serbët.

Por tensioni vazhdon, teksa Vuçiç akuzon Kurtin se ka “gënjyer” në lidhje me planet e Beogradit për të sulmuar fqinjin e tij. Nga njëra anë, Serbia nuk e njeh sovranitetin e ish-krahinës së saj, dhe nga ana tjetër Beogradi argumenton se Prishtina e diskriminon pakicën serbe që jeton në veri të Kosovës.

Por përtej inatit serb ndaj Perëndimit për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999, bie në sy ndërhyrja e jashtme në rrjedhat e konflikteve ballkanike, për të destabilizuar planin evropian për zgjerim në lindje.

Në këtë kuptim duhen lexuar edhe deklaratat e Kurtit, sipas të cilit, për të arritur përparim në bisedimet dypalëshe, është strategjike që serbët të distancohet nga trashëgimia e Sllobodan Millosheviçit si dhe ajo e presidentit rus Vladimir Putin, duke qenë se nacionalizmi serb dhe interesat ruse janë “e njëjta gjë”.

Tranzicion dhe gjeopolitikë

Por nuk është vetëm mosmarrëveshja e vjetër mes Serbisë dhe Kosovës, ajo që shqetëson zyrtarët e niveleve  të larta të Komisionit Evropian. Janë edhe përplasjet gjeopolitike dhe energjetike në të gjithë zonën. Bashkimi Evropian ka nevojë për shumë lëndë të para, për të kapërcyer jo vetëm krizën e energjisë shumë të shtrenjtë, por edhe problemin e baterive për makinat elektrike dhe telefonave celularë.

Për këtë arsye, në planin “REPowerEU” rekomandohet lehtësimi i rregulloreve të mbrojtjes së mjedisit, dhe anashkalimi i kërkesës për lëndët djegëse fosile ruse. Në krye të prioriteteve të Komisionit Evropian është kalimi tek energjia e rinovueshme. Prandaj, hapi i dytë është një strategji që shtrihet midis nxjerrjes, përpunimit dhe riciklimit.

Në këtë kuptim, makro-rajoni i Ballkanit bëhet shumë themelor, për shkak se 8 nga 20 projektet evropiane që përfshijnë litiumin janë planifikuar pikërisht atje, sidomos në Serbi, ndërsa një tjetër është në Bosnje-Hercegovinë.

Kompania kineze “Contemporary Amperex Technology Ltd” ka lidhur një marrëveshje prej 7.34 miliardë eurosh në Hungari për të ndërtuar një fabrikë baterish. Edhe për këtë arsye, Brukseli duhet të përshpejtojë fuqishëm, si burokracinë po ashtu edhe planifikimin./ CNA.al

Related Posts

Leave a comment