Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

THEO SOMMER (10.06.1930 – 22.08.2022)

300515465_10228538972400176_9106463034507030286_n
Theo Sommer, njëri prej gjigantëve të publicistikës gjermane, kryeredaktor i gazetës së përjavshme DIE ZEIT mes viteve 1973-1992, vdiq në fillim të kësaj jave në moshën 92-vjeçare. Ai la gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë gjermane – si komentator, kryeredaktor dhe botues i gazetës DIE ZEIT. Theo Sommer ishte njëri prej autoriteteve publike më me ndikim në Gjermani. Shkroi libra e kolumne, mbajti referate, fjalime – madje edhe për gazeta amerikane, japoneze e jugkoreane. Ishte gjeostrateg dhe mbrojtës i boshtit transatlantik. Në vitet 1969 dhe 1970 punoi në shtabin e planifikimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë. Shef i tij ishte Helmut Schmidt, kancelar i mëvonshëm i Gjermanisë, pastaj botues i DIE ZEIT.
Theo Sommer ka shkruar edhe për Kosovën. Ka qenë në Prishtinë. Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës është takuar me liderë politikë të Kosovës, mes tyre edhe me presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu.
Sa i përket pavarësisë: Theo Sommer pas luftës së Kosovës ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Pavarur mbi Kosovën. Ky komision që në vitin 2000 pati propozuar pavarësi për Kosovën. Raporti i qe dorëzuar atëbotë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan.
Jashtëzakonisht krenar që kam qenë njëri nga bashkëbiseduesit e tij sa herë që, siç thoshte, “po më kruhen gishtat të shkruaj diçka për Ballkanin”.
Udhëtim të lehtë, zotni!

Leave a comment