Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Përrallë me popull të varfër dhe politikanë të pasur

-640-0-1661451499xmeta-798

Na ishte se ç’na ishte. Na ishte një popull që jetonte në Ballkan. Ky popull ishte shumë i lashtë.  Në deje i rridhte një krenari e madhe për lashtësinë e tij. Edhe në shkollë kështu mësohej. Që i vogël rritej me këtë ide. Në raste të tjera, shkohej edhe më tej. U mësohej se historinë e kishin çarë me pallë, se ishin rrethuar gjithmonë nga armiq, se të gjithë ua kishin pasur me të hedhur, se u kishin rezistuar kohërave dhe pushtimeve, se kishin mbijetuar falë përpjekjeve dhe bashkimit të tyre rreth udhëheqjes… etj. Ky populli, në përgjithësi, ishte shumë i varfër. Në kontrast me varfërinë e tij, politikanët e këtij populli ishtin shumë të pasur. Dhe ky popull i varfër kishte një dashuri të madhe për udhëheqësit e pasur. Kjo dashuri kishte marrë nota folklorike. Meqenëse politikanët e këtij populli ishin shumë të pasur, kjo ishte pranuar nga të gjithë. Kështu ishte dhe kështu duhej pranuar. Kaq. Madje, një pjesë e popullit i shihte ëndrrat sikur do bëhej politikan dhe do pasurohej. Nuk kishte në këtë popull asnjë shembull politikani të varfër dhe votuesi të pasur. Çudia ishte se sa më shumë varfërohej ky popull, aq më shumë i shtohej dashuria për udhëheqësit e tij. Dhe politikanët si për t’ua shpërblyer, sa më shumë pasuroheshin, aq më tepër i shtohej dëshira për t’u pasuruar edhe më tepër.

Rrëfimin për këtë popull mund ta quajmë të përfunduar këtu dhe ta konsiderojmë se i kemi thënë të gjitha, sepse, fundja, thelbin e asaj që donim të thoshim, e thamë. Ky popull ka një dashuri të madhe për politikanët e tij dhe historia e tij mund të përmblidhet në një rresht të shkurtër: shto dashurinë për politikanët, shto ata pasurinë e tyre, si për t’ia shpërblyer për të mira e gëzime popullit.

***

Por, meqenëse kemi dhe pak kohë, mund të shtonim edhe disa rreshta të tjerë…

Një herë e një kohë jetonte një popull i lashtë. Ky populli kishte një dashuri shumë të madhe, që ndonjëherë shkonte deri në adhurim, për politikanët e tij. Populli, siç mund ta keni lexuar diku më lart, ishte shumë i varfër, ndërsa politikanët shumë të pasur. Nuk kishte në këtë vend të lashtë të Ballkanit politikanë të varfër që votoheshin nga popull i pasur. Ishte e kundërta. Popull i varfër që votonte vazhdimisht për politikanët e pasur. Dhe këtyre, si për çudi, nuk i shtohej vetëm vota e popullit, por edhe pasuria e tij. Përveçse kësaj dashurie, ky popull, në përgjithësi, kishte besim të patundur. Besonte verbazi tek politikanët e tij. Për këtë gjë, politikanët nuk është se e respektonin popullin, sepse ata kishin lexuar nëpër libra se çdo popull meriton politikanët që ka. Kjo ishte e vetmja gjë që zbatonin nga librat që kishin lexuar. Dhe meqenëse e lamë tek besimi i madh i popullit tek politikanët, mund të shtojmë se populli donte atë që politikanët i thoshin se duhet dashur dhe urrente atë që politikanët e urdhëronin për ta urryer. Kjo marrëdhënie ishte shumë e ngushtë. Populli i varfër krenohej me këtë bindje dhe dashuri për politikanët e pasur. Një gjë e tillë, këtij populli të varfër, i kishte ndodhur edhe më parë, kur kishte qenë akoma edhe më i varfër. Jo shumë vite më parë, nën udhëheqjen e lavdishme të një partie po aq të lavdishme, një pjesë e këtij populli të varfër, nën mësimet e një udhëheqësi shumë të lavdishëm, por edhe shumë të pasur krahasur me popullin e tij, kishte bërë gjëra që nuk janë aspak për t’u lavdëruar. Çfarë do pyesni ju? Po ja…, mund të tregojmë se ka pasur raste kur janë hequr thonjë me pinca nga gishtat e të ngjashmëve të tyre, janë çarë kafka me kazma dhe lopata, pasi janë ekzekutuar më parë ose në agoninë e fundit, janë djegur kufoma me acid për të mos lënë asnjë gjurmë…; janë spiunuar vëllai nga vëllai apo ekzekutuar i afërmi nga i  afërmi i tij… Pse të gjitha këto mund të pyes ndonjë lexues i pavëmendshëm? Sepse kështu i kishte mësuar udhëheqja dhe partia e lavdishme, pa të cilën ky popull e ndjente veten të vetmuar.

Siç mund ta keni lexuar edhe më lart, ky popull kishte një dashuri të jashtëzakonshme për politikanët e tij. Dashuria e popullit ecte në proporcion të drejtë me pasurimin e politikanëve të tyre dhe në përpjesëtim të zhdrejtë me varfërinë e tyre. Që të kuptohemi, shtohej dashuria e popullit për politikanët, shtohej edhe pasuria e tyre. Shtohej pasuria e tyre njëkohësisht me dashurinë e popullit, varfërohej edhe më shumë populli.

***

Na ishte se ç’na ishte. Na ishte një popull që jetonte në Ballkan. Ky popull ishte shumë i lashtë.  Në deje i rridhte një krenari e madhe për lashtësinë e tij… Dhe të tjera që mund t’i keni lexuar në rreshtin e parë të kësaj përralle dhe, për të mos e lodhur lexuesin, nuk ka pse t’i përsërisim sërish.

Related Posts

Leave a comment