Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kujtime: YLLI QË NDRITI NË NATËN E ERRËT

147144755_3856676907728395_409149841165225711_n (2)
Nga Miho Gjini
Sapo kemi hyrë në 100 vjetorin e lindjes së një artisti të madh…Më 15 gusht 1923 Ai erdhi në jetë në Leskovik. Dhe kishte marrë emrin e po një poeti të madh…E jo rastësisht!…Se ishin nga e njëjta DERË E FRASHËLLINJËVE të Përmetit…E geni do të bënte të vetën: që edhe ky “Yll”të ndriste po njëllojë, edhe pse qielli mbi të qe fort i errët!
E kemi fjalën për aktorin NAIM FRASHËRI, që solli në skenën shqiptare Jonuz Brugën, peshkatarin patriot të Pitarkës, princin Ferdinant të Shilerit, njeriun e mirë Vojnicki të Çehovit, Gjeneralin e Kadaresë dhe Heroin e Rilindjes së Europës : Hamletin e Shekspirit, si askush tjetër! Po nuk do të ndalem në figurën e tij madhore, që vetëm me të tillë gjigandë të dramaturgjisë do të merrej e do të “ndeshej”!. Jo vetm sepse, për të kam shkrur monografinë “Pasardhësi i Moisiut”,-pra një libër të tërë, për gjithë jetën e krijimtarinë e papërsëritshme të këtij ARTISTI, NJERIU E HEROI TË SHQIPËRISË,-sikundër e kishin shpallur në atë kohë të errët. Porse, për të “pa thënat “ e këtij artisti, kur ndodhte që, pasi kishte përjetuar në skenë emocionet tronditëse të princit të Danimarkës, duhej që edhe të vinte tek vetvetja, kur mbyllej perdja, afronte mesnata dhe kur ne ktheheshin në shtëpiat tona të varfëra, diku nga pallatet e “1 majit” të së ashtuquajturës “Tirana e re”, ku gjithçka qe e vjetëruar dhe, ku i kishim shtëpiat afer e afër dhe e bënim bashkë rrugën gjer atje…..
Atë natë ai qe po aq i errët e i ngrysur si vet nata. Afro katër orë kishte “derdhur” emocione të jashtzakonshme dhe e kishte përjetuar tragjikisht, si të vërtetë vdekjen e Ofelisë , tek u hodh në thellësin e varrit të saj e klithi i tmerruar:”Jooo! Mos e mbuloni me dhe!….!”. E gjithë salla sikur klithi bashkë më të, në të njëjtën ofshamje të dhimbjes njerëzore. E gjithë tragjedia po kulmonte aty e thuajse kishim ngrirë përqark atij varri edhe ne figurantët, rrëqethur prej profesorit tonë në rolin e Hamletit. Por ai nuk qe thjesht një rol. Por një gjëmë e ndjerë, tronditëse, që nuk na ndahaj as kur perdja u mbyll e publiku nuk pushonte së duartrokituri që Artisti-Hamlet të delte nga gabina e tij e të zinte për dore artisten që lozte Ofelinë, të ndritshmem Margarita Xhepa, që ata atje, poshtë në sallë, të bindeshin që “jo….nuk kishin vdekur”! Po njëlloj si edhe e bija e tij, në premjerën e tragjedisë, kur kishte ulëritur tek ra i ati –Hamlet përdhe, në skenën finale, i helmuar dhe i “shpuar” në pabesi nga rapjera e Laertit…Se ai nuk dinte të interpretonte ndryshe…Po kaq më vërtetësi e madhërishëm!
Ne ecnim tani në bulevardin e gjërë të heshtur, i rramë përmes “Parkut Rinia” e dolëm nën shelgjet lotuese të Lanës që kundërmonte erë të keqe. Heshtja vret, po heshtja edhe fletë pa zë, ashtu sikundër edhe e bluan njeriun nga përbrënda! Nuk mundesha të bëja as “gëk”, para profesorit tim që më konsideronte të barabartë tek më kishte zgjedhur si asistentin e tij për vënien në skenë të “Norës” së Ibsenit. Por, edhe që ma hapte zëmrën “katrash”! Sa pata filluar të shkruaja për të gjithçka që ndjeja e gjithçka që më thoshte…,po jo gjer këtu…,kur ai qëndroi, ndezi një cingare “Diamanti”dhe nisi të flasë si me rrënkim:”Ditën e djeshme, mua donin të më përjashtonin nga Partia.. partizanin që zbriti nga mali i Priskës e erdhi drejtë e në TEATËR…që vuri atje “gurin e parë të themelit”…,që e donte skenën më shumë sa edhe veten…vetëm e vetëm se bënte prova me orë të gjata, deri natën vonë, për ato skena që i pe edhe sonte…kur nuk ishim më vetvetia….po une Hamleti që më kishin vrarë babanë, që më kishin rrëmbyer edhe nënën bashkë me mbretërinë e më mbetej vetëm Ofelia, si ëndër e si shpresë, si ëngjëll i dashurisë e i jetës së padurueshme….që ajo do marrosej e unë jo më pak , pas vdekjes së saj…o ti “DJALL I ZI “! që kurdise kundër nesh gjithë atë thashemnajë vrastare për të më baltosur mua e idealin tim,…po edhe atë motrën time që lozte Shekspirin me mua e as që e di fare se ç’ka ndodhur në atë organizatë partie kundër sekretarit të saj!…O Perëndi ku je, për ata pak injorantë që janë mbledhur aty, bashkë me paaftësinë e tyre.. Që mbetën gjithë jetën e tyre skenike vetëm me role episodike figurantësh…Që rrojnë vetëm me llafe…llafe…llafe, sa i i bëjnë male…Që më akuzuan për “moral të dobët”, kur për atë pastërti morali, si të Jezu Krishtit rrëmbeva pushkën e dola malit!…Oh! Komunista janë këta?! Për të tilla ideale kam ëndërruar unë, duke sakrifikuar rininë time?!Ç’thua, more! Se, ja ku më keni u thashë: bëheni njësh tre-katër të paaftë, cmirëzinjë e ligaçë.., që të “hiqni qafe” edhe të aftin, ta përjashtojnë edhe talentin nga mesi i tyre,…sepse “u zë Diellin”!?….Po, jo, joo, nuk mundeni dot! Dhe nuk mundën …e ç’ma bënë edhe më tronditëse atë skenë që e pe sonte…kur unë thirra, klitha me shpirtin që më plasi, se doja të vdisja bashkë me të…kundër ligësisë njerëzore…Ja sepse është aq i madh Shekspiri që i shkroi këto”kuje” si për sot e si për nesër, kundër këtyre njerëzve të mbetur si në mesjetë e jo vetë Shekspiri që shkroi per ta…” Ai heshti përsëri pranë pemës më të madhe lotuese, që dukej se do të pikonte lotë edhe ajo. Kishim mbërritur…Më vuri mbi sup dorën që i dridhej. Dhe e përpiu nata!
Ky zhgënjim i madh e kjo brengë e gërryente nga brënda këtë personalitet të ARTIT SHQIPTAR që gëzonte edhe titujt më të lartë (si “Laureat i Çmimit të Republikës”, “Artist i Popullit” e “Hero i Punës Socialiste”), të cilat u jepeshin artistëve më të talentuar , që kishin arritje e suksese në “arenën publike” të vëndit, -gjë që nuk ishte më tepër se një “pengmbajtje”, duke i quajtur hapur fare si “Shërbëtor të Partisë”! Dhe erdhi një kohë e hidhur, kur artisti komunist e pa veten si një “Limon të Shtrydhur”. “Komunistët Naim Frashëri dhe Esma Agolli…theksuan se edhe aktorët më të patalentuar nga të rinjtë, e ndjenin veten më të ngrohtë dhe më të sigurt sesa nga aktorët më të talentuar nga të vjetrit. Aktorët e vjetër filluan të denigrohen thonë ata, të quhen si limona të shtrydhur!”,-thuhet në dokumentin arkivor “Indroktinimi Komunist”, të publikuar nga B.Meta,A.Krasniqi e H.Bello.Me sa kuptoja unë atë natë,Naimi e përjetonte keqazi këtë kontradiktë, me qëndrimin e tij të thjeshtë e njerëzor, i pezmatuar jo pak herë, i përfshirë në pasionin e thellë të krijimit artistk, me devotshmërinë shoqërore dhe kryesisht me talentin që e zotronte nëpërmjet dhuntive individuale e të një afeksjoni të natyrshëm në proçesin krijues. Ai kishte një përvojë të madhe aktrimi e intelekt për të kapur e realizuar bukur figurën artistike, pa kryer asnjë shkollë, përveç kurseve fillestare me regjisorin e parë Sokrat Mio e me rradhë. Një artist që nuk i mungonte as humori, krijimi i mardhënieve të natyrshme me kolegët, si edhe një edukate shëmbëllore, thuajse aristokratike.Dhe një burr i bukur, i pashëm, i qeshur, në fizionomin e përngjajshme me atë të Aleksandër Moisiut, me shtatin, me zërin e ngrohtë, me pak kantilenë e me ndonjë “lapsus”, kur e rrëmbente pasioni i zjarrtë i interpretimit…
Të tillë e lashë mikun tim, artistin e madh, kur më ndëshkuar edhe mua për dy drama që “i madhi ynë” i quajti revizioniste e më pas , përmes një “Letre Anonime”, po si një “Limon të Shtridhur” do të më flaknin…Dhe nuk e gjeta më atë, profesorin e mikun tim të shtrenjtë, pasi dola edhe unë i dërmuar e i pashpresë nga dyert e burgut! Iku nga jeta në kulmin e interpretimeve të tij monumentale. E mposhti sëmundja e prostatës dhe e mushkrive, në atë “bina”të përkohshme prej eterniti që ngritën ushtarët italjanë për dëfrimin e tyre. Po edhe pasioni i flaktë, energjia krijuese e përhershme. I papërtuar ndër prova të gjata me partnerët e me vetvetenI. Me shfaqje të përhershme në qytet e në fshat. Me prova në kinostudjo, si edhe në studjon e radio-Televizionit,për të recituar poetin Naim a interpretuar personazhet e “Teatrit në Mikrofon” që ndiqej e pritej në atë kohë si “ujët e pakët”! Një vullnetari i papaguar i artit edhe Ai, HEROI! Me mledhje partie e të kolektivit që nuk kishin të sosur, po edhe i pakursyer me ne studentët e aktrimit e me shfaqjet tona të diplomës. Që e mbajm në mëndje akoma, kur vinte dimrit të acartë , me të njëjtën pallto të vjetëruar!Ç’do t’i bënin më vallë “Limonit të Shtrydhur”?! Ku je, Françesko Goja, me atë veprën tënde shfarosëse të “Saturnit” që hante edhe bijtë e vetë?! I kishte thënë mirë e drejte regjisori rus Sergei Jutkeviç, se më këtë vetmohim dhe emocion prej zjarri, ti do të vdesësh shpejt i dashur Naim,- tek e shihte se si e interpretonte edhe në prova figurën e Palit, Luftëtarit të Skëndërbeut në filmin me të njëjtin titull. Një “METEOR I ZJARRTË!” që shkëlqeu e ra në qiellin e një kohe të errët….I tillë ishte Ai, aktori nga dera e Frashërllinjëve, që trashëgoi dhe emrrin e ndritur të poetit NAIM FRASHËRI.
Piqeras, më 21 gusht 2022
88
11 comments
5 shares
Like

Share

Related Posts

Leave a comment